Kosova në CNN: “Republika e rinisë, Republika e bukurisë, Republika e Kosovës” - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Deri në fund të vitit kanali prestigjioz CNN do të transmetojë spotin televiziv për promovimin e Kosovës.

CNN: “Republika e rinisë, Republika e bukurisë, Republika e Kosovës”Një minutë që prezanton shtetin e ri dhe synon të ndryshojë perceptimin për të. Ministrja kosovare e turizmit  Mimoza Kusari deklaroi se “në skenarin më të mirë reklama do të rrisë numrin e vizitoreve në Kosove dhe atyre që e kuptojnë Kosovën si vend ku ka mundësi të punohet dhe ku rinia e saj ka shumë potencial për tu zhvilluar. Kosova meriton më shumë, më mirë ...”.

Në të vërtetë spoti pasqyron një republikë të të rinjve të buzëqeshur, të natyrës së bukur e relaksit. Male e ujëvara, gjelbërim dhe bardhësi e virgjër dëbore, kulturë e sport. Shumë larg idesë së vendit të  gjunjëzuar nga konfliktet dhe shkatërrimi.

Pas spotit që po transmetohet që më 4 qershor në edicionet e lajmeve, është në program dhënia e dy  spoteve të tjera që synojnë edhe në tërheqjen e investimeve të huaja duke pasqyruar atë ç’ka Kosova mund të ofrojë për bizneset.

Xhirimet e spoteve janë kryer nga 2 deri më 11 prill. Tre spotet janë realizuar falas nga CNN Turner Production. Kontrata parashikon që në shkëmbim qeveria e Kosovës të paguajë transmetimin e tyre, rreth nje milionë euro për periudhën deri në fund të vitit.