Kthehet në dhjetor Festivali i Këngës në RTSh. Më pak artistë, thuajse të gjithë të rinj - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Festivali do të zhvillohet në datat 26, 27, 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Do të konkurrojnë për vendin e parë e të drejtën e pjesëmarrjes në Eurovizion vetëm 16 artistë, 10 më pak se vitin e shkuar

Tiranë, 7 nëntor 2013 - Festivali më i vjetër i muzikës së lehtë shqiptare do të kthehet sërish në TVSh, ditët e fundit të vitit me edicionin e tij të 52-të.

Bie në sy reduktimi në 16 i këngëve në garë, kundrejt 26 të vitit të shkuar, dhe mungesa e artistëve me përvojë në muzikën shqiptare. Por, për drejtorin artistik të festivalit, Edmond Zhulali, ky fakt nuk ndikon në cilësinë e këngëve pasi prurjet e reja artistike janë mjaft cilësore.

Kanë qenë 40 këngë që kanë konkurruar për të marrë pjesë në Festivalin e RTSH-së, por juria ka përzgjedhur vetëm 16. " Tetë këngë do të interpretohen natën e parë dhe tetë natën e dytë . Që të 16 këngët do të shkojnë deri në natën finale nga do të dalë fituesja", tha Zhulali, gjatë një konference për shtyp.

Festivalit i rikthehet pas shumë vitesh, Petri Bozo. “Rikthehem si regjisor që nga festivali i fundit që kam realizuar në vitin 1999. Kjo skemë e re e prezantimit të këngëve lë më shumë hapësirë që përveç konkurrimit të këtë edhe spektakël", është shprehur Bozo.

Një tjetër risi e këtij edicioni do të jenë duetet e artistëve në garë në këtë edicion me artistët më të vjetër që kanë marrë pjesë në edicione të viteve më parë. Artistët do të interpretojnë në duete këngë të suksesshme ndër vite të Festivalit të RTSH-së. Ndërsa nata e tretë premton surpriza të tjera. Sipas Petri Bozos, do të kontaktohen artistë të huaj, të Eurovizionit, që të bëhen pjesë e natës së tretë e finale të festivalit.

Edhe këtë vit festivali do të zhvillohet sërish, i gjithi live, që nga formacioni i harqeve, banda muzikore dhe shoqëruesit e këngëtarëve.  Ende nuk është përcaktuar se kujt do t’i besohet drejtimi i festivalit, ndërkohë që drejtor i festivalit këtë vit është Alfons Zeneli, producent muzikor Alfred Kaçinari dhe drejtor artistik Edmond Zhulali. Pritet t’i bashkohet së shpejti stafit edhe Shpëtim Saraçi.

Festivali do të zhvillohet në datat 26, 27, 28 dhjetor në Pallatin e Kongreseve. Kënga fituese 2012 ishte “Identitet", e kënduar nga Bledar Sejko & Adrian Lulgjuraj, që përfaqësuan Shqipërinë në Eurovizion, por pa arritur të hyjnë në finale. Për këtë arsye, fituesit të këtij edicioni të Festivalit të Këngës, që do të shkojë në Eurovizion, do t’i duhet të konkurrojë në netët gjysmëfinale, për të hyrë më pas në finale. (ATSh)

Lista e këngëve dhe e artistëve pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në RTSH:
1. Ti mungon – Marjeta Billo
2. Zemërimi i një nate – Herciana Matmuja
3. Jeta në orën 4 – Orges Toce
4. Jam larg  - Besiana Mehmeti & Shkodran Tolaj
5. Grua – Sajmir Braho
6. Nuk e di – Renis Gjoka
7. Natë e parë – Venera Lumani & Lindi Islami
8. Një ditë shprese – Frederik Ndoci
9. Në zemër – Rezarta Smaja
10. Mikja ime – Blerina Braka
11. Me ty – Klodian Kacani
12. Kur qielli qan – Xhejn & Enxhi Kumrija
13. Kthehu – Luiz Ejlli
14. Princesha – Lynx
15. Vetëm për ty – Saviana Verdha & Edmond Mancaku
16.  Ëndrrat janë ëndrra – Xhejsi Jorgaqi
 
Kënga fituese e vitit të shkuar: