Ku të çon mushka, më fal, avioni, me këto taka! - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Në aeroport:
"Nga e kuptove që jam shqiptare, e kam të shkruar gjë në ballë?"
"Në ballë jo, e ke të shkruar mbi taka...!"
Nga Adela Kolea

Mora një lajm të bukur:
"Turistet shqiptare, më në fund po udhëtojnë aereoporteve me atlete e jo në majë të takave!"

Një shoqe/kolege, më sinjalizon se këtë verë po ndryshon etika e imazhit të udhëtares shqiptare nën këtë aspekt.
Deri vjet në verë, ky vëzhgim qe pjesë e "Ditarit të bordit", mbajtur nga unë.
Një gjë tipike që vërehej menjëherë në aeroport:
Femra shqiptare që niseshin për Shqipëri, në majë të takave, duke hequr sikletin e zotit, duke nxituar - gjithnjë, majë takave - për të bërë check in; duke tërhequr bagazhet lart e poshtë, duke i ngecur ndonjë takë e duke lënë kaviljet peng në ndonjë shkallë avioni; në ndonjë aerobus; duke i ngecur taka në ndonjë rrip çante o bagazhi; duke tërhequr madje, karroca fëmijësh. Gjithçka, rreptësisht mbi taka!
Unë e vetmja, si delja e zezë - jo në kuptim të mirëfilltë, nga ngjyra e lëkurës, kjo jo...  - e vetmja me atlete e gati-gati, shihesha shtrembër!

Në kontrollin e pasagjerëve, "metal detector", duke ulëritur nga sinjalet, sepse disa taka përmbajnë hekur në brendësi!
U duhet atëherë t'i heqin këpucët. Me këmbët e fryra nga lodhja e vapa, a mund t'i hynin më në këmbë ato këpucë?
Sinqerisht, për gjynah...

Në avion, duke konkurruar për takat me hostess-in!
Po lëre hostess-in moj grua, asaj këtë gjë ia imponon uniforma e dress code i saj! Ty ku të çon "mushka", d.mth, avioni me këto taka!  E lëri edhe "vipat” apo "staret"!

Për të mos folur për njërën që vjet në aeroport, nisur për Shqipëri, qe veshur me xixa argjendi kokë e këmbë, e dukej sikur avioni, ishte furrë pjekjeje, ku ajo të futej e mbështjellë me fletë alumini!

Me pak fjalë, sërish theksoj se nuk është çështja "secili vishet siç do", pasi kjo, është diçka e mirëqenë.
Por, për çështje prakticiteti - e qytetërimi, pse jo - çdo ambjent përmban, përtej shijeve individuale, kodin përkatës të qytetëruar e etik të veshjes.

Në një aeroport, nëse shihje femra me taka, ato me siguri ishin, të vije bast, ose hostess, ose pasagjere shqiptare!
Lind shprehja:
"Nga e kuptove që jam shqiptare, e kam të shkruar gjë në ballë?"
"Eh, në ballë jo, them se e ke të shkruar mbi taka...!"