Luiza Gega nuk ia del. Shuhen ëndrrat shqiptare për medalje në Rio 2016 - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Atletja nuk do të marrë pjesë të hënën në finalen e 3.000 metrave. U paraqit dobët për shkak të një lëndimi në tendinë

Tiranë, 13 gusht 2016 – As atletja shqiptare Luiza Gega nuk ia del dot të hipë në podium e të sigurojë një medalje për veten e Shqipërinë. Ajo nuk arriti të kualifikohet në finalen që do të mbahet të hënën 15 gusht në garën e 3.000 metrave dhe shkak për paraqitjen e dobët u bë dëmtimi i atletes në tendinë.

E mbylli garën në vendin e 16-të në baterinë e dytë, duke u renditur e 48-ta ndër 52 pjesëmarrëset. Gega e përfundoi garën me kohën 9 minuta, 58 sekonda e 49 të qindtat, shumë prapa fitueses së baterisë, Beatrice Chepkoech e Kenias (9:17:55) që arriti kohën e dytë më të mirë ndër të gjitha pjesëmarrëset.

Me këtë rezultat merr fund edhe ëndrra e Shqipërisë për medalje në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Brazil.

Nga sportistët shqiptarë, Izmir Smajlaj u rendit i 21 në olimpiadën e Rios në kërcim së gjati.

Notari Sidni Hoxha e mbylli i pari në baterinë e parë në kohën 22:80 në 50 m stil i lirë, por pa mundur të kualifikohet më tej.

Peshëngritësi Briken Calja e mbylli në vendin e gjashtë me 326 kg në dy garësh.

Notarja Nikol Merizaj nuk arriti dot që të kualifikohet për në raundin e gjysmëfinaleve në kualifikueset e 100 metra stil i lirë në Rio 2016, pasi regjistroi kohën 59 sekonda e 99 të qindat në garën e saj duke e mbyllur në vendin e 43-të.

Peshëngritësja Evangjeli Veli e nisi e para nga të gjithë shqiptarët aventurën olimpike  por përfundoi garën në vendin e 8-të nga 13 pjesëmarrës: garoi në peshën 53 kg ngriti në total 165 kg në dygarësh.

Lexo edhe:
Majlinda Kelmendi, medalja e parë e artë olimpike për Kosovën
Luiza Gega dhe pjesëmarrja e saj mes 100 pengesave në Lojërat Olimpike
Rio 2016. Shqipëria me 6 sportistë, Kosova, me 8, pjesëmarrëse për herë të parë

 

Advertisement