Martesë me shikim të parë - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Sot bëhen edhe martesa interesi, formale, vetëm për "letra", për të përfituar nënshtetësi të huaj etj. Po këto janë çështje të tjera për t'u trajtuar veçmas.

Unë, pa dashje, bëra një shëtitje në Mesjetën shqiptare të 2017-ës, atë të martesave të kombinuara.
Ata të rinj, kishin bërë një "Martesë me shikim të parë".
Ç't'u uroja, veçse: "Ju pastë qëlluar i mbarë ai shikim magjik, që qe i mjaftueshëm aq, sa t'ju kurorëzojë direkt në martesë!"
Nga  Adela KOLEA

Këtu në emigracion, të qëllon shpesh të takosh shqiptarë që ndoshta në vendin tënd, nuk do të dije se ekzistonin. Pa tingëlluar si paragjykuese. Absolutisht. Pa qenë patetikë. Ndodh. Janë elementë të sferës sociale të emigracionit e kjo vlen për emigracionin e çdo shtetësie qoftë ai.

Thjesht, njeriu, për zgjedhjen e sferës shoqërore të vet vepron krejtësisht në mënyrë të pavarur e spontane. Ndryshon disi çështja në emigracion ku zgjerohet - edhe jo domosdoshmërisht, sepse fundja i detyruar nuk je të bësh njohje shoqërore që s'të tërheqin, kjo dihet...- rrethi i:
Prejardhjes së emigrantit shqiptar që ti po njeh, zonës së përcaktuar nga Veriu në Jug të Shqipërisë që ai i përket; i kulturës, zakoneve, mentalitetit, të folmes, dialektit të tij, etj.
Niveli i njohjes është natyrisht relativ. Ti zgjedh nëse të thellosh shoqërinë me dikë, si kudo pastaj, edhe këtu në emigracion. Rëndësi ka individi e asnjë kushtëzim tjetër, si në mes shqiptarësh apo të huajsh. Të paktën, kështu duhet të jetë.
Disa ndjesi perceptohen menjëherë, nëse gjendet apo jo personi që ke përballë, pranë botëkuptimit tënd.

Gjithsesi, edhe nëse nuk bëhet fjalë për një shoqëri të mirëfilltë por, thjesht për njohje, për faktin se "miq të miqve" e kështu me radhë, ti gjendesh përballë disa bisedash me persona - shqiptarë - të një botëkuptimi që s'ka asnjë pikë të përbashkët me tëndin. Por, ti ia dëgjon për mirësjellje, deri në fund, një bisedë që  kanë filluar të të rrëfejnë. Mundohesh të tregohesh e duruar, duke u lutur që të mbarojë sa më parë. Sepse, shfajësime se “të duhet të largohesh”, jo se nuk di t'i sajosh por, i ke shpenzuar fishekët nja dy herë kur ia ke nxjerrë këto si justifikim, ndaj, e treta e vërteta, do të të duhet ta dëgjosh!
Derisa në fund, bindesh e gëzohesh që e dëgjove. Si ka mundësi? - do të thoni. Për faktin se mëson gjëra të reja nga folklori ynë. Ti s'mund t'i njohësh çdo gjë folklorit dhe zakoneve të çdo treve shqiptare. Kjo, thjesht në nivel kurioziteti. Për çka mbetet, nuk ka vend më për t'u gëzuar...

Ajo fillon rrëfimin. Është nga Shqipëria e Mesme. Për t’u futur sa më tepër në brendësi të kontekstit, do të mundohesha të isha origjinale dhe sadopak, të riprodhoja të folmen e saj.

- Ajo: "Sa erdha nime pri Shqipnije. U knoqëm se, kishim mur i shpi m'plazht, ene shpis dykatçe  ja paguva un për gjith farefisin qiranë, kalum pushimet garrumull, me motra, vllezën, kunota, kalamoj, pleq, plaka!"
- Ti: "Oh, sa bukur! Gëzohem për ju. Qenkeni kënaqur! Dhe sensi i familjes së bashkuar, sot gjë e rrallë, e bukur.”
- Ajo: "E di ti që un mor me vete pri Italije, ene voj, ene kryp mi? Nuk m'pëlqejn ato t'Shqipnis, jina msu knej nime...!"
- Ti: ....heshtje...
Jo vetëm mbetesh pa fjalë për momentin, shtangesh nga çka dëgjove, në ç'mënyrë e dëgjove, nga kush e dëgjove dhe, të krijohet një sensacion që, ajo e folur që t'u step për momentin, mos të të ketë lënë pasojë patologjike, traumë definitive e nuk do të mundesh të flasësh më.
Ajo vazhdon: - "E di ti që po vijm fill pri dasme ne, ri?"
- Ti: " Ashtu? Eh, jo. Nga ta dija unë që ishit në dasëm? Po kush u martua?"
- Ajo: "Qyqa ri gru, s'e paske mur vesh ti që un sa kom martu çunin e?"
- Ti: " Më fal, por nuk e dija sinqerisht. Djali t'ju trashëgohet e jetë të lumtur!"

Ti mendon se, ky urim mund të të shërbejë edhe si përshëndetje njëkohësisht dhe e konsideron si të mbyllur bisedën me të. Por, kështu mendon ti! Po ajo, si e mendon? Ajo ka një ankth. E dëshiron të konfidohet me ty, gjë që ti natyrisht e vlerëson. Pavarësisht se fakti në vetvete të habit, se fundja, bashkë nuk keni ndonjë konfidencë të mirëfilltë, keni folur veç nja dy herë rastësisht.

- Ajo: "Zoti t’ia bjeri marë e mirë çiftit mo, po içik siklet, e kom! 

- Ti: "Ashtu? Po pse zonjë? Ju a nuk thatë që sa po vini nga dasma. Ky duhet të jetë moment i gëzuar për ju. A nuk është kështu?"

"Zonjë,  më falni por, jemi në 2017- ën.
Akoma bëhen martesat e kombinuara në Shqipëri?"

- Ajo: "Ashu thu ti mi goc, po un kom hall a do i puqet muhabeti...!"
- Ti: "Po kujt moj zonjë. Nuk po kuptoj. Kujt t'i puqet muhabeti?"
- Ajo: "Po çunit tem me nusen i pra mo...nji kta që sa u martun!"
- Ti: "Po si “t'u puqet muhabeti”, kështu si e thoni ju, i bie sikur ata të mos kenë biseduar ndonjëherë bashkë, të mos kenë bërë ndonjëherë muhabet...!"
- Ajo:" Po ashu o mi praaa mo! Jom bo un shkesi, un e mura përcipër kët muhabet. Kunota n'Shqipni ma hudhi i llaf për familjen e ksaj goces, se familja mir shum e unë i thashë çunit. Ai ktu n'emigracion nuk kishte gjet naj goc t'mir. Kot mo, kishte kalu ca kohë me nja dy italjone, po ato s'bojn për ne. E ma nigjoi llafin. Se m'do fort mu, mumën e vet ai! E pa ate gocën e venosën me u martu përiher.”
Sa bonë gati gjonat për dasmën, fustonën e nuses e rrobet e dhondrrit, lokalin e ahengun mo, e u martun. Nime, gocës i boni letrat ene e pru ktu m'Itali, po s'po dim gjo si ka me i shku...!"
- Ti, merr frymë thellë: "Zonjë, po, më falni, se fundja vetë m'i konfiduat këto gjëra personale. Por, jemi në 2017-tën. Akoma bëhen martesat e kombinuara në Shqipëri?"
- Ajo: "Qyqa ri goc, nuk e dijshe ti? Po nji pjesë e mirë e emigrantave kshu martohen mi. Nuk dun nuse italjone. E, shqiptare, knej, s'i gjejn kollaj, e ikin Shqipni e i gjejnë me shkesë. Po ti thuj shyqyr për i gjo...!
- Ti, nën shock, gjen një fije frymë dhe i thua: "Shyqyr? Për çfarë, aman ju lutem, shyqyr për çfarë?"
- Ajo: " Ti thuj që çunit tem, ka i onë, i heci, se i gocë e gjeti n'Shqipni ene e pru knej. Po, po m'thojshte kunota që gocat n'Shqipni sot e ksaj dite, nuk i dun mo çunat emigranta mi, jo! Se atje bojn shkolla ene ktu n'Itali vijnë e rrijn m'shpi pa punë tu rrit kalamojt qysh t'reja me moshë, ose punojnë punë t'ronda. E i kërkojnë atje mi, çuna me pare, me dyqone e firma e maqina t'mdhoja! Pranej, m'tha kunota që as kon me ardh mo goca n'Itali me gjet burrë mas ksajt nuses tate. Hajt se t'heci shkeslliku ty!. Ato t'qytetit jo e jo që s'vijn mo n'Itali, po s'po i dun mo letrat italjone as kto t'katunit ton se...!"
- Ti: "Po e paskeni me hak zonjë, që vetë ju t'i uroni çiftit e para, që t'i prijë e mbara!"

"Mesjeta” e ditëve të sotme

Mbetesh e shtangur. Sepse me të dëgjuar apo me teori, mbi martesat e kombinuara, edhe mund ta kesh thyer veshin por, kur e dëgjon si dëshmi konkrete, me veshët e tu, në një të folur tradicionale folkloristike që nuk është e jotja, nuk është i yti botëkuptimi e mentaliteti, të kthehet thjesht si një pasurim njohurish etnologjike. Por kjo, pa mohuar keqardhjen. Që në 2017-ën ti përjeton një Mesjetë Shqiptare. “Mesjetë” simbolike.
Kupton që ka një plasaritje të thellë në shtresën kulturore e tradicionale shqiptare, nga Veriu në Jug, nga qyteti në fshat, ende të pa rikonstruktuar. Ndërkohë që këto, ti i konsideroje çështje të harruara për Shqipërinë. Ja pra që ekzistokan.

“Analogji martesash të kombinuara në botë”

M'u kujtuan ca histori analoge me italianët nën këtë aspekt. M'i tregonte gjyshja. Në valën e emigracionit të madh italian të fundit të '800-ës, fillimit të '900- ës. Në fazën e parë kryesisht, atë të lidhur me krizën agrare, kur u nisën burrat italianë drejt Amerikës Latine si fillim.
Dhe, historia e martesave të tyre të kombinuara me vajzat italiane në atdhe, në Itali, me shkesë, ishte identike si kjo e rasteve shqiptare. Hynte në mes shkesi, “Il sensale” (it), i cili si një ndërmjetës me mjeshtëri e përvojë, merrte përsipër kombinimin e çiftit. Përkundrejt një shpërblimi. Neve, na ndryshon epoka veçse me Italinë në këtë temë.
Shqiptarët kohë më parë, shkesit i detyroheshin një palë këpucë të reja. Thuhet nga të vjetrit  se, këpucët i dhuroheshin ngaqë i gjori, i konsumonte këpucët e veta duke shkuar lart e poshtë për të ndjekur çështjen që kishte marrë përsipër. Nuk e di deri sot sa është shtuar pretendimi i i shkesit bashkëkohor për shpërblim apo dhurata.

Sot, këto martesa të kombinuara bëhen haptas e për traditë madje nga indianë, pakistanezë e magrebinë kryesisht. Ndjenja? Le të qendrojë mënjanë në emër të traditës!
Sot bëhen edhe martesa interesi, formale, vetëm për "letra", për të përfituar nënshtetësi të huaj etj. Po këto janë çështje të tjera për t'u trajtuar veçmas.
Unë, pa dashje, bëra një shëtitje në Mesjetën shqiptare të 2017-ës.
Ata të rinj, kishin bërë një "Martesë me shikim të parë".
Ç't'u uroja, veçse: "Ju pastë qëlluar i mbarë ai shikim magjik, që qe i mjaftueshëm aq sa, t'ju kurorëzojë direkt në martesë!"