Kinematografia italiane çdo të martë në Tiranë - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi shfaq çdo të martë filma italianë të Avatit, Muccinos, Comencinit, Mazzacuratit

Tiranë, 1 shkurt 2012 – Nga 31 janari, Akademia e Filmit dhe Multimedias Marubi, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, shfaq çdo të martë prodhime kinematografike italiane.

Në program janë 14 filma, krijime nga emra të njohur të kinematografisë italiane, si Gabriele Muccino, Pupi Avati, Wilma Labate, Alessandro Angeli, etj. Deri në 8 maj në kinemanë Marubi do të jepen filmat “Puthmë përsëri” Gabriele Muccino, “Një rini e pakufizuar” Pupi Avati, “Pasioni” Carlo Mazzacurati, “Hapësira e bardhë” Francesca Comencini, “Malavoglia” Pasquale Scimeca, etj. Cikli prezanton edhe realizime si “La destinazione” e regjisorit Piero Sanna dhe filmi i parë me metrazh të gjatë i Davide Ferrario “Pas Mesnate”, i xhiruar tërësisht në format dixhital, në ambientet e brendshme të Muzeut të Kinemasë në Torino.

Sipas drejtoreshës së Institutit Italian të Kulturës, Fluvia Veneciani, qëllimi i këtyre filmave është që të japin një panoramë të qartë të asaj çfarë ndodh në Itali. “Objektivi i Institutit italian të Kulturës këtë vit është cinematografia. Projektimi i filmave, përveç Tiranës do të zhvendoset edhe në qytetin e Durrësit, Vlorës dhe të Gjirokastrës”, tha Veneciani.

Në kuadër të këtij aktiviteti pritet konfirmimi i vizitës në Shqipëri i regjisorit Marco Bellocchio, fitues i Festivalit të Filmit në Durrës.

Filmat do të shfaqen çdo të martë, ora 19:00 dhe hyrja është e lirë.