Mbyllet Shqipëri-Zvicër 0-1 - Shqiptari i Italisë

Lifestyle

Ka përfunduar me humbje 0-1, përballë Zvicrës, ndeshja e parë e Shqipërisë në një kampionat Evropian.

Kuqezinjtë kanë zbritur në fushë me formacionin më të mirë Berisha, Hysaj, Cana, Mavraj, Agolli, Kukeli, Xhaka, Abrashi, Lenjani, Roshi dhe Sadiku.

Ndërsa Zvicra me Sommer, Lichsteiner, Schar, Djourou, Rodriguez, Behrami, Xhemaili, Xhaka, Shaqiri, Mehmedi Seferoviç.

Me gjithë entuziazmin e tifozëve kuqezinj gjatë hyrjes së Kombëtares në stadium dhe këndimit të hymneve, Shqipëria e ka nisur keq këtë takim. Shqipëria ka pësuar gol që në minutën e  5-të me golin e mbrojtësit Scharr pas një goditjeje këndi për një dalje të gabuar të Berishës, që duhet thënë se pas atij gabimi që i kushtoi golin e vetëm kundërshtarit, ka mbrojtur shkëlqyeshëm portën kuqezi.

Në momentin kur kombëtarja shqiptare po rritej dhe pati edhe një rast me Sadikun, ka ardhur goditja e dytë. Kapiteni Lorik Cana ka marrë kartonin e dytë të verdhë në minutën e 36-të duke lënë me 10 lojtarë Shqipërinë.

Në pjesën e dytë megjithëse me 10 lojtarë, ekipi shqiptar ka pasur disa raste për shënim. Madje në disa çaste ka qenë superior ndaj kundërshtarit që ishte me 11 lojtarë. Sadiku ka shpërdoruar një rast të pastër pas një pasimi të Hysaj. Ndërsa Lenjani ka kërkuar një 11 metërsh pas një ndërhyrjeje në zonë të Lichsteiner (do të ishte mëse e drejtë dhënia e penalltisë sipas komentuesve të Sky-it).

Por memonti kulmor ka arritur pesë minuta para përfundimit të ndeshjes kur Shkëlzen Gashi ka pasur një rast të pastër dhe ka shpërdoruar gjithçka.

Ky ka qënë momenti i fundit për kuqezinjtë që kanë debutuar me humbje, por kanë bërë lojë të mirë, veçanërisht në pjesën e dytë, kur edhe pse në inferioritet numerik, kanë treguar nivel dinjitoz.