Miqësorja Itali-Shqipëri. 10 mijë tifozë shqiptarë nga e gjithë Evropa - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
“Mbi 10 mijë bileta u janë shitur tifozëve shqiptarë për ndeshjen miqësore Itali-Shqipëri”. Këtë lajm jep sot Rai News, sipas të cilit veç shqiptarëve nga Liguria e mbarë Italia, po  vijnë për ndeshjen që do të luhet nesër mbështetës të kombëtares kuqezi nga mbarë Evropa, veçanërisht nga Gjermania, Zvicra e Franca. Por edhe nga Shqipëria apo Anglia e Austria, do të shtonim.
Rai vë gjithashtu në dukje se forcat e rendit po marrin masa të veçanta për ruajtjen e rendit pasi kanë parasysh trazirat gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri të tetorit të shkuar”. Është mirë që, qoftë federata italiane e futbollit, qoftë gazetarët, të mos harrojnë që në trazirat që sollën ndërprerjen e ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, problemi nuk ishin mbështetësit e kuqezinjve por të Serbisë. Gjë që u njoh edhe nga Uefa. Penalizimi ndaj kombëtares sonë – i padrejtë sipas shqiptarëve – nuk ishte pasojë e ndonjë problemi me rendin publik i shkaktuar nga shqiptarët, por i mospranimit të vazhdimit të lojës dhe i konsiderimit “provokim” i lëshimit të të famshmit dron. Ndërsa penalizimi i serbëve u bë pikërisht sepse u treguan të paaftë të mbanin rendin që u prish prej tifozëve të tyre, pasi të tanët as që u pranuan të hynin në stadium.
Urojmë që ndeshja me Italinë, e para mes dy kombëtareve, të jetë një festë e vërtetë në të cilën futbollistët në fushë të japin maksimumin, ndërsa tifozët shqiptarë e italianë të kënaqen e të festojnë skuadrën e zemrës. Pa harruar që ndeshja mbahet në një qytet të dërrmuar nga përmbytjet për t’i shprehur atij solidaritet, jo vetëm me fondet por edhe me qytetarinë që fushë e në shkallët e stadiumit.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)