Miqësorja Itali-Shqipëri. Vazhdon shitja e biletave, asnjë falas - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Edhe vetë futbollistët e trajneri i të kaltërve do të paguajnë biletë për ndeshjen, në mënyrë që të mblidhen sa më shumë para për t’i ardhur në ndihmë Genovas së përmbytur nga reshjet muajin e shkuar

Romë, 17 nëntor 2014 – Vazhdon shitja e biletave për miqësoren Itali-Shqipëri që do të luhet në Marassi të Genovas nesër, më 18 nëntor 2014, në orën 20.45.

Biletat mund të blihen në pikat e shitjes TicketOne (këtu lista e plotë në mbarë Italinë) dhe në faqet internet vivoazzurro.it dhe ticketone.it. Federata italiane e futbollit këshillon shqiptarët rezidentë në Itali të blejnë biletat e sektorëve të rezervuar miqve (OL3, PL5 dhe TL5) ose t’i kërkojnë drejtpërdrejt pranë federatës shqiptare të futbollit.

E veçanta e kësaj ndeshjeje – e parashikuar fillimisht për në Parma por e vendosur të luhet në Genova për të shprehur solidaritet e për t'u ofruar ndihmë banorëve të qytetit që në tetor, por edhe ditët e shkuara, u përmbyt nga uji e balta – është që të gjithë do të paguajnë biletën, duke filluar nga vetë lojtarët e stafi i kombëtares italiane. Për të mbledhur sa më shumë para që do t’i kalohen Genovas, federata italiane e futbollit, FIGC, ka anuluar të gjitha biletat falas.