Nisi EuroSong, nesër mbrëma radha e Shqipërisë me Eneda Tarifën - Shqiptari i Italisë

Lifestyle

 

Mbrëmë u shpallën dhjetë finalistët e parë

Romë, 11 maj 2016 - Në Stokholm të Suedisë u zhvillua mbrëmë nata e parë gjysëmfinale e Festivalit të Këngës në Eurovizion, nga e cila dolën dhjetë finalistët e parë që do të paraqiten sërish natën finale më 14 maj. Finalistet e gjysmëfinales së parë të Eurovision Song Contest janë Rusia, Azerbajxhani, Armenia,
Malta,
Holanda, Republika Çeke, Hungaria, Kroacia,
Austria
dhe Qipro.

Ndërsa përfaqësuesja e Shqipërisë, këngëtarja Eneda Tarifa do të performojë në natën e dytë të këtij festivali, nesër më 12 maj këngën e saj “Përrallë” të përshtatur në gjuhën angleze “Fairytale”. Kënga, me kompozim të Olsi Toqit dhe orkestrim të Shpëtim Saraçit, u shpall fituese e Festivalit të 54-t RTSh.

 

Në Eurosong 2016 marrin pjesë 42 vende, por vetëm 36 vende konkurrojnë për një vend në finale, më 10 dhe 12 maj, për të kurorëzuar më pas fituesin më 14 maj.

Suedia, që është organizatorja e konkursit këtë vit, pasi Mans Zelmerloë fitoi garën vitin e shkuar në Vjenë, me baladën e tij elektro-pop “Heroes”, dhe “Big Five”, që janë Italia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Spanja janë automatikisht në finale dhe nuk konkurrojnë në netët gjysmë finale.

Në Itali, Eurovizion transmetohet drejtpërdrejt në Rai 4 në orën 21:00.