Oliviero Toscani në Tiranë: Krijues, jini të pasigurtë! - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Fotografi Oliviero Toscani, ndër më brilantët e më të diskutuarit në Itali, shkon në Tiranë i ftuar nga nga Instituti Italian i Kulturës dhe EjAlbum, e diskuton me publikun shqiptar. “Jam një dëshmitar i kohës sime dhe denoncoj të këqijat, si SIDA, anoreksia, lufta, racizmi. Fotografia duhet të zhvishet nga zbukurimet estetike e të vazhdojë të tregojë tragjeditë e mëdha njerëzore”.

Raporti mes imazhit dhe fjalës, dimensioni real i profesionit të foto-reporterit, procesi krijues, pasiguria, antikonformizmi, shpirti i lirë, kjo dhe të tjera u diskutuan në Tiranë në një “open discussion” me fotografin italian Oliviero Toscanin, organizuar nga Instituti Italian i Kulturës dhe EjAlbum.

Oliviero Toscani hyri në sallën “Nënë Tereza” të Pallatit të Kulturës shumë më simpatik sesa e kisha imagjinuar nga fotot e profilit të tij. Pasi u mor vetë me çdo detaj, u nder në karrigen e gjerë dhe hodhi sytë nga auditori…

Ai që në 50 vjet karrierë ka publikuar fotot me të njohura në botë. I njëjti që në këto 50 vjet nuk ka mbajtur as edhe një shkrepje në arkivë. “Artisti është thjesht ajo që bën, ajo që di të bëjë – shpjegon Toscani. – Mos u besoni kurrë atyre që i kanë idetë e qarta”.
Pastaj të sheh në sy e vazhdon: “Jini të pasigurtë, kështu do të bëni të renë. Kini kurajo të mos jeni të sigurtë, bëni të kundërtën e asaj që parashikohet”.

Po, sepse për Toscanin, armiku kryesor është konformizmi. “Sapo ka një ide të re dhe një energji të re, – thotë fotografi, – del gjithmonë dikush që e vë në diskutim këtë, por është pikërisht ky moment i pasigurt që të bën autor”.

Për fotografin më të shkëlqyer dhe më të diskutuar të Italisë, imazhet e forta janë një vlerë e shtuar. Për të arti bëhet mediokër në momentin kur zgjedh të ndalë kultin e ngjyrave, formës dhe estetikës.

“Detyra jonë është të dokumentojmë faktet, shkrimi mund të interpretojë ndërsa fotoja është e drejtpërdrejtë dhe të përplas në fytyrë realitetin dhe përgjegjësitë e tua. Për fat të mirë ekziston fotografia falë së cilës kuptojmë të këqijat që njeriu bën”.

Toscani tregon për veten përmes tre makro periudhave: Zbulon miqësinë me Andy Ëarhol (një marsian që adhuronte tortën) ; për çudi, megjithatë, Toscani shkon në vitet e shkollës së mesme, në Filippin Paderno del Grappa. “Prindërve ju duhej të më përmblidhnin, sepse në vend që të shkoja në shkollë kaloja ditët në kinema. Dhe me dërguan këtu..”

E në mënyrë të pashmangshme ai përfundon duke folur për “shockadvertising”.
“Unë jam një dëshmitar i kohës sime dhe unë denoncoj të këqijat, si AIDS, anoreksia, lufta, racizmi. Fotografia duhet të zhvishet nga zbukurimet estetike e të vazhdojë të tregojë tragjeditë e mëdha njerëzore”.

Për Toscanin, arti i vërtetë është ai që imagjinon gjendjen e njeriut, komunikon mendime, është ai që të jep çelësin për të hyrë në vende për të cilat nuk do të kishe kurrë qajse.
Pse provokimi është pjesa pozitive e artit? “Sepse ai pyet, sugjeron, të ndryshon mendjen, të rrit kulturën, të vë në lëvizje zemrën, ndjeshmërinë dhe trurin”.
“Arti të jep liri, por nuk është i lirë” – deklaron fotografi. Por ndodhi që pikërisht nga gjuha e tij e ndyrë me artin, nisën dhe fushatat që e bën Oliviero Toscanin një nga fotografët më të famshëm të botës.

Valbona Zhupa, ATSh