Rrënojat e Kukësit të vjetër mbi akullin e liqenit - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Rënia e nivelit të liqenit të Fierzës, që tashmë është rikthyer në nivelin e rreth 282 metrave mbi nivelin e detit, si asnjëherë në këtë periudhë të vitit, ka nxjerrë mbi sipërfaqe rrënojat e Kukësit të vjetër. Por situata do të ndryshojë me shkrirjen e dëborës që ka mbuluar gjithë zonat e veriut

Tiranë, 19 shkurt 2012 – Pas reshjeve të mëdha të dëborës qytetarët e Kukësit, ndërsa  kanë dalë  të shëtisin, duke përfituar edhe nga moti i mirë, janë habitur kur kanë parë se mbi akujt që mbulojnë ende liqenin e Fierzës, kanë dalë në sipërfaqe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit. Një gjë e tillë është treguesi i rënies së nivelit të liqenit të Fierzës, që tashmë është rikthyer në nivelin e rreth 282 metrave mbi nivelin e detit. Reshjet ende nuk kanë ndikuar në nivelin e ujërave të këtij liqeni, por pritet ngritja e nivelit kur të nisë shkrirja e dëborës. 

Ndërsa rrënojat e qytetit të vjetër janë tashmë në sipërfaqe, edhe ujrat e Drinit të  bardhë duken që nga qyteti, ndërsa zgjaten drejt liqenit të Fierzës, në vendin ku vetëm pak ditë më parë shtriheshin ujërat e ngrira të liqenit të Fierzës. 

"Është herë e parë që rrënojat e qytetit të vjetër dalin në sipërfaqe në fund të muajit shkurt ", thotë i moshuari Mërgim Elezi, që ka dalë të shikojë rrënojat e qytetit ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës së tij.

Qyteti i vjetër i Kukësit ndodhet në nivelin 262 metrave mbi nivelin e detit, ndërsa  e ashtuquajtura pikë e vdekjes e hidrocentralit të Fierzës ndodhet në 242 metra mbi nivelin e detit. Liqeni i Fierzës në nivelin maksimal të tij në 296 metra mbi nivelin e detit ka një volum prej  2,7 miliardë metrash kubë ujë.