Sahati i Elbasanit, profili i qytetit të lashtë - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Kulla e Sahatit, në qendër të qytetit të Elbasanit, brenda mureve të kalasë, është një objekt më shumë se një shekullor, i cili të fton të njihesh me matjen e kohës. Ky objekt shpesh është bërë pikë referimi për takime të ndryshme mes të rinjve, turistëve si dhe vetë qytetarëve elbasanas.     

Përgjatë viteve, gjithçka ka ndryshuar në qytet, infrastruktura, shumë objekte nuk ekzistojnë më si xhamia e Ballijes, që ngrihej përballë Sahatit, apo pazaret që gëlonin nën hijen e tij, por kulla monumentale e Sahatit qëndron.  

Në formën e tij të hershme ky sahat qytetar nuk njihet, madje në të njëjtin vend vërtetohet se janë ngritur radhazi tre të tillë, njëri i përkohshëm me strukturë druri dhe i fundit që njohim, siç thuhet edhe në mbishkrim, u ngrit me mirësinë e banorëve të qytetit në vitin 1899. 

Pothuajse të gjitha qytetet shqiptare, si Prizreni, Berati, Shkodra, Prishtina, Peja, Kruja si dhe Elbasani, përgjatë shekullit të XVII ishin pajisur me të tilla objekte. Idenë për ndërtimin e tyre e kishin sjellë tregtarët vendas, në kontakte të shpeshta me vendet europiane. Ata sollën prej andej edhe mekanizmat kohëmatës, për të cilët ndërtuan kulla të posaçme në sheshet e pazareve apo në vende pranë tyre të zgjedhura, që kulla të bëhej elementi mbizotërues i siluetës së qytetit. Në Elbasan si vend për ngritjen e saj u pëlqye kulla e hyrjes së kalasë pranë xhamisë së Fatiut, të cilën Evlija Çelebiu e cilëson si shumë të bukur dhe që funksiononte shumë mirë.

Kulla ngrihet në lartësinë me tre kate funksionale, me planimetri katrore (4.3 x 4.3 metra). Në ballin e qytetit ndodhet porta e hyrjes, mbi harkun e së cilës është shkruar historiku i ndërtimit të saj.

Teksti i mbishkrimit është: "Mbreti i botës Abdylhamiti bujar/ nën hijen e hirit të tij u ngrit sahati i hijshëm/burrat me sedër të Elbasanit patën mirësinë/ dhe ngjallën këtë kohëtregues të bukur dhe zemërledhatues/ shumë u përpoq, u interesua dhe u kujdesua Aqif beu/ Zoti i dhashtë si shpërblim gjithë të mirat e kësaj bote/ kur tingëllon, me zërin e tij njofton për bukuri kohën e saktë/ në mënyrë të përsosur nga të katër anët tregon minutat/ meqë zotëron intuitën e vjershëtorit tuaj/ Refit vitin e ndërtimit të tij/ e ndërtuan në fillim të vitit njëmijë e treqind e pesëmbëdhjetë" (viti 1315 që i takon vitit 1899). 

Kulla e Orës së Elbasanit është një gjetje origjinale në propocionet dhe në trajtimin dekorativ të strukturave të jashtme. (ATSh)