Jemi ne që bëjmë fotografitë, apo janë fotot që bëjnë “grafinë” tonë? - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Një fotografi që të lë pa  fjalë: “Një valixhe mbi shtrat!”. Nënkupton diçiturën: "Prelud pushimesh!". E nuk bëhet fjalë për këngën me të njëjtin titull të Julio Iglesias…  
Nga Adela Kolea

Tani po afrohet stina e verës dhe  nëse deri më sot jemi improvizuar si fotografë profesionistë, duke vënë në aktivizim të gjithë fantazinë tonë duke bërë fotografi çdo moment e nga çdo kënd, me çdo strategji digjitale të mundshme, publikuar në çdo hapësirë sociale, me kohën e plazhit e me afërsinë ndaj detit, këto aftësi e pasione tonat për artin fotografik, si për magji, shumëfishohen.
Indinjohen me ne fotografët profesionistë e përse jo, ata ndihen pak në krizë për punën në këtë periudhë…
Fillojnë shkrepjet e fotografive në pushime, foto artistike si të themi që, për shpjegim apo diçiturë nuk kanë nevojë. Ato përmbajnë një gjuhë të tyren krejt konvencionale.
Një fotografi cliché e lajmërimit publikisht – pavarësisht se ndërkohë i ke dhënë sihariqin edhe “minjve të apartamenteve”, hajdutëve që mund të të boshatisin shtëpinë në mungesën tënde – e preludit të pushimeve, apo që thotë: “Po nisem për udhëtim!” është ajo e paraqitur në çelës artistik nëpërmjet “një valixheje mbi shtrat”!
Tani, më tepër sesa për t'u kënaqur e shplodhur vetë, kemi nevojë të postojmë foto e kartolina plazhi në rrjetet sociale.
Fillojmë me selfie nga tarraca e ballkoni i hotelit a vilës ku po pushojmë, vijojmë me mëngjesin, duke realizuar foto artistike, në objektiv: “Bishti” i filxhanit të kafesë dhe deti, mundësisht një pulëbardhë aty në sfond, shkon edhe me qeramikën e bardhë të filxhanit madje!

Edhe kur kthehemi nga plazhi e shkojmë në punë, punën reale e fillojmë pas nja një jave në mënyrë efektive, pasi ditët e para pas pushimeve, ndodhemi veç fizikisht në punë, ama mendërisht e shpirtërisht jemi ende në det. Përveç kësaj, jemi akoma të zënë me shpërndarjen e  komentimin edhe të fotove të fundit që postojmë prej pushimeve, përveç atyre që postonim në kohë reale kur ishim direkt në det.
Dhe, gurgullima e makinës së ekspresit në zyrë, - se domosdo, do të bëjmë pauza, se jemi lodhur në det, jo shplodhur - na ngjason me gurgullimën e ujit të detit kur përplasej vala në shkëmb. E normal që puna niset gradualisht. Menjëhere ashtu, na bën dëm.

Invadenca në një “klik”

Le të fillojmë “numërimin” e rasteve, apo më mirë, shkrepjet e aparatit!
Sot aparenca nuk kursen as kontekstet e tilla si, objektet e shenjta e të kultit.
Vizita në ato vende të shenjta është e mbetet një nevojshmëri shpirtërore, e brendshme. Po u ekspozua me foto të njerëzve pa kriter në to, e humb efektin. Madje, deri diku kthehet në një 'akt profan.'
Pata lexuar këtë opinion:

Them se mund të admirohet një kishë, mund të mahnitesh pas zbukurimeve të saj artistike e ikonike, mundet fundja të bësh ndonjë foto për kujtim nga ai vend, por të fotografosh veten në atë kishë, nuk e di se ç'kuptim ka. 

Qëllon një foto grupi, e kam përjetuar natyrisht edhe unë. Në kishë, në ndonjë event ndër miq e të afërm si dasmë, pagëzim, kungim apo krezmim e zakonisht dilet ndonjë foto me atë protagonist që feston atë ditë.
E kjo është diçka tjetër.
Ama jo “ti vetë dhe kisha”, kaq, brendia e kishës në objektiv! Ku qendron kuptimi? Sensi i kufirit duhet të jetë gjithnjë i pranishëm, për etikë ndaj mjedisit. Ishe ne kishë? Mbaje për vete.

E, ata shenjtorë kanë qenë modestë e me siguri kanë qenë edhe kundër komercializimit të imazhit të tyre nëpërmjet shitjes së objekteve me foton e tyre të publicizuar siç bëjnë disa. Debate të mëdha bëhen në këtë drejtim këtu në Itali. Pasi është ekzagjeruar p.sh me imazhin e Padre Pio-s, gjë që ai e urrente, e me shumë shenjtorë të tjerë gjithashtu.
Në vendet ku shkojnë në pelegrinazh njerëzit për të gjetur paqe e besim në çka ata përfaqësojnë si vende të shenjta, të bombardojnë tregtimet e gadget e lloj-lloj sendesh me figurën e shenjtorit përkatës.
"Blije se të sjell fat!" Gati deri në sugjestion e imponim.

Pa hyrë në zgjedhjet e secilit, sepse fundja gjithnjë do të ketë për të komentuar:
"Pse i bën foto vetes, je narcizist, pse i bën foto pjatës së ushqimit, etj", por, unë përsëris se nuk kam kuptuar asnjëherë këto fotot nëpër kisha që bëjnë shumë shqiptarë.
Madje, shihja, foto në Vatikan postuar me shumicë nga persona të ndryshëm, një ekspozim me zell të tyre. Pa ia ditur as kuptimin asaj që përfaqëson një skulpturë a pikturë atje ndoshta.
Duke anashkaluar anën fetare e të shenjtë të atij vendi e duke i lënë të paraprijë egos: "Kam qenë në Vatikan, merreni vesh!"

Për të mos folur për ato të ashtuquajturat “pushime inteligjente” të disave, që vizitojnë vende me domethënie historike e  kulturore apo artistike nëpër botë, por që kjo nuk është aspak në linjë me formimin e tyre kulturor.
E bëjnë më tepër, sepse ndoshta mundësitë ekonomike i kanë dhe konkurrojnë me X apo Y person që në ato vende ka qenë e i ka vizituar.
I lirë gjithkush, natyrisht të shkojë ku të dojë e t’i administrojë si të dojë pushimet, por këto janë thjesht realitete që hasen e që shpesh sjellin një farë komiciteti.  Më kujtojnë Alberto Sordi-n në filmin “Vacanze intelligenti”. Rëndësi ka që të pozojnë para këtij apo atij monumenti e të shpërndajnë fotot…
Mos i pyet për përshkrimin e atij monumenti. Mos u lodh.

E përditshmja jonë në foto

Pa qenë nevoja të bëhemi patetikë. Mua vetë më pëlqen shumë fotografia. Nuk jam eksperte e saj, megjithatë më pëlqen që sipas mënyrës sime, të fotografoj edhe gjëra të vogla nga e përditshmja, që ngacmojnë interesin tim apo që ndoshta për dikë, janë të papërfillshme. Duke qenë natyrë komunikuese e ekspresive, më pëlqen që edhe fotografi të vetes të ndaj shpesh. Më duket një mënyrë kjo, që si me fjalë, ashtu edhe me imazhin tonë, të puqemi me ata njerëz, prej të cilëve tashmë jetojmë larg e jemi shpërndarë nëpër botë, e shoh fotografinë si një urë lidhëse e ndërveprimi ndër njerëz. I marr asaj anën më të mirë e të shëndetshme të mundshme. Njëkohësisht më pëlqen të shoh fotografitë që më dërgojnë miq e të afërm, duke u përditësuar me  të rejat e tyre e të familjeve të tyre, një aspekt afektiv i ndërsjellë ky.

Më pëlqejnë shumë edhe fotografitë e vjetra. Ato bardhezi kryesisht.
Më kujtohet edhe fillimi i ’90-ës, që përkon dhe me  fillimin e emigracionit e me blerjen e  aparateve të para fotografike nga ana jonë në Itali!
Kushedi sesa fotografi kemi bërë, sa punë u kemi dhuruar studiove fotografike të atëhershme, duke i stampuar fotot në letër! Sot në fakt ndodh që në letër stampojmë pak, madje, ime më ankohet shpesh për këtë gjë. Ajo më kërkon që disa foto që ajo zgjedh, të mos i lë në format digjital, por t’ia stampoj e t’ia çoj në shtëpi.

Më tej, pasi i thamë këto, një foto te parukjerja nuk e kuptoj se çdo të thotë...
Ke shkuar të sistemosh modelin e flokëve. E pastaj? Diçka mëse normale. Foto aty, pse?

Siç përmendja më lart, një foto p.sh, me një valixhe sipër shtratit!
Që nënkupton "Po nisem për udhëtim!" Wow!
Po sensin e higjienës të paktën, a e ke parasysh? A e ke pastruar mirë të paktën atë valixhe që ka bredhur porteve e aeroporteve, para se ta vendosësh si zbukurim sipër shtratit e si objekt pozimi per set fotografik?

As fotot nëpër tryeza nuk i kam kuptuar.
D.m.th, ato që janë në mospërputhje edhe me vetë galateon, foto me tavolinat e gosti shtruar.
Foto në tavolinë bëhet, por me tavolinën bosh. Trego të paktën gëzimin që je mbledhur me miq e të afërm, por jo atë materialen, atë që detyrimisht po konsumoni e të evidenconi se çfarë jeni duke ngrënë. Pse kjo?
Këto lërini të nënkuptohen. Madje edhe për diçka bëjeni: për sensibilitet ndaj kujt nëpër botë e ka tryezën bosh në ato momente. E vështirë, e?

Po fotot mbi një kamerdare në det e me sandale me taka të holla veshur? Po u shpua ajo kamerdare? Incidenti është aty, "pas dere", pas takave d.m.th.
Ashtu siç u ka ndodhur disave që për të bërë një selfie kanë zgjedhur vende ekstreme e kanë rrezikuar apo paguar me jetë.
Ata që rrezikojnë edhe kafshët për të bërë foto me to.
Kuptuat mirë, ata që rrezikojnë kafshët - jo, që rrezikojnë njerëzit prej kafshëve, por janë në rrezik kafshët prej njerëzve - sepse, nxjerrin peshq apo kafshë të ndryshme ujore nga uji posaçërisht sa për të pozuar me ta, apo u presin thonjtë disa kafshëve duke i lënduar ato, vetëm për të shpaguar egon e tyre e për t'i përdorur si buratinë nëpër fotografi që ata të mos i gërvishtin.

Më qëlloi para pak kohësh të lexoja në facebook në profilin e një mikes, diçka që më la pa fjalë. Ajo postonte nja dy foto nga një ish-kamp përqendrimi në Gjermani. Atëherë, një mike e saj, sigurisht sipërfaqësore e që nuk e shihte foton fare por, mjafton që i shihte vendndodhjen, "Gjermani", i shkruante:
"Bëfshi qejf!" Sinqerisht shtanga.
 Atëherë, naryrisht që vetë postuesja reagoi dhe i tha:
"Shiko, ky ku unë kam ardhur, po ta shohësh mirë, nuk është vend për t'u zbavitur..."
Ndaj them se ka një përfshirje në një vorbull rrëmbimi për të ekspozuar dhe për të komentuar po aq rrëmbimthi, pa u thelluar për një çast.
Ndër të gjitha këto raste, e ka edhe plot të tjera, e dini ç'ju them?
 Me gjithë kundërshtitë, shoh si më të padëmshmit ata, që këto foto ua bëjnë thjesht fytyrës së tyre, edhe po kaluan mesazhin si narcizistë.
Kjo është “e keqja më e vogël” fundja, narcizizmi, në dallim nga aspekte të tjera.
Të paktën duan veten, përqendrohen te ajo e nuk përdorin sfonde absurde, duke implikuar dashje pa dashje persona apo mjedise të tjera, nuk cënojnë natyrën apo privatësinë e askujt e asgjëje.

Se, për të mënjanuar fotografitë, vështirë.
Madje është e kotë që të pretendohet kjo në fakt sot.
Duke fotografuar, personat fiksojnë një çast në vetvete, një copëz jete e nuk i dihet a u kthehet më në jetë ai çast për t’u përjetuar, ndaj është e dobishme fotografia.
Të pretendohet kriter, kujdes e seleksionim, dimensionim në shpërndarjen e tyre, kjo po.