Si festonim Krishtlindjet e Vitin e Ri në Shqipërinë e diktaturës - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Mes frikës së kremtimit të festave fetare dhe tregut të varfër që ofronte shumë pak

Nuk mund t’i festonim Krishtlindjet haptazi… U bënim urimet nën zë të afërmve, familjarëve dhe miqve, atyre që na jepnin me tepër besim, që ndoshta na krijonin idenë se nuk do të na denonconin.

Ime më kishte qepur e krijuar disa personazhe prej cohe, që imitonin të pranishmit në aktin e lindjes së Jezusit: Krishtin fëmijë e dy-tre objekte të shpellës, dy-tre kafshë, edhe këto prej lecke. Kashta … ah, kjo po që ishte origjinale. Të vëna të gjitha bashkë, përbënin shpellën komplete me të porsalindurin e Shenjtë.

Unë e vogël, të gjithë këta personazhe, në fillim nuk i kuptoja. Jo vetëm sepse ne fëmijëve na i shpjegonin me shumë rezervim, por edhe për faktin që nuk dinim as ç’është Kisha – as që flitej ta frekuentonim atë. Shihja që familjarët kishin dëshirë e besim  ta përkujtonin, ta festonin ta respektonin, dhe unë rritesha me këtë frymë duke vazhduar këtë traditë.

Pema në shtëpi

Thjesht natyrale, bredh i freskët. Ne madje, mbaj mend, kishim një fqinj që punonte si roje në pyll, e në këto raste, ishte shumë i “kërkuar” nga ne fqinjët e tjerë, që të na sillte një pemë të bukur, të freskët e me aromën karakteristike të bredhit, për shtëpitë tona…

Zbukurimet

Të krijuara me mjetet rrethanore. Duke filluar që nga  pambuku i bardhë, që i bërë fije - fije, shpërndahej si borë nëpër degët e freskëta të bredhit, madje, më kujtohet kishim ruajtur edhe pak letër nga ato të luleve të 1 Majit, me ngjyra të ndryshme, hequr nga lulet që prindërve tanë u shpërndanin nëpër qendrat e punës për parakalim e me to, bënim ca si tip lulesh të vogla, për t’i vënë edhe këto mbi pemë, për t’i dhuruar pak ngjyrë e gjallëri më tepër, ndonjë lodër të vogël, pse jo, edhe ndonjë kokërr arrë të lidhur me fije gjithashtu, dhe ja që pema u plotësonte, zbukurohej dhe u kthente në një ëndërr të vërtetë.

Gatimet

Ato më të thjeshtat, por tipike e tradicionale, për kë e kishte për zemër që t’i përmbahej traditës e jo vetëm: më e rëndësishmja, me aq sa tregu na përgjigjej... Gjithsesi, vendin më të rëndësishëm në festime  dihet, e zinte Viti i Ri, tavolinat plot me dashuri, afrimitet e me të gjitha përkujdesjet nga mamatë, tezet, hallat e miqtë më të afërm, gjithsecili kush të kontribuonte me një gatim apo ëmbëlsirë të vetën – fillonte edhe “konkursi” se kujt i kishte dalë më e mirë bakllavaja - që të bashkuar të gjithë e duke sfiduar tollonat, mangësirat në treg e radhat pa fund, shndërronin këto ditë festash, në ato të shumëpriturat, prej një viti të tërë, për të pritur babagjyshin që trokiste pas dere e ikte me aq shpejtësi, sa për të na lënë pas dere ato lodra plastike, kukulla apo makina të thjeshta, që i ruanim me aq kujdes.

Kohë e largët, kujtime të largëta, ndoshta sado që t’ua shpjegosh, abstrakte për fëmijët tanë e brezin e ri, por që ndër moshatarët tanë shqiptarë, kanë një vend të pazëvendësueshëm nga të gjitha festimet luksoze apo nga mirëqenia e sotme.

Gëzuar festat e fundvitit të gjithëve!

Adela Kolea