Si festonim Vitin e Ri dikur? - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Cilat janë kujtimet tuaja për Vitin e Ri? Keni ndonjë episod, apo ndonjë dhuratë që ju ka mbetur në mendje? Na shkruani në shqiptari[at]stranieriinitalia.it ose lini një koment nën këtë artikull. Kujtimet tuaja do të botohen në faqet tona internet

Në këto ditë të fundit të vitit 2012, ndihet kudo atmosfera festive e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Çfarë ndodhte dikur me këto festa? Për shqiptarët dikur festa e Krishtlindjeve ishte pjesë e atyre riteve fetare, që revolucioni kulturor i vitit ’67 kërkoi t'i hiqte me rrënjë. Kështu që ajo nuk ekzistonte, të paktën zyrtarisht.

Ajo që festohej, ishte festa pagane e Vitit të Ri.

Shtëpia pastrohej me themel, si të mos ish pastruar asnjëherë për 364 ditët pararendëse. Laheshin perdet e mbulesat e divaneve. Gjithçka “llamburiste”. Javët e fundit të vitit mendohej për çfarë do të vihej në tryezë natën e 31 dhjetorit: bëheshin radhë për të blerë mollët e dardhat, fiqtë e arrat, djathin e gjalpin. Shkohej tek tregu fshatar për të blerë gjelin e detit. Pak ditë përpara datës 31 dhjetor, nënat e gjyshet bënin bakllavatë me deri 80 petë që i shtronin nëpër divane e kudo tjetër, diku sipër gazetave e diku mbi çarçafë. Në ndonjë familje i binin shkurt e bënin kadaif. Në ndonjë tjetër, më të kamur, i bënin të dyja bashkë. Ndërsa baballarët tanë “shkulnin” bredhat maleve për t’i vënë në mes të shtëpisë të zbukuruar me ç'të mundeshin. Dhe paraditja e datës 31 ishte besoj ndër më të lodhshmet e vitit për prindërit tanë: gatimi, pastrimi dhe rregullimi i shtëpisë, larja e fëmijëve, hekurosja e rrobave të mira.

E fëmijët? Në pritje të ndonjë dhurate nën pemë edhe ata bënin pjesën e tyre. Në shkollë zbukuroheshin klasat me vargjet e përgatitura me fletët shumëngjyrëshe të fletoreve të punëdores dhe dritareve pikturohej ndonjë gjë naive e ngjitej pambuk.  Ndërkaq nxënësit që merrnin pjesë në koncertin e vitit të ri të organizuar nga shtëpia e pionierit, bënin provat... E kështu atmosfera e Vitit të Ri përfshinte të gjithë të vegjlit deri më 31. Ndërkaq më të mirëve në mësime u ishte bërë ndonjë dhuratë në shkollë. Të tjerët mezi prisnin mesnatën për të marrë diçka në familje. Për fëmijët dita e 31 dhjetorit ishte elektrizuese: u bindeshin prindërve e shkonin të pushonin pas dreke falë kërcënimit se nëse nuk pushonin nuk do të arrinin zgjuar deri në mesnatë kur Babagjyshi i vitit të ri t’u sillte dhuratat.

I mbani mend dhuratat? Ishin pak a shumë të gjitha njësoj. Lodrat ishin edhe të shëmtuara ndonjëherë, por na dukeshin shumë të bukura e mezi i prisnim edhe sepse ishte i vetmi rast kur merrnim një të tillë. Kur lozje gjithë vitin me guralecë, pafka dhe pinca të bëra në shtëpi, çdo gjë që merrje për vit të ri dukej mrekullia vetë.

Kujtimet e lexuesve: