‘Skënderbeu’ i restauruar shfaqet në Tiranë - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Skënderbeu “i sotëm” ka zërin e Rikard Larjes, Donika atë të Roza Anagnostit, Sulltan Murati zërin e Robert Ndrenikës. Filmi i prodhuar në vitin 1953 u shfaq mbrëmë në Tiranë i restauruar dhe me dublim të ri

Tiranë, 4 dhjetor 2012 - 59 vjet pas realizimit të filmit “Skënderbeu”, në premierën e tij mbrëmjen e djeshme ai tingëlloi ndryshe.

Në filmin e restauruar me parametra bashkëkohorë dhe në gjuhë letrare nga Piro Milkani dhe Esat Musliu, kanë dubluar zërat origjinalë një trupë prej 60 aktorësh të njohur shqiptarë. Skënderbeu flet gjuhën letrare me zërin e aktorit  Rikard Larja, ndërkohë që zëra të tjerë janë të aktorëve, Roza Anagnosti që dublon Donikën, Tinka Kurti nënën, Robert Ndrenika etj.

Filmi “Skënderbeu” është realizuar me parametra shumë më të mirë teknikë dhe të interpretimit, por struktura është ajo e realizuar në vitin 1953 nga regjisori rus, Surgei Jutkeviç. Komiteti Shtetëror për 100-vjetorin ka lëvruar një fond për restaurimin e filmit që u shfaq në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, në kinema “Kristal”. Që prej ditës së sotme, filmi shfaqet për publikun në rrjetin e kinemave “Imperial”.

Muzika e kompozitorit rus Svirido dhe e Çesk Zadesë është riregjistruar në stereofoni, në bazë edhe të partiturave që u siguruan në arkivin e Moskës. Janë përmirësuar gjithashtu zhurmat dhe janë shtuar shumë elemente të munguara, si përplasja e shpatave apo rrëzimi i kuajve. Dublimi është bërë në studion “NGS Recording”, ndërsa për restaurim filmi u dërgua në Itali në studiot e shoqërisë “Augusta Color”.

"Skënderbeu" është një film historik, fryt i bashkëpunimit shqiptaro-sovjetik, mbi jetën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Gjergj Kastrioti bashkon princërit shqiptarë, duke u martuar me Donikën dhe duke organizuar Lidhjen e Lezhës, por përballet edhe me tradhtinë e Hamzait, nipit të tij.

Filmi ka skena masive të betejave historike dhe rrethimit të Krujës. Protagonisti është interpretuar nga Akaki Khorava, në role të tjera, Besa Imami, Naim Frashëri, Marie Logoreci, etj.

Lexo edhe:
Kinema e Shqipërisë
Dhimitër Anagnosti, kinemaja si ndërgjegje