“Tomka dhe shokët e tij” drejt restaurimit - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
Pas "Nëntori i dytë" janë në pritje të restaurimit filmat "Tomka dhe shokët e tij", e më pas "Ballë për Ballë", "Kapedani" dhe "Ngadhënjim mbi vdekjen"

Filmi i njohur i regjisores Xhanfise Keko “Tomka dhe shokët e tij” pritet të restaurohet së shpejti. Edhe pse nuk është ndër filmat e rrezikuar nga degradimi, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka bërë të ditur se, ky do të jetë filmi i dytë i përzgjedhur për t’u restauruar pranë laboratorit të Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center). Përzgjedhja e këtij titulli erdhi pas impaktit që parashikohet të ketë ky film tek publiku ndërkombëtar.

Filmi i parë restauruar “Nëntori i dytë”, pas premierës në Tiranë u shfaq edhe në kinematë amerikane, duke kaluar kështu për herë të parë kufijtë e Shqipërisë.

Pas filmit “Tomka dhe shokët e tij” janë në pritje për t’iu nënshtruar procesit të restaurimit edhe "Ballë për Ballë", "Kapedani" dhe "Ngadhënjim mbi vdekjen". Çdo film i restauruar do të shfaqet më parë në festivalet e filmave dhe pastaj për një publik më të gjerë.