Turistët në Gjirokastër shpenzojnë mesatarisht 50 euro në ditë - Shqiptari i Italisë

Lifestyle
E thotë anketimi i parë i këtij lloji i kryer nga shoqata për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike me 100 turistë të huaj. 57% e të anketuarve qëndrojnë në Gjirokastër 1 ditë, 41% e tyre 2 ditë, ndërsa 2% qëndrojnë në qytet 3 ose më shumë ditë

Tiranë, 6 mars 2012 – Çdo turist i huaj, që viziton qytetin e Gjirokastrës, në jug të vendit, shpenzon rreth 50 euro në ditë gjatë qëndrimit në këtë qytet, rezulton pas publikimit të rezultateve të një anketimi të kryer ditët e fundit në Gjirokastër.

Anketimi i pari i këtij lloji është zhvilluar nga shoqata për Mbrojtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës Historike. Kreu i kësaj shoqate, Sadi Petrela, tha për ATSH se në këtë anketim  janë përfshirë 100 turistë të huaj  jo vetëm nga shtete të ndryshme, por edhe nga kontinente të ndryshme, të cilët kanë vizituar Gjirokastrën.

Pyetjes se sa  keni shpenzuar financiarisht gjatë qëndrimit në Gjirokastër, 61% e të anketuarve i përgjigjen 30-50 euro në ditë, 22 % më pak se 30 euro dhe 17% kanë shpenzuar më shumë se 55 euro në një ditë qëndrimi në Gjirokastër. Kreu i shoqatës për mbrojtjen dhe zhvillimin e Gjirokastrës historike bëri të ditur se një pjesë e mirë e shpenzimeve të turistëve i përkasin blerjeve të punimeve në gur, dru dhe lesh, që përbëjnë një tjetër karakteristikë dalluese të Gjirokastrës.

Pyetje të tjera të këtij anketimi kishin të bënin me kohëqëndrimin e grupeve turistike në Gjirokastër, monumentet e kulturës që preferojnë të vizitojnë, etj. 57% e të anketuarve qëndrojnë në Gjirokastër 1 ditë, 41% e tyre 2 ditë, ndërsa 2% qëndrojnë në qytet 3 ose më shumë ditë.

Sipas statistikave te publikuara nga zyrat e informimit turistik, gjatë vitit 2011 qyteti i Gjirokastrës u vizitua nga rreth 25 mijë turistë të huaj.

Pas publikimit të rezultateve të anketimit Sadi Petrela tha se me një bashkëpunim më të mirë të pushtetit lokal, drejtorisë së monumenteve dhe agjencive turistike, janë të gjitha mundësitë që turistët e huaj të jenë më të shumtë dhe të qëndrojnë për një kohë më të gjatë në Gjirokastrën historike. (ATSh)