Udhëtimi me avion. Asnjëherë më i sigurt se në vitin 2011 - Shqiptari i Italisë

Lifestyle

Siguria ajrore është përmirësuar ndjeshëm vitin e kaluar, me një rënie prej 40% të numrit të të vdekurve në aksidentet e avionëve. Këtë njoftoi instituti britanik ''Ascend'', duke e vlerësuar madje vitin e kaluar si "më të sigurtin" e aviacionit tregtar.

''Në vitin 2011 janë numëruar 25 katastrofa, ku kanë gjetur vdekjen 497 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhesh kundrejt 28 aksidentesh të përgjakshme dhe 828 personave të vdekur në vitin 2010'', bën të ditur ''Ascend''.

''Përqindja e aksidenteve është një rrëzim ndër 1,52 milionë fluturime gjatë vitit që sapo u mbyll kundrejt një aksidenti për 1,3 milionë fluturime gjatë vitit 2010'', shtoi ai.

Mbi këtë bazë, instituti britanik del në përfundimin se 2011 ishte viti më i sigurt, duke ia kaluar 2009-s që shënon një aksident për 1,51 milionë fluturime. Përqindja e aksidenteve për periudhën 2007-2011 është një rrëzim për 1,4 milionë fluturime.

Nëse marrim si referencë numrin e pasagjerëve të transportuar, vitin e kaluar vdiq një pasagjerë ndër 7,1 milionë të transportuar, kundrejt një të vdekur për 3,8 milionë të transportuar në 2010-n. "Këto shifra tregojnë se 2011 është viti më i sigurt, duke përmbysur rezultatin e  2004 kur regjistrohej një pasagjer i vdekur për 6,4 milionë të transportuar", përforcoi ''Ascend''.

"Praktikisht, operacionet ajrore janë dy herë më të sigurta se sa ishin përpara 15 vjetësh", ritheksoi kabineti britanik.

Në 2011, pjesa më e madhe e aksidenteve vdekjeprurëse janë shkaktuar nga operatorë të vegjël lokalë pak të njohur jashtë rajonit ku shërbenin. Kështu, 83 persona, 79 prej të cilëve pasagjerë, kanë vdekur më 8 korrik nga rrëzimi i një avioni ''Boeing'', tip 727-100 të kompanisë ''Hewa Bora Airways'', një shoqëri private kongoleze që transportonte 118 persona, në Kisangani, në verilindje të Republikës Demokratike të Kongos.

Ndër aksidentet e tjera më të rënda mund të përmendim atë të një avioni Boeing 727-200, më 9 janar të kompanisë "Iran Air", në të cilin humbën jetën 78 persona, 69 prej të cilëve pasagjerë. Më vonë, më 20 qershor, 37 pasagjerë dhe 8 anëtarë ekuipazhi kanë vdekur nga rrëzimi i një avioni ''Tupolev'', tip TU134 i ''Rusair''-it.