Shqiptari i Italisë

Sport
Në prag të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena”, në kuadër të eliminatoreve të Evropianit, renditja e disa fakteve historike por edhe të ditëve të sotme japin një ide më të qartë mbi dallimet mes ekipeve përfaqësuese.

1. Federata Shqiptare e Futbollit është pranuar në FIFA në vitin 1932, ndërsa ajo serbe është bërë anëtare e institucionit më të lartë të futbollit botëror që në vitin 1919.

2. Pozicionin më të mirë në renditjen e FIFA-s, të 22-tin, Shqipëria e ka arritur në gusht të këtij viti, pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për t’i dhënë fitoren 0-3 në tavolinë ndaj Serbisë, për sfidën e tetorit të një viti më parë, ndërsa pika më e ulët, që është vendi i 124-t, është shënuar në vitin 1994.
Ndërkohë Serbia pozicionin më të mirë të 10-tin në Botë, e ka arritur në vitin 1998, ndërsa pozicioni më i ulët, i 101, është shënuar në vitin 1994.

3. Golashënuesi më i mirë i Kombëtares Shqiptare është Erjon Bogdani me 18 gola, ndërsa futbollisti me më shumë ndeshje është Lorik Cana me 86 paraqitje me fanellën kuqezi.
Te Serbia si golashënuesi më i mirë i historisë spikat Stjepan Bobek, me 38 gola, ndërsa Dejan Stankovic ka luajtur plot 103 ndeshje, më shumë se çdo futbollist tjetër me Kombëtaren Serbe.

4. Vlera e përgjithshme e futbollistë kuqezi kap shifrën e 34 milionë eurove, ndërsa lojtarët serbë vlerësohen 158 milionë euro.

5. Fitoren më të thellë Shqipëria e ka arritur në miqësore ndaj Qipros në gusht të 2009, me rezultatin 6-1, ndërsa humbjen më të thellë e ka regjistruar me Hungarinë 12-0 në vitin 1950.
Në vitin 1972, Serbia, në atë kohë pjesë e ish-Jugosllavisë, fitoi 10-0 me Venezuelën, ndërsa humbjen më të rëndë e ka pësuar ndaj Cekosllovakisë në vitin 1920 me rezultatin 7-0.

6. Shqipëria i luan ndeshjet brenda në “Elbasan Arena”, që ka një kapacitet 12 800 vende, ndërsa Serbia në stadiumin e Partizanit të Beogradit, që mund të akomodojë 32 719 persona.

Sipas SuperSport