Iniciativa antiraciste në kujtim të Tragjedisë së Otrantos - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali

Dy aktivitete për të mos harruar tragjedinë e Otrantos, një nga episodet më të hidhura e të errata të emigracionit shqiptar.

Ditën e hënë, më 8 nëntor pranë  Officine Culturali Ergot - Via Palmieri Lecce, do të shfaqet dokumentari me titullin Jetoj-Vivo. Vepër e Mattia Soranzo (Lecce) dhe Ervis Eshja (Shqipëri).

Më pas do të zhvillohet një debat me pjesëmarrjen e Ervis Eshja, autor i dokumentarit, Antonio Camusoi, Osservatorio sui Balcani di Brindisi, Av. Piero Coluccia, i Gjykatës së Lecce dhe në lidhje telefonike me Av. Maria Vittoria Baffa, Avokatja mbrojtëse e Familjeve të viktimave.

Ditën e martë, më 9 nëntor në orën 8,30 Rrjeti Antiracist i Salentos do të jetë i pranishëm  përpara Gjykatës së Apelit të Leçes për të evituar që heshtja të përfshijë tragjedinë e Katër i Radës. Me këtë grumbullim dëshirohet t’u shprehet solidaritet të afërmve të viktimave dhe të kërkohet respektimi i të drejtës ndërkombëtare për azil. Është zgjedhur kjo datë sepse pikërisht më 9 nëntor do të zhvillohet njëra prej seancave të fundit të gjyqit.

Në seancën e 25 shtatorit 2010 prokurori i përgjithshëm Giuseppe Vignola kërkoi pafajësinë për komandantin e anijes italiane Sibilla Fabrizio Laudadio dhe konfirmimin e dënimit për Namik Xhaferrin, që shumë dëshmitarë e cilësojnë si drejtuesin e mjeti lundrues shqiptar. Por gjatë seancës së shtatorit avokatja mbrojtëse e Xhaferrit vazhdoi të ngulë këmbë mbi tezën se klienti i saj nuk ka qenë në timonin e motobarkës dhe se dëshmitarët janë vënë nën presionin e hetuesve.

Më 9 nëntor do e kenë radhën avokatët mbrojtës të komandantit Fabrizio Laudadio, i cili ishte dënuar më tre vjet burgim nga gjykata e shkallës së parë më 19 mars 2005.

Për vendimin përfundimtar të Gjykatës së Apelit duhet pritur 21 dhjetori, kur trupi gjykues do të mblidhet pasi të ketë dëgjuar të gjitha palët.

Lexo edhe: Na ishte njëherë një kaike në det...

Appello: Katër i Radës diventi simbolo della tragjedia