Shqiptarët shpërthejnë derën e perëndimit - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali

Verë 1990. Me autobusë fizarmonikë, kamionë Skoda e deri me makina plehrash niste arratia e shqiptarëve. Gjashtë muaj më pas do të zaptoheshin anijet drejt Italisë

Hyrja nëpër ambasada kish filluar më datë 20 qershor, kur autobusi fizarmonikë me targë TR 00301, i drejtuar nga shoferi Bujar Alikaj, ndaloi rastësisht pranë mureve të ambasadës greke. Më pas, më 23 qershor, skoda LIAZ e drejtuar nga Fatos Kaceli shpërtheu portën e ambasadës italiane, ndërsa të nesërmen, rreth orës 18.00, skoda e drejtuar nga Kastriot Mano çau mes për mes murit të ambasadës gjermane duke e shembur e duke lejuar vërshimin e njerëzve. Pas datës 20 qershor deri në 6 korrik ka pasur kapërcime muresh thuajse në të gjitha ambasadat e huaja, ku veçohet kapërcimi i ambasadës turke, me makinën e plehrave. Hyrja nëpër ambasada vazhdoi për ditë me radhë, ndërkohë që policia ishte shndërruar në vëzhguese pasi kishte marrë urdhrin të mos ndërhynte. Keq u shkuan punët atyre që nuk panë më parë flamurin e ambasadës ku po hynin: kubanezët dhe kinezët i dorëzuan në polici ata që guxuan të kapërcenin murin. Ditët në ambasadë ishin ditë pritjeje dhe ankthi. Nata ishte rikthim i maktheve ndërsa njerëz të sigurimit hipnin në kangjella duke shqiptuar kërcënime e mesazhe të rreme si "Arbenit i ka vdekur nëna". Pak vetë nga ata që kishin hyrë dolën. Pas ndërhyrjes të të dërguarit të OKB-së shteti shqiptar u dorëzua dhe pajisi me pasaporta të arratisurit brenda ambasadave. Autobusë të ndjekur nga policia i shoqëruan në Durrës nga ku morën tragetin për në Itali. Do të zbrisnin në Brindizi më 13 korrik.

Lexo edhe:
Ikja që tronditi komunizmin
Në Itali zbarkon një popull fantazmash