Nga “Bregu tjetër i Adriatikut”, solidaritet e promovim të kulturës për Shqipërinë - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali

Solidaritet e promovim kulture për Shqipërinë e vendet e Ballkanit. Është kjo motoja e “l’Altra Sponda dell’Adriatico” (Bregu tjetër i Adriatikut) – një grup ky franko-italiano-shqiptar i lindur në Gjenova, në vitin 2007 e që ka për kryetare gazetaren Angela Valenti Durazzo dhe nënkryetare Daniela Maria De Paola
Nga Albana Temali

 

asa3.jpgSolidaritet e promovim kulture për Shqipërinë e vendet e Ballkanit. Është kjo motoja e “l’Altra Sponda dell’Adriatico” (Bregu tjetër i Adriatikut) – një grup ky franko-italiano-shqiptar i lindur në Gjenova, në vitin 2007 e që ka për kryetare gazetaren Angela Valenti Durazzo dhe nënkryetare Daniela Maria De Paola.
Një shoqatë relativisht e re në moshë, por që me veprimtaritë e saj, të cilat ndjekin dy objektiva kryesore, atë të solidaritetit dhe të kulturës, po afirmohet përditë e si pasojë tërheq vëmendjen e opinionit. E njoha këtë grup në nëntor të vitit të shkuar, në takimin me temë “Roli i gruas shqiptare në dukurinë e mërgimit shqiptar” organizuar në Gjenova në Muzeun e Artit bashkëkohor të Villa Croce, ambient në të cilin pak ditë me parë ishte përuruar edhe ekspozita kolektive figurative me titull “ Shqipëria kaq afër, kaq larg” një bashkëpunim ky mes Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë e Muzeut të Artit Bashkëkohor të Villa Croce dhe nën patronazhin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Liguria. Këto dy aktivitetet shënonin edhe pikënisjen e një sërë iniciativash të ardhshme të lidhura me promovimit e kulturës shqiptare, që me sa kuptuam do të vijojnë në muajt e vijim.
Ndërsa projektet e lidhura me solidaritetin dhe vullnetarizmin mund t’i konsiderojmë më të hershme e të konsoliduara tashmë. Ato u drejtohen kryesisht brezit të ri, fëmijëve të goditur nga sëmundje te rënda apo keqformime që në lindje. Krijimi i një mundësie kurimi në Itali, kur mungesa e strukturave të përshtatshme e në Shqipëri është e ditur. Bëjnë pjesë në këtë kuadër konvencionet që ASA ka arritur të realizojë me shoqata në Tiranë, me qendra mjekësore në Gjenova e me vetë Krahinën Liguria, duke bërë të mundur kurimin e disa fëmijëve shqiptarë. Realizimi i këtyre objektivave natyrisht ka kërkuar dhe frekuentim të shpeshtë në Shqipëri e kjo ka sjellë njohjen më të mirë të realiteteve të ndryshme shqiptare, të kërkesave të tjera, e fusha të reja ku ASA mund të japë kontributin e saj, e kjo është bërë shkak i një tjetër iniciative që ka zënë “vend” si të thuash në jetën e shoqatës dhe përbën prej tre vitesh një eveniment edhe për vetë qytetin e Gjenovës. Është pikërisht mbledhja e dhuratave për fëmijët shqiptarë me rastin e festave të fundit të vitit. Në fund vitin e kaluar numri i konsiderueshme i dhuratave të mbledhura dëshmoi për punën e bërë nga shoqata për sensibilizimin e popullatës por njëkohësisht edhe forcoi bindjen e një projekti që funksionon e që nuk përbën thjesht një demonstrim bamirësie si akt më vete ndaj, por si një aksion social ku protagonistët dërgues e marrës janë të përfshirë edhe në shkëmbim ndjenjash, interes e njohje reciproke. Reflektime të tilla, kur rezultatet janë kaq të dukshme, është e thjeshtë të arrihen, por natyrisht në këto raste pothuaj është detyrim njohja me protagonistët, me iniciativat e tyre të cilat kur kuptohen si të dobishme edhe përkrahen më shumë. Për këtë i kërkuam një intervistë vetë presidentes së ASA-s, gazetares Angela Valenti Durazzo

Intervista

asa2.jpgÇ'objektiva ka ASA?
Si grup kemi dy “shpirtra”: një kulturor (të cilit iu dha “shpirt” në nëntor me takimin "Roli i gruas në fenomenin e mërgimit shqiptar” organizuar në quadrin e ekspozitës “Shqipëria kaq afër, kaq larg” nën patronazhin e Konsullatës shqiptare të nderit në Liguria, në Muzeun e Artit Bashkëkohor të Villa Croce në Gjenova) dhe një shpirt vullnetarizmi e solidariteti. Për këtë të fundit aktiviteti ynë u drejtohet kryesisht fëmijëve shqiptare të pafat dhe të sëmurë. Kemi firmosur një marrëveshje ne si ASA me Shoqatën e Brezave të Tiranës, Institutin Gaslini të Gjenovës e Krahinën Liguria duke bërë të mundur në 2009 të sjellim, të kurojmë dhe të operojmë 5 fëmijë shqiptarë, nën moshën 1 vjeç, që vuanin nga sëmundje shumë të rënda (keqformime kardiake, në zonën e barkut, e sëmundje të enëve të gjakut).

Si lindi ideja e grumbullimit e dërgimit të dhuratave për festat e fundvitit fëmijëve në Shqipëri? Ç’zona të Shqipërisë janë të përfshira në këtë projekt?
Për të tretin vit radhazi organizojmë një mbledhje lodrash të reja ( jo të përdorura) për fëmijët e disa fshatrave shqiptare. Lodrat (vitin që kaloi ASA mblodhi rreth 1.500) transportohen për Krishtlindje me një kamion në Shqipëri dhe dorëzohen nga vullnetarët e Bashkisë Shën Exhidio në praninë tonë si ASA, gjatë një seri festash, shfaqjesh, në shkolla, në fshatra, në spitale. Në veçanti kemi dorëzuar lodrat për fëmijët e Shënkollit, Bregdet, Pllanë (këta të fundit janë fëmijë shurdhmemecë), Torovicë, Malica, Shkëmb i Kuq e të gjithë fshatrat e rrethit të Lezhës.
Pastaj në repartin e onkologjisë, të pediatrisë në Tiranë dhe në disa fshatra të Beratit. Kemi nisur mbledhjen e dhuratave për 2010 dhe këtë vit do të arrijmë të grumbullojmë më shumë dhurata si dhe do zgjerojmë zonat e shpërndarjes.

asa0.jpgKush bashkëpunon e kush mund të përfshihet në iniciativë?
Në këtë iniciativa bashkëpunojnë edhe Biblioteka Berio e De Amicis e Gjenovës. Me pak fjalë, u kërkojmë bashkëpunim kujtdo që dëshiron të kontribuojë e të organizojë mbledhje lodrash qofshin këto në shkolla, shoqata, famulli, apo mes miqve tonë, të telefonojnë në numrin 0033-669271314, të shkruajnë e-mail: gruppoadriatico@yahoo.itIndirizzo e-mail protetto dal bots spam , deve abilitare Javascript per vederlo ose të na kontaktojnë në internet në blogun tonë http://arvalens.skyblog.com apo në facebook te: http://www.facebook.com/l/3ffe6;arvalens.skyblog.com.

Projekti përfshin edhe grumbullim e dërgim mjetesh mësimore për shkollat e nxënësit, aparatesh mjekësore për spitalet po dhe binjakëzim mes shkollave…

Si ASA jemi angazhuar edhe të furnizojmë me mjete shkollore (fletore, lapsa e stilolapsa, ngjyra e mbajtëse penash etj) disa zona të Lezhës: me veshje e këpucë disa institute (fëmijët shurdhmemecë të Pllanës).
Kemi dhuruar një sterilizues për sallën e operimit të spitalit të Lezhës dhe jemi duke mbledhur fonde për të blerë një rrëshqitëse për shkollën e Motrave Pie të Beratit. Në fund, jemi duke organizuar binjakëzimin e shkëmbim eksperience mes fëmijëve të shkollave fillore shqiptare me disa shkolla gjenoveze.

asa4.jpgNga grumbullimi i dhuratave në këtë anë të Adriatikut e te dorëzimi i tyre në anën tjetër të detit, çfarë keni pasur si shpërblim nga kjo eksperience?
Sinqerisht, ne kemi marrë shumë buzëqeshje të bukura, të cilat i sjellim me vete kur kthehemi në Itali. Nuk ekziston fëmijë në bote që nuk bëhet i lumtur kur merr një dhuratë për Krishtlindje, e për ne është shumë bukur të jemi dërgues të një gëzimi sado të vogël. Për këtë porosis të gjithë ato që na ndihmojnë çdo vit të zgjedhim mirë dhurata. Nuk është e nevojshme të jenë të kushtueshme, por të zgjidhen me kujdes e vëmendje, se kjo përbën diferencën në rezultatin përfundimtar. Të kalosh rripin e detit që na ndan me një vend që është kaq afër nesh kulturalisht, për të gjithë ne të ASA-s është gjithnjë një moment i pritur gjatë gjithë vitin, edhe pse unë personalisht shkoj shpesh në Ballkan dhe në Shqipëri. Si shoqatë duam në fakt edhe të japim kontributin tonë që kjo barrierë psikologjike që na ndan akoma, qofte edhe pjesërisht të rrëzohet.

Ku keni gjetur mbështetje për iniciativat tuaj?
Mbështetësit janë Konsullata e nderit e Shqipërisë në Liguria, Komuniteti i Sant’Egidio, Biblioteka Berio e Gjenovës, Biblioteka për fëmijë De Amicis po në Gjenova e pastaj shoqata, ente institucionale, shkolla, dyqane lodrash, por mbi të gjithë janë miqtë e “L’Altra Sponda dell’Adriatico” por edhe persona private që kontribuojnë qoftë edhe me një dhuratë.

Albana Temali