Sergio Staino: “Kur vizitonim Shqipërinë socialiste me grupet marksiste” - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali

Stalinistë të papërkulur të të gjithë botës, bashkohuni. Adhurues të diktaturës të proletariatit, marksistë-leninistë (me vizë në mes) të paepur, luftëtarë të revizionizmit sovjetik e fondamentalistë të partisë komuniste italiane. Të gjithë në Shqipëri. Për të parë arritjet e marksizmit të kulluar dhe stalinizmit të qëruar. Vinjetisti i famshëm italian Sergio Staino, baba i Bobo-s, zëri kritik i së majtës në faqet e Unita-s dhe dhjetëra gazetave italiane, rrëfen se si nga viti 1968 deri më 1978, për dhjetë vjet rresht shoqëronte grupet radikale komuniste italiane në Shqipërinë socialiste. "Grupimi ynë komunist, i ashtuquajtur i linjës së zezë, ishte i vetmi që njihte Enver Hoxhën si lider të komunizmit në Europë. Për shpërblim, edhe Enver Hoxha vetëm në na njihte si bashkëbisedues në Itali" rrëfen Staino, sot marksist i penduar. "Gjithë të tjerët, nga Berlingueri e poshtë, deri te grupet extraparlamentare më ekstremistë, nuk quheshin të besuar". Si i besuar, Staino organizonte qëndrimin e shtegtarëve marksistë që donin të preknin me dorë mrekullitë e socializmit shqiptar. Çdo vit i njëjti program, nisje me traget nga Bari, mbërritje në Budë të Malit të zi, autobus deri në kufirin shqiptar, i cili kapërcehej më këmbë. me valixhet në dorë, përgjatë dy kilometrave të brezit kufitar tokë-e-askujt që ndante Shqipërinë me Jugosllavinë. E pastaj hyrja triumfale në tokën e premtuar, vizita të shoqëruar në fabrika e uzina, kurse mbi mendimin teorik të Hoxhës, takime me zyrtarë të lartë, itinerare kulturore. Me mbarimin e verës, shtegtarët ktheheshin e nisnin veprimtarinë e tyre revolucionare në Itali në pritje të verës tjetër të stazhit komunist. "Mu deshën vite të kuptoj se  në ç'lemeri kisha rënë" thotë sot Staino, marksist i penduar, i përzënë nga Shqipëria më 1978-n për të mos u kthyer më kurrë. Me kthimin në Itali atë vit do të shpikte personazhin e tij më të rëndësishëm të vinjetave, Bobo-n, gjallë e shëndoshë sot si kurrë më parë me thumbat e veta satirike çdo ditë në faqet e para të L’Unità-së.

Intervistoi Roland Sejko

Zoti Staino,  e keni prekur me dorë mashtrimin mbi të cilin ndërtohej sistemi komunist. Duke filluar nga mënyra si ju paraqisnin më mbledhjet e partisë: ju ishit “karikaturisti që e bën borgjezinë të dridhet”...
Sergio Staino: Eh, po. Informacioni në Shqipëri ishte një gjë e veçantë. I shpiknin të gjitha lajmet që i jepnin për të ngrënë popullit. Një herë madje, gjeta një gazetë, ku për të treguar krizën që theksohej gjithmonë të sistemit kapitalist perëndimor, kishin botuar si foto aktuale, pra në vitet '70, një foto tejet të famshme që e njohin të gjithë, të njerëzve në radhë, në Nju Jork në 1929, në momentin  krizës së madhe pra. Një gjë e 1929-ës shitej si të kishte ndodhur 50 vjet më pas. Unë nuk bëja përjashtim nga kjo lloj logjike. Nomenklatura e partisë kishte nevojë t'i paraqiste popullit marrëdhëniet e veta ndërkombëtare, dhe kështu unë isha shndërruar në një karikaturist që çdo mëngjes bënte borgjezinë t'i dridheshin leqet e këmbëve me laps në dorë. Kini parasysh që unë botoja karikaturat e mia herë pas herë në një gazetë që quhej "Nuova Unità" dhe që dilte një herë në javë, dhe jo përditë, dhe që e lexonin në rastin më të mirë 1000 veta, pra imagjinoni ç'frikë më kishte borgjezia!

Ju ishit komunist italian. Përse shkonit në Shqipëri?  Ç’prisnit të gjenit në Shqipërinë socialiste?
U lidha me Shqipërinë gjatë krizës me Partinë Komuniste italiane, sepse unë si shumë të rinj të tjerë, (e jo vetëm të rinj) nuk e pamë me sy të mirë revizionizmin që kishte filluar brenda partisë komuniste, për parimet marksiste-leniniste, dhe rreth zbatimit të tyre veçanërisht në Bashkimin Sovjetik. Duke mbrojtur vlefshmërinë e ideologjisë marksiste-leniniste dhe staliniste, kundër një zbatimi që objektivisht linte për të dëshiruar. Dy partitë që u ngritën në nivel ndërkombëtar kundër këtij revizionizmi, që përshkonte gjithë lëvizjen komuniste, qenë Partia Komuniste Kineze dhe Partia e Punës së Shqipërisë. Të gjithëve na mori vala filo-kineze, sepse natyrisht ishte partia më e madhe, më e rëndësishme, dhe nga pikëpamja e produktit publicistik,  ishte më e pranishmja në tavolinat tona. Por Shqipëria kishte avantazhin që ishte më afër nesh. Kështu që u duk e udhës në atë moment të përmirësonte marrëdhëniet me revolucionarët e vërtetë italianë, që ishin më të bindurit për ndarjen e Partisë Komuniste ortodokse, dhe për formimin e një partie të re që të kthehej në fillesën e saj të shëndetshme staliniste. Ndarja e vitit '66, qe një ndarje e sponsorizuar nga Tirana, nga Enver Hoxha personalisht. Unë në këtë parti hyra më vonë, pas 1968-ës, në '69, dhe për pothuaj dhjetë vjet të jetës sime kam qenë militant shumë i pasionuar, në mes kontradiktash të panumërta, pra m'u desh shumë për ta kuptuar, në ç'lloj vorbulle kisha hyrë.

Thatë se ndarja e 1966-ës, u drejtua nga Hoxha, nga komunistët shqiptarë, brenda partisë italiane?
Po! Kështu ndodhi. Qenë ata që shtynë më shumë për këtë çarje. Qenë ata që vunë në dukje më shumë ndarjen, ftuan menjëherë drejtuesit e partisë në Shqipëri, i nderuan, dhe lindi një miqësi personale midis sekretarit tonë që quhej Fosco Dinucci, dhe vetë Enver Hoxhës.

Si ishte një vizitë tipike e një delegacioni të partisë marksist-leniniste në Shqipëri?
Herën e parë në Shqipërinë socialiste, shkova me një delegacion të vogël, ishim katër italianë, katër drejtues të shoqatës Italia-Albania. Mbërritëm me avion nga Bari, me një fluturim Bari-Tirana, me një Foker që kryente këtë shërbim. Na pritën në mënyrë mjaft të qetë dhe tradicionale drejtuesit e ministrisë së Jashtme, na çuan në hotelin më të bukur të Tiranës, që ishte një hotel i ndërtuar nga Ciano gjatë pushtimit italian, Hotel Dajti. Mbaj mend që na çuan të shihnim gjëra artistike, arkeologjike si rrënoja romake, etj. Ajo që vura re, e ndodhte gjithnjë kështu, ishte vështirësia për të hyrë në kontakt me njerëzit e thjeshtë, vështirësi që diktohej nga fakti që dukej sikur asnjë nuk fliste italisht. Më vonë mora vesh që shumica fliste italisht dhe që shikonte fshehurazi televizionin italian, mirëpo nuk e jepnin veten se dini italisht për të mos krijuar probleme me policinë.

Çfarë ju goditi më shumë në ardhjet tuaja të para në Shqipëri?
Një gjë që më bëri shumë përshtypje: duke vizituar vendin, në disa qytetet më pështynë, dhe unë nuk kuptoja pse. Shoqëruesit më kërkonin falje dhe më shpjegonin se disa të rinj nuk e kuptonin faktin pse mbaja mjekër, pasi në Shqipëri kishte pasur një fushatë të madhe kundër degjenerimit borgjez, që kalonte edhe nga mjekra. Ajo shihej si diçka tipike e priftërinjve ortodoksë dhe myslimanë, që në Shqipëri ishin shpallur të jashtëligjshëm sepse Shqipëria ishte shteti  i parë ateist. Pra kishte ngatërresa të tilla, ndaj më kërkohej t'ua falja.
Ishte ndryshe situata kur shkova në rrugë tokësore, për të shoqëruar disa grupe në Shqipëri duke i rënë Jugosllavia. Ishte një gjë e çuditshme sepse më përpara keqtrajtoheshe nga jugosllavët, kur merrnin vesh se duhet të shkoje në Shqipëri. Në Mal të Zi të vidhnin gjërat, të zvarritnin për arsye burokratike, me pak fjalë na trajtonin sikur të ishim budallenj. Na thoshin: "Ç'do bëni në Shqipëri? E meritoni keqtrajtimin!".
Kurse pasi mbërrinim në Shqipëri duhej të kamufloheshim. Delegacioni që mbërrinte, ndoshta pikërisht për të mos u përsëritur keqkuptimi që kisha pasur unë për shkak të mjekrës, duhet të kishte një imazh që të përkonte me atë që regjimi shqiptar kishte ndërtuar për revolucionarin e vërtetë.

E si  paraqitej ky imazh?
Kishte pankarta në Shqipëri ku tregohej si duhej dalluar një mikroborgjez i degjeneruar. Ai kishte flokë të gjatë, mbante mjekër, mbante xhinse kauboj, kishte këpucë me taka të larta, kishte në një dorë saksofon dhe në një tjetër një revole. Ky ishte portreti tipik, ndaj të gjithë ata që do të hynin me delegacione miqësore, nuk duhet të kishin asgjë të përbashkët me ato pankarta. Për të arritur këtë gjë zbuluam që në kufi kishte një ushtarak rrobaqepës, një ushtarak berber, të cilët merrnin një nga një anëtarët e delegacionit dhe i "rivishnin".
Mua  më rruan mjekrën, por dhe shumë të tjerëve. Madje edhe një partizani napolitan që kthehej në Shqipëri për të parë tokën për të cilën kishte luftuar; edhe me të qenë të pamëshirshëm, ia prenë mjekrën spic që kishte mbajtur për gjithë jetën.
Ata që kishin pantallona kauboj, ua prisnin, ua ngushtonin poshtë duke ua kthyer në pantallona tub të zakonshme. Grave u zgjasnin mini-fundet. Kam parë delegacione marksistë-leninistësh suedezë e finlandezë me flokë shumë të gjatë, si shenjë rebelimi ndaj rregullave perëndimore, dhe me të mbërritur në kufi i qethnin zero sepse duhet të hynin në Shqipëri si marksistë-leninistë sipas stilit shqiptar.
Kjo ishte pritja. Pastaj kishte shumë kontroll nga policia, vështirësi për të shëtitur vetëm sipas dëshirës, vështirësi për të folur me njerëzit, dhe shumë, shumë zhgënjim, kur nëpër fjalimet zyrtare dëgjoje të flitej për disa parime që nuk kishin asgjë të përbashkët me marksizëm-leninizmin, përkundrazi që shpesh i takonin qarqeve të të djathtës më reaksionare, apo madje, madje të Kishës Katolike.

Për ju që keni qenë një ndër të paktët perëndimorë që arrinin të hynin në Shqipëri, si mund të përkufizohet komunizmi shqiptar në vetvete, në këndvështrimin e atëhershëm dhe të tanishmin?
Komunizmi shqiptar, kam zbuluar më vonë, ka bërë një përzierje të çuditshme ndërmjet aspekteve më dogmatike të filozofisë komuniste, pra të "Manifestit të Partisë komuniste" të Marksit, dhe të mendimeve të Leninit, dhe pastaj atyre të Stalinit, por duke i shkrirë me atë ligj të njohur mesjetar të Lek Dukagjinit që ishte në fuqi në Shqipërinë malësore, fshatare e baritore, që bazohej kryesisht mbi trashëgiminë dhe gjakun. Kështu krijonte situata ku elementet e një padrejtësie bazoheshin në përkatësinë në një familje të caktuar, në përkatësinë në një gjenealogji të caktuar.
Kjo mendoj se ishte gjëja më e frikshme që krijonte padyshim situata të trishta. Një herë shkova në Shqipëri me një shok, i ati i të cilit ishte shqiptar, i lindur në 1943-shin në Shqipëri, nga nënë italiane dhe baba shqiptar. Në vitin 1945 e ëma ishte kthyer në Itali sepse i ati ishte zhdukur, kishte vdekur por askush nuk dinte si kishte ndodhur e ku kishte përfunduar. Mikut tim i kishte mbetur dëshira për të shkuar në Shqipëri për të zbuluar kush ishte i ati, çfarë kishte bërë, dhe pse kishte vdekur. Kishte një dyshim. E ëma nuk i kishte folur kurrë për vdekjen e të atit sepse ishte sëmurur rëndë, ishte çmendur plotësisht. Kështu e ndihmova të vinte me ne për të gjetur rrënjët e tij. Dhe shqiptarët na informuan brutalisht se i ati kishte qenë drejtor i një ndërmarrjeje bujqësore shumë të madhe në Durrës nën regjimin fashist, se ishte pushkatuar nga partizanët pasi e kishin marrë natën nga ndërmarrja. Për këtë arsye, mikut tim i thanë se prania e tij në Shqipëri ishte një fyerje për të gjithë martirët e revolucionit, dhe se duhej të largohej nga Shqipëria brenda 48 orësh. Nuk kishim ç'bënim. Unë u përpoqa t'u shpjegoja se ai nuk kishte të bënte aspak me të atin, se kishte ikur nga Shqipëria kur ishte shumë i vogël, vetëm 2 vjeç, se ishte komunist dhe ishte i mirë, bujar... por asnjë rezultat. Fakti që ishte i biri i një fashisti, e bënte pa më të voglin dyshim edhe atë vetë fashist, dhe kur unë u thashë: "Shiko se ky nuk është fashist", ata m'u përgjigjën: "Atëherë do të thotë se i është rebeluar gjakut të tij, do të thotë se ka tradhtuar të atin, dhe si i tillë nuk mund të qëndrojë në Shqipëri". Nuk kishte rrugëdalje sepse kishte dy shtylla mbajtëse: ideologjia dhe gjenealogjia, dhe as gjenealogjia nuk i lejonte të qëndronte aty.

Vijon me Sergio Staino: “Kur vizitonim Shqipërinë socialiste”/2