Statutet e Shkodrës. Nga Venecia në Tiranë - Shqiptari i Italisë

Shqipëri-Itali

Studiuesja italiane Lucia Nadin, mbështetur në materiale të arkivit të Venecias, ka botuar vepra për historinë e Shqipërisë, ndërkohë që është duke punuar edhe për të tjera. Ajo ka sjellë në Shqipëri një kopje të digjitalizuar të “Statutet e Shkodrës”, origjinali i të cilit ruhet në Muzeun Correr të Venecias

Tiranë, 28 Shtator 2011 – Studiuesja italiane, Lucia Nadin, ka sjellë në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, një kopje të digjitalizuar të "Statutet e Shkodrës" nga origjinali në Muzeun Correr në Venecia.

Nadin, e cila ka botuar disa libra për Shqipërinë e periudhës së mesjetës, ka botuar në italisht statutet dhe i ka sjellë ato edhe në shqip, gjatë konferencës së sotme për shtyp në MHK, tha se libri sjell një dëshmi historike për Shqipërinë. "Teksti ka kërkuar vite punë sepse jep të dhëna për historinë e drejtësisë, për historinë e shoqërisë shqiptare, është mjaft i pasur me informacione dhe me anë të tij mund të ristrukturojmë jetën e shoqërisë shqiptare të periudhës së mesjetës”, tha Nadin.

Statutet sjellin gjithçka që ka të bëjë me drejtimin ekonomik, kulturor të qyteteve, flitet për struktura të brendshme administrative të gjykatës dhe organeve të tjera të drejtësisë, për pronën, familjen dhe marrëdhënie të tjera të komunës. “Statutet e Shkodrës” përbëhet nga 279 kapituj, që përcaktojnë me ligj jetën qytetare të Shkodrës, në tregti, bujqësi, artizanat, ndërtim, në marrëdhëniet e pronësisë, si dhe në shumë aspekte të së drejtës civile dhe penale.

E vetmja kopje origjinale e "Statutet e Shkodrës" është në Venecia dhe Lucia Nadin ka sjell një kopje në Shqipëri, nisur nga fakti se studiues të shumtë janë shprehur se nuk mund të njihnin historinë e Shqipërisë pasi nuk ekzistonte një korpus me ligjet që të bënin të njohur historinë e vendit.

"Shqipëria sot kërkon të hyjë në Europë, por Shqipëria ishte e lidhur me të që në shekullin e 14-të, pasi statutet datojnë para 1340-tës”, tha Nadin.

Drejtori i MHK-së, Luan Malltezi, i cilësoi si një dokument madhor të drejtimit të qyteteve shqiptare si komuna autonome nëpërmjet statuteve të tyre. "Është një material me vlerë të rëndësishme për historianët e periudhës së mesjetës dhe për historinë e Shqipërisë në atë periudhë, pasi pasqyron një zhvillim të qyteteve në periudhën e shekujve 13-14-të”, tha Malltezi. Ai tha gjithashtu se MHK do të mendojë për paraqitjen e statuteve në stendat e muzeut për një prezantim dinjitoz si vlera e tij.

Lexo edhe: