Adrian Paci, një nga katër finalistët e çmimit Italia Arte Contemporanea - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
“Emigracioni, identiteti? Më e natyrshme të merresh me to sesa t’i lësh mënjanë”.
Vepra e tij ‘The Visitors’ në MAXXI të Romës nga 27 janari deri më 20 maj 2012

Ka lindur në Shkodër në vitin 1969. Jeton e punon në Milano. Ka zgjedhur si atdhe të dytë Italinë, pasi është larguar nga Shqipëria shumë i ri. Prej fillimit të viteve 90 Adrian Paci jeton e punon këtu , duke sjellë me vete në një valixhe virtuale përvojat e tij prej të huaji.  Shumë nga veprat e tij kanë në qendër statusin e të larguarit, të emigrantit, të individit që reflekton mbi ndjesinë e braktisjes ose të përkatësisë.

Edhe në ‘The Visitors’, veprën e paraqitur për çmimin Italia Arte Contemporanea në MAXXI – finalistët e tjerë janë Giorgio Andreotta Calò, Patrizio Di Massimo e Luca Trevisani  - Adrian Paci prek shumë nga këto tema.

Në video-instalacionin ‘The Visitors’ që sjell për çmimin Italia Arte Contemporanea, mbledh shumë skena jete reale. Pse kjo zgjedhje?

Skenat që përbëjnë ‘The Visitors’ vijnë nga një arkiv me të cilin merrem prej vitesh dhe që përmban video dasmash të filmuara në Shqipëri në fillim të viteve Nëntëdhjetë. Materialiorigjinal është përpunuar dhe  referimi ndaj ritit të dasmës është bërë dytësior, për të nxjerrë në plan të parë forcën vizive të shumë sekuencave që e dokumentojnë. Përmes gjesteve, sjellja rituale e njerëzve prodhon një lloj vënieje në skenë të saj. Nuk më intereson të transformoj në art skena të jetës reale, por dua të zbuloj në to çaste që, bashkë me natyrshmërinë, të kenë një fuqi sugjestionuese që të shtyjnë të reflektosh.

Gjithnjë mbështetesh në tema shumë të forta si emigracioni, nomadizmi, identiteti. I koncepton veprat e tua si “akte” sensibilizimi?

Ti i quan tema të forta por janë vetëm realiteti, pjesë e përditshmërisë sonë. Është më e natyrshme të merresh me to sesa t’i lësh mënjanë. Unë mundohem të mos jem retorik por i ndjeshëm. Nuk prodhoj “akte sensibilizimi”, por nuk shmang të tregoj ndjeshmërinë time ndaj disa tematikave të caktuara. Nuk besoj tek artisti që “di” dhe u tregon atyre që “nuk dinë” diturinë e vet. E konceptoj aksionin e artistit si të ishte ndarje me të tjerë të një pyetjeje, të një habije e të një ndjeshmërie të veçantë që merr formë.

Në veprën tënde trajton “ritin” e shtrëngimit të duarve. Çfarë ke zbuluar në këtë gjest të përditshëm që të meritojë të kthehet në vepër arti?

Është një gjest që me thjeshtësinë e tij shpreh shumë, dhe pikërisht kjo më magjeps. Është një gjest i jetës së përditshme i pranishëm në shumë rituale: nga dasmat deri në ceremoni nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe varrimin. Shtrëngimi i dorës kapërcen shekuj për të arritur deri në ditët tonë.

Elena Bordignon, Vogue

Video instalacionin e Adrian Pacit dhe të tre finalistëve të tjerë të çmimit Italia Arte Contemporanea mund të vizitohen në MAXXI – Muzeu kombëtar i arteve të shekullit XXI, nga 27 janari deri më 20 maj 2012

Shkarko: Adrian Paci, artisti global