Adriana Jasimi{br}Bukuroshja shqiptare që ëndërron botën e modës - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Shpallen 20 finalistet e “Miss Italia në Botë – Edicioni special” që këtë vit i kushtohet bukurisë së huaj në Itali. Mes tyre edhe Adriana Jasimi që “kur të rritet” dëshiron të bëhet modele profesioniste

Adriana është 20 vjeçe, 1,74 m e gjatë, flokë gështenjë e sy të gjelbër. Jeton në Dicomano të provincës së Firences prej 13 jetësh kur ka bërë bashkim familjar me të atin. Ka mbaruar shkollën e mesme për operatorë tekniko-socialë për marketing. Ka marrë pjesë në konkursin “Miss Italia në Botë – Edicioni special” sepse e konsideron një mundësi të pakrahasueshme për të realizuar ëndrrën e saj, të futet në botën e modës.

Tashmë që ka kapërcyer fazën e parë, përzgjedhjen fillestare, me të drejtë mendon për finalen, më 9 shtator, kur në mbrëmjen e parë të spektaklit Miss Italia që transmetohet drejtpërdrejt në RaiUno do të zgjidhet më e bukura mes të huajave në Itali, që bashkë me titullin e më të bukurës dhe admirimin e miliona italianëve do të marrë edhe njëzetmijë euro në kontrata pune. Do të jenë vetëm votat e publikut ato që do të vendosin për kurorëzimin e mbretëreshës së bukurisë mes vajzave të huaja në Itali.

Intervista

Nuk je shtetase italiane por ke jetuar më shumë këtej se në Shqipëri ku ke lindur. Ndihesh shqiptare a italiane?

Shtetësinë italiane shpresoj ta marr së shpejti, por në të vërtetë ndihem sa shqiptare aq edhe italiane. Dua shumë vendlindjen time dhe po aq edhe vendin ku sot jetoj.

Ç’punë bën tani?

Kam mbaruar shkollën e mesme për operatorë tekniko-socialë për marketing dhe punoj si promoter. Punoj edhe si modele për firma jo shumë të njohura por që më kanë ndihmuar të rritem profesionalisht dhe më kanë stimuluar gjithnjë e më shumë për të arritur objektivat që i vë vetes.

Si ndihesh tani që je përzgjedhur ndër 20 më të bukurat?

Përzgjedhjen në Romë më 26 korrik e përjetova me qetësi. Isha gjithnjë vetvetja. Natyrisht jam e lumtur, shumë e lumtur, që u përzgjodha mes njëzet vajzave më të bukura. Akoma nuk arrij ta besoj.

Ç’dëshiron të bësh kur të rritesh?

Dua të punoj për të realizuar ëndrrën time. Do të angazhohem fort e do të mësoj që të bëhem modele. Kam shumë rrugë përpara e shpresoj të jem në lartësinë e duhur për të realizuar shpresat e ëndrrat e mia dhe për të mos zhgënjyer veten e të jgithë ata që kanë besim tek unë.

Dy fjalë për ata që do të të shohin në Miss Italia nel Mondo – Edizione speciale?

Para së gjithash shpresoj të jenë sa më të shumtë ata që do të ndjekin trasmisionin në Shqipëri e Itali. Dua të ndiej fort ngrohtësinë e vendlindjes e të vendit që më ka adoptuar. Shpresoj t’u jem simpatike e të më votojnë sa më shumë në mënyrë që të më ndihmojnë për të realizuar ëndrrat.

Shqiptari i Italisë

{gallery}adriana-jasimi{/gallery}