Agim Sulaj fiton çmimin e parë në konkursin ‘Një karikaturë për Europën’ - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

‘Europa në det të hapur’ e Agim Sulajt, karikatura më e mirë e edicionit të dytë të konkursit “Një karikaturë për Europën”

Romë 9 tetor 2012 – Një çmim i ri u shtohet vlerësimeve të shumta që piktori e karikaturisti shqiptar që jeton në Rimini ka marrë në karrierën e tij të gjatë. Vlerësimin e fundit, për karikaturën e tij “Europa në det të hapur”, e ka marrë në edicionin e dytë të konkursit “Një karikaturë për Europën” që vlerëson karikaturën më të mirë politike të botuar në shtyp gjatë vitit të shkuar. Konkursi organizohet nga Përfaqësia në Itali e Komisionit europian në bashkëpunim me të përjavshmen Internazionale. Karikatura fituese e Agim Sulajt  është botuar në Romagna Corriere më 31 dhjetor 2011.

Agim Sulaj ka lindur në Tiranë në vitin 1960 dhe është rritur në Vlorë. 19 vjeç fiton çmimin e tij të parë në një konkurs satire dhe humorizmi të organizuar nga "Hosteni". Në vitin 1985 diplomohet në Akademinë e Arteve në Tiranë, dhe gjatë shkollës e më pas, punon te "Hosteni", e vetmja revistë satirike kohës, për aq satirë që mund të bëhej asokohe. Trajton gjithnjë tema shoqërore, subjektet e para trajtojnë servilizmin, thashethemet etj. Nuk ka qenë e lehtë të bëje satirë në regjim.

Në vitin 1990 shkon në Ankara të Turqisë me veprën tij "Valixhja e emigrantit" punim i vitit 1989, dhe fiton çmimin special në "Aydin Dogan International Cartoon Competition". Në vitin 1992 hap një ekspozitë Rimini e në vitin 1993 një tjetër në Brindisi.

Në vitet ‘90 merr rrugën e mërgimit dhe vendos të shkojë në Rimini. Fillimisht vetëm e më pas tërheq edhe gruan e djalin e vogël. E që atëherë ka jetuar aty, është vendi ku ka vendosur kavaletën e vet, dhe prej nga ku shkon në të katër anët e botës me pikturat dhe karikaturat e veta. E merr vlerësimet maksimale kudo.

Edhe sot e kësaj dite trajton temat shoqërore në punimet e tij. Padyshim shumë më lirshëm se më parë, por pa rënë kurrë në "karikaturizimin e personit". Vazhdon të kritikojë dukuritë, jo mbartësit.

Në Rimini jeton me gruan dhe dy djemtë. Në Tiranë ka blerë një galeri ku ekspozon gjithnjë veprat e veta.

Në vite ka ekspozuar dhe është vlerësuar jo vetëm në të katër anët e Italisë, por edhe në Greqi, Amerikë, Turqi, Belgjikë, Francë, Azerbajxhan, Kinë, Iran, Hungari, Poloni, Bullgari, Luksemburg.

Apo në Principatën e Monakos ku po ekspozon nga sot deri më 29 tetor krah dy artistësh të tjerë Olivia Boa (Zvicra) dhe Bettina Werner (ShBA).

K.B.