Alban Skënderaj: “Ndonjëherë kthehem” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Gjithmonë mes dy brigjesh. me këmbën që tashmë i rëndon më shumë në  Shqipëri, Alban Skënderaj kthehet në Itali me një koncert. Për të përshëndetur Rjetin e Shqiptarëve në Toskanë.

Rasti i tij ka qenë ndryshe nga shumë këngëtarë të tjerë para tij. Ai është rritur dhe formuar në Itali, si nga pikëpamja personale ashtu edhe nga ajo artistike. Kthehet në Shqipëri pothuajse rastësisht për të marrë pjesë në edicionin e dytë të programit Top Fest të organizuar nga Top Channel. Arrin suksesi i tij i parë, duke u klasifikuar i pari me këngën "Vetëm ty", dhe i prezanton publikut shqiptar këngëtarin, artistin që deri në atë moment ishte i panjohur. Këngët e tij shndërrohen në refren për publikun, sidomos atë rinor, dhe bëjnë që Albani, në bashkëpunim kësaj radhe me grupin kosovar Kthjellu, të fitojë sërish edicionin e Top Fest.  Prej këtu, tashmë ai është një këngëtar i afirmuar dhe merr pjesë në shumë koncerte dhe mbrëmje në Shqipëri, Kosovë dhe vende të tjera. Falë suksesit të tij, Vodafone Albania e zgjedh si testimonial për më shumë se një vit rresht.
Alban Skenderaj
Por surprizat për Albanin nuk mbarojnë këtu. Në vitin 2009 organizatorët i besojnë atij prezantimin e festivalit të këngës në radiotelevizionin shqiptar, prezantim që Albani bën me të fejuarën e tij, këngëtaren Miriam Cani. Albani është një këngëtar dhe artisti suksesi, por që nuk e ka harruar të kaluarën e tij, dhe duke nisur prej këtij viti, ai do të vërë në dispozicion imazhin e tij, duke u bërë testimonial për Rrjetin e shqiptarëve në Toskanë. Ky bashkëpunim filloi me koncertin që ai pati për komunitetin shqiptar të Toskanës, në Firence para pak ditësh, ku dhe e kemi intervistuar.

Bota Shqiptare: Lindur në Shqipëri, ke ardhur në Itali kur ishe akoma i vogël, dhe je rikthyer përsëri në Shqipëri për të kënduar, ndërkohë që tani jeton ndërmjet këtyre dy vendeve. Si është historia?

Alban Skënderaj
: Unë kam lindur në Lushnjë, sepse im atë ishte atje me punë në atë periudhë, dhe më pas kam jetuar gjithnjë ne qytetin tim, në Vlorë. Kur isha 14 vjeç kam ardhur në Itali dhe kam filluar studimet në një shkollë hotelerie turizmi, për të zbuluar që ndoshta nuk ishte ajo që doja të bëja në jetë. Muzika ka qenë gjithnjë pasioni im, dhe kam filluar pikërisht në Toskanë. Kitara është pasioni im, dhe hapat e para i kam hedhur duke mësuar kitarën. Gradualisht pastaj kam bërë muzikë me disa grupe lokale dhe kemi pasur performanca live në disa lokale të zonës. Muzika është pasion dhe kjo ka qenë dhe shtysa për mua që të merresha me muzikë. Fillimet natyrisht kanë qenë në nivel amatorial.

Suksesi yt përkoi me kthimin në Shqipëri, ndryshe nga shumë që e kërkojnë fatin duke ikur nga Shqipëria. Si ndodhi?

Kthimi në Shqipëri ka qenë i rastësishëm. Prindërit e mi kishin shumë dëshirë që unë të bëja diçka muzikore në vendin tim. Fillimisht unë nuk e njihja evenimentin TOP FEST, pasi jetoja në Itali. Kisha dëgjuar shumë të flitej për të dhe për faktin se ndiqej shumë nga publiku i ri. Atëherë vendosa të konkurroja dhe unë me një këngë, dhe fitova vendin e parë me këngën "Vetëm ty". Publiku e priti me të vërtetë mirë këtë këngë të shkruar dhe orkestruar prej meje. Mendoj se mekanizmi i këtij festivali i lë me të vërtetë hapësirë të rinjve që të dallohen dhe të kenë mundësinë që të shpalosin vlerat e tyre për publikun. Suksesi im me të vërtetë filloi me rikthimin në Shqipëri dhe debutimin në skenat shqiptare, ndoshta kjo tregon se çelësi i suksesit qëndron në elasticitetin dhe dinamizmin e njerëzve, sepse eksperienca mund të bëhet thesar dhe të të hapë porta të pa imagjinueshme.

Si e influencon karrierën dhe stilin tënd fakti i të qenit ndër dy kultura, asaj shqiptare dhe asaj italiane?

Kjo me siguri është një pasuri për mua, sepse më lejon të kem më krijimtari, qoftë edhe për faktin e thjeshtë të zotërimit të gjuhëve. Aktualisht unë jam shumë aktiv në Shqipëri, Kosovë por edhe në Maqedoni, Greqi. Këto vende më kanë dhënë shumë nga ana emocionale por edhe profesionale që mund të marrë një artist.

Përveçse këngëtar, ti vjet ke prezantuar dhe Festivalin e Këngës në radiotelevizion, akoma një nga evenimentet më të rëndësishme simbolike në Shqipëri. Si e ke përjetuar këtë eksperiencë? Ishte më emocionues roli i këngëtarit apo ai i prezantuesit?

Për mua ka qenë një eksperiencë shumë interesante dhe në të njëjtën kohë me shumë përgjegjësi. Të drejtosh një festival që në Shqipëri është traditë prej më shumë se 50 vjetësh është diçka emocionuese. Më ndihmoi fakti që bashkë me mua ishte dhe e fejuara ime Miriami. Për të ishte akoma më e vështirë, pasi iu desh shumë punë dhe me shqipen, duke qenë se jeton ne Gjermani prej një moshe shumë te vogël. Mendoj ama se vajti shumë mirë, edhe për faktin se publiku perceptoi emocionin tonë dhe të qenit jo profesionistë të prezantimeve, por këngëtar. Unë jam këngëtar dhe i tillë ngelem. Le ta quajmë eksperiencën e prezantuesit si të tillë, pra vetëm një eksperiencë, edhe pse shumë emocionunese, sidomos kur prezanton këngëtarë që janë miq dhe kolegë të tutë.

Ti je i lidhur sentimentalisht me Miriam Canin, edhe ajo me një histori të ngjashme me tënden, pasi ka ikur nga Shqipëri me familjen drejt Gjermanisë në një moshë fare të vogël. Në një Evropë tashmë të bashkuar dhe pa barriera si e jeton ti këtë gjë kur jeni në Gjermani dhe ajo kur vjen në Itali?

Dallime ka shumë ndërmjet konteksteve, por ndoshta ne e jetojmë këtë situatë në mënyrë shumë të natyrshme për vetë faktin se kemi eksperiencë të ngjashme, dhe e ndiejmë veten qytetar evropianë, të hapur ndaj diferencave, që ndoshta janë edhe pasuria jonë më e madhe.

Është hera a parë që jep një koncert në Toskanë? Çfarë dallimesh mendon se ka në krahasim me një koncert të dhënë në Shqipëri apo në vende të tjera?

Kam pasur kënaqësinë të jap koncerte në Milano, Romë e disa qytete të tjera italiane, por është hera e parë që po jap një koncert live në Firence. Për mua ky debutim zyrtar në skenën e qytetit prej ku kam nisur hapat e mija të para muzikore, ka një rëndësi dhe ngarkesë emocionale shumë më të madhe se herët e tjera. Është diçka e veçantë. Çdo koncert është një eveniment më vete, dhe emocioni ekziston gjithnjë. Zakonisht publiku jashtë Shqipërisë është shumë më i "nxehtë" sepse koncerti është edhe një arsye për tu mbledhur me komunitetin.

koncerto firenzeRrjeti i shqiptarëve në Toskanë të ka zgjedhur si testimonial, si  e vlerëson këtë dhe sa i lidhur ndihesh akoma me Toskanën?

Ka qenë një zgjedhje reciproke, dhe kjo gjë më ka kënaqur jashtë mase. Unë e ndiej veten pjesë e komunitetit shqiptar që jeton në Toskanë dhe njëlloj si shumë të tjerë, na bashkojnë eksperiencat. Kontributi im është shumë modest, por idetë dhe projektet e rrjetit do më shikojnë të interesuar dhe angazhuar në vazhdimësi me aq sa të mundem.
Më bëhet qejfi edhe sepse brezi i dytë i shqiptarëve, fëmijët e atyre që kanë emigruar në vitet 90 dhe që sot janë rinia e këtij vendi, janë aktiv, kanë ide dhe projekte të mira. Një nga gjërat që më pëlqen më shumë është edhe dëshira e madhe nga një anë për një integrim të plotë në shoqërinë italiane, dhe nga ana tjetër një kujdes për mos harrimin e traditës dhe kulturës shqiptare.

Albani natyrisht nuk është vetëm kaq. Projekte për të ardhmen e afërt?

Aktualisht po punoj në një album që do jetë italisht, pasi po mundohem që bëj hapin e rëndësishëm të hyrjes në skenën muzikore italiane, gjë që do më lejonte të rritesha akoma më shumë edhe nga ana profesionale. Përveç kësaj unë ndihem edhe pjesë e muzikës italiane, sepse ka qenë pikërisht kjo muzikë që më ka frymëzuar fillimisht. Natyrisht unë sjell në të dhe influencën e të qenit shqiptar, ballkanas. U bënë pothuajse 2 vjet që po punojmë për këtë album, dhe kjo është ndoshta edhe forca e tij, sepse po zhvillohet dhe po merr formë në një kohë të mirë. Përveç aspektit muzikor e shoh këtë album edhe si një formë inkurajimi të talenteve shqiptare që çdo ditë përpiqen të dallohen në kontekstin italian. Në koncertin e Firences prezantuam për herë të parë një video klip nga ky album. Njëkohësisht po punoj edhe për një album në shqip, po aq të rëndësishëm, që pritet të dali verën e vitit që vjen.

Ismail Ademi, Firence - botuar në Bota Shqiptare 247