Ali Veliu, medalje ari dhe rubini nga AVIS. Dhuron gjak prej 25 vitesh - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Kryesia e shoqatës AVIS së Trescore Balneario vlerëson kontributin e tetovarit: “Dëshmon se si komunitetet e huaja gjejnë mënyra dhe guxim për t’u integruar më së miri në shoqërinë italiane, pa marrë parasysh përkatësinë fetare dhe etnike. U bëjmë thirrje të gjithëve, veçanërisht të rinjve, të ndjekin shembullin e Aliut”.
Nga Avni Osmani

Mbrëmjen e 26 shtatorit, Shoqata italiane e dhuruesve vullnetarë të gjakut, AVIS, me seli në Trescore Balneario të Bergamos ka dekoruar me medalje ari dhe rubini shqiptarin nga Tetova Ali Veliu, për kontributin vullnetar dhe human si dhurues gjaku mëse 80 herë.

Përvjetori i 60-të i shoqatës Avis sivjet ka pasur surpriza nga më të ndryshmet. Të ftuar nderi, veteranë, familjarë, miq, anëtarë dhe dhurues gjaku kanë stërmbushur sallën e teatrit dhe kinemasë së Trescores. Të gjithë të emocionuar, nga ai që për herë të parë jep gjak e deri te ata që kanë mbi supe dhjetëra e qindra donacione; të gjithë të bashkuar nga ndjenja fisnike e dashurisë për njëri tjetrin.

Gjatë dhënies së medalieve, emocionues ka qenë momenti kur nga foltorja përmendet emri i një shqiptari nga Maqedonia, i vetmi shqiptar me shtetësi italiane.

Kryesia e shoqatës dhe komisioni ka përshëndetur kontributin e Aliut duke theksuar se “dëshmon vullnetin e lartë dhe mundësinë se si komunitetet e huaja gjejnë mënyra dhe guxim për t’u integruar më së miri në shoqërinë tonë italiane, pa marrë parasysh përkatësinë fetare dhe etnike. U bëjmë thirrje të gjithëve, veçanërisht të rinjve, që të ndjekin shembullin e Aliut”, ka deklaruar kryetari Giovanni Lorenzi.  Fjalë të ngrohta mirënjohjeje për donatorët pati edhe nga kryetarja e komunës së Trescore Balneario, Donatella Colombi.

Kush është Ali Veliu

Ali Veliu nga Pallatica e Tetovës tashmë mban në duar medaljen prej ari dhe rubini. Para pesë viteve po në të njëjtën sallë ai u dekorua me medaljen e artë. Medalja prej ari dhe rubini jepet për ata njerëz që kanë mbi supe të paktën 80 dhurime gjaku si dhe 15 plazma të gjakut. Ali Veliu, tashmë, i ka arritur këto shifra. Kjo dëshmon përkushtimin dhe seriozitetin e tij në fushën e humanizmit dhe solidaritetit, që në moshë të re. Që nga koha kur ai jetonte dhe punonte në vendlindje si arsimtar, dëshira dhe gatishmëria për t’u ardhur në ndihmë njerëzve e veçanërisht atyre që kishin nevojë për gjak ka qenë gjithnjë e madhe. Në këtë aspekt flet vetë anëtarësimi i tij në shoqatën e dhuruesve të gjakut në Maqedoni, ku ka regjistruar një numër të madh gjakdhëniesh, në kryqin e kuq të Tetovës mbi 15 herë, “traditë” që më pas do ta vazhdojë edhe në Itali.

26 vite në Itali, 25 vite anëtar shoqate dhe dhurues gjaku. Thirrja e tij: “Dhuroni gjak, shpëtoni jetë”

Pyetjes se cila është arsyeja që jep gjak dhe çfarë e ka motivuar gjatë këtyre viteve, Aliu përgjigjet:
Në Itali jam që nga viti 1989. Si të gjithë shqiptarët edhe unë rrugën e mërgimit e kam marrë për të përmirësuar gjendjen ekonomike dhe materiale të familjes, mirëpo edhe pse kisha një bagazh prej mësimdhënësi në Tetovë, prapëseprapë dëshira për t’u integruar në shoqërinë evropiane ka qenë e jashtëzakonshme.
Gjeta një vend pune, mësova gjuhën, ndiqja sportin, aktivitetet kulturore etj. dhe dhurimi i gjakut më mundësoi që të integrohem më së miri në shoqërinë Italiane.
Tanimë jam anëtar i regullt i shoqatës AVIS prej 25 vitesh dhe ndihem krenar. E ndiej veten shumë mirë kur dhuroj gjak. Më motivon dëshira për jetë, veçanërisht, shpëtimi i jetës personave që nuk kanë se ku ta gjejnë burimin vital, gjakun. Gjaku është dhuratë nga Zoti dhe si i tillë ai nuk blihet por dhurohet
”.

Mesazhi për të gjithë bashkatdhetarët tanë që jetojnë e në Itali dhe gjithandej Evropës? Humanisti Ali Veliu me modesti përgjigjet: "Momentalisht jeta është bërë mjaft dinamike dhe e vështirë, secili prej nesh është i prirur pas punës dhe ekzistencës. E megjithatë, njeriu që do, gjen kohë për të bërë vepra të mira, akte humane etj. Dhuroni gjak, shpëtoni jetë. Mendoni që, pikërisht falë gjakut tuaj, një i sëmurë apo i aksidentuar do të vazhdojë jetën".

Lexo edhe: Dhuro gjakun, shpëton një jetë e mbron shëndetin tënd