Aliu, nga Monterotondo në Pallatin e Qelqtë të OKB-së në Nju Jork - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Ali Myftiu, 17 vjeç, në mars ishte mes të rinjve të përzgjedhur në Itali, për të marrë pjesë në simulimet diplomatike të organizuara nga OKB. I lindur në Itali, por me një shqipe të rrjedhshme e të pasur, Aliu është ndër më të mirët e liceut e ushqen pasion të veçantë për pianon, në të cilën është diplomuar në Santa Cecilia të Romës. “Kur të rritem, ende nuk e di ç’do të bëj. Por një gjë është e sigurt do të emigroj, në Itali nuk vlerësohet meritokracia”. Për ligjin mbi shtetësinë italiane që ende nuk ka thotë prerazi “Është i mbrapshtë”

Si çdo vit, edhe marsin e shkuar rreth 3 mijë të rinj nga e gjithë bota u përzgjodhën për të shkuar në Nju Jork, në selinë e OKB-së, për të marrë pjesë në “Model of United nations”, M.U.N., që nuk është tjetër veçse konferencë në të cilën bëhen simulime të marrëdhënieve diplomatike. Një takim i organizuar nga Kombet e Bashkuara për të rinj të shkollave të mesme që masin forcat e tyre në negociata mes vendeve, punë tipike e OKB-së.

Italia çoi rreth 300 nxënës e mes tyre, nga Liceu shkencor Giuseppe Peano i Monterotondo-s (provinca e Romës) edhe 17-vjeçari shqiptar Ali Myftiu. Aliut e kolegëve të tij u ishte caktuar të shkonin si përfaqësues diplomatikë të Tunizisë. Propozimet e tij, të pranuara me 92% të votave, bënë përshtypje të veçantë tek organizuesit e M.U.N. që i kanë propozuar të jetë në grupin organizues të projektit për vitin e ardhshëm.

Si ishte eksperienca njujorkeze, Ali? “Ishte një gjë krejtësisht e re për mua dhe shumë interesante. Rreth 3 mijë të rinj, vumë përballë njëra tjetrës propozime nga e gjithë bota, mbi çështje e probleme që shqetësojnë vende të ndryshme, dhe votonim ato që na dukeshin zgjidhjet më të mira. Ishte një provë e mrekullueshme në fushën e diplomacisë”.

I lindur në Romë, më 25 dhjetor 1994, me prindër shqiptarë që jetojnë këtu prej shumë vitesh, Ali është nxënës i shkëlqyer, ndër më të mirët e shkollës së tij. “Po, po – thotë – Vitet e fundit kam marrë maksimumin e krediteve”. Por nuk  është nga ata që mësojnë nga mëngjesi në darkë e të tregon sekretin e tij: “Mjaft të mësosh çdo ditë, rregullisht, pa lënë asgjë pas dore. Edhe ditët kur nuk kam asgjë për të bërë, bëj diçka për ditët në vijim, kur e di që jam më i ngarkuar. Kështu çdo ditë mësoj por kam edhe shumë kohë për të bërë gjëra të tjera joshkollore. Më pëlqen të dal me shokë, të shkoj të shikoj një film në kinema”.

Në fakt, Aliu ka edhe shumë interesa të tjerë. I pëlqen IPad, por edhe kirurgjia, biorobotika, të shkruarit. E në veçanti pianoja. “Dashuria për pianon më ka hyrë që i vogël. Kam pasur fatin të kem lindur në një familje instrumentistësh: babai im, Ylli, është violençilist profesionist, në Shqipëri ka qenë për 15 vjet në orkestrën e Operës së Tiranës. Ndërsa ime më, Suela, edhe pse inxhiniere, i bie shumë bukur pianos, pa qenë pianiste profesioniste”. Dhe pasionin e ka çuar përpara: “Kam studiuar privatisht, madje për dy vjet me mjeshtrin Aleksandër Gashi. Para dy vjetëve edhe jam diplomuar në Konservatorin e Santa Cecilias”. E kur e pyet nëse mendon të vazhdojë studimet akoma në piano, të thotë duke qeshur “Pianos do t’i bie, por dua të studioj edhe të tjera gjëra”, si për të të thënë se dëshiron të bëjë studime “më serioze”.

Po çfarë studimesh do të bëjë nuk të kthen një përgjigje të saktë: “Kam akoma kohë për të zgjedhur. Nuk di as ku do të studioj, njëherë mendoj të shkoj jashtë shtetit, njëherë them të studioj në Itali. Një ditë them Columbia University e të nesërmen në Pisa, një ditë mendoj të shkoj në Oxford e pastaj mendoj për në Milano, apo Firence. Me një fjalë nuk e di akoma”.

Prindërit e tu kanë emigruar, e ty të pëlqen të qëndrosh në Itali? “Italia është vend i bukur por ka një të metë: nuk vlerëson meritat e individit. Jam i sigurt që do të provoj të emigroj edhe unë” thotë i bindur.

Mendon ta provosh në Shqipëri? “Nuk e besoj. Shkoj rregullisht në Shqipëri me pushime me prindërit, por kur të dal në jetë dua të provoj botën” përgjigjet. Dhe kur i vë në dukje që flet shumë mirë shqip, madje në dialektin e Tiranës, falënderon duke thënë se është meritë e faktit që në shtëpi flasin vetëm shqip. “Por unë kam pak vështirësi në të shkruar” shton menjëherë.

Aliu është pjesë e të ashtuquajturit G2, brezit të dytë i emigrantëve, për të cilët kohët e fundit po diskutohet shpesh lidhur me shtetësinë. As ai nuk e ka shtetësinë italiane: “Kam lindur këtu, kam jetuar këtu, dhe këtu jam formuar. E megjithatë për ligjin konsiderohem i huaj. Sipas meje ky ligji italian i shtetësisë është i mbrapshtë!” thotë pa mëdyshje.

A të ka krijuar ndonjë problem? “Po. Për shembull, tani që shkuam në Amerikë: mua m’u desh të merrja vizë e e prindërit e mi paguan një tufë para”.

E meqë të bëjë propozime, edhe në nivel të lartë ndërkombëtar, është mësuar tashmë, për modifikimin e ligjit të shtetësisë i ka idetë e qarta: “Nuk them që shtetësia italiane t’u jepet kujtdo që kalon këtej, por padyshim të gjithë atyre që lindin e studiojnë në Itali”.

Shqiptari i Italisë