Anilda Ibrahimi tregon "E kuqe si nuse" në Parma - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Ishte një ftesë e thjeshtë, që Elvira Lika emigrante në Parma, më bëri të njihesha dhe të mund të lexonja librin e Anilda Ibrahimit “ Rosso come una sposa”. Nuk e kisha lexuar më parë, as që e njihja si shkrimtare, shumë gjëra lidhur me sjelljen dhe zakonet tradizionale të jugut të Shqipërisë që pasqyrohen në këtë libër, që unë edhe se shqiptare  nuk i njihja, hapin dhe mbyllin kapituj që të rrëshqasin tutje menjëherë. Nuk kisha dijeni as të faktit që shumë lexues italianë, e duan këtë autore shqiptare, e adoptuar nga Roma, ishin të interesuar në një takim të bukur me të si në ambiente bibliotekash ashtu edhe nëpër shkolla.
Është shembulli i qytetit të Parmës dhe dëshira për të treguar dhe njohur në një tjetër optikë gruan shqiptare. Lindi kështu aktiviteti kulturor i shoqatës “ Scanderbeg” për t’u përfaqësuar, ide e shtyrë nga adhurimi i shumë grave shqiptare dhe jo, nëpërmjet rreshtave të këtij libri. Sipas mendimit tim origjinal dhe i lehtë për tu tretur përgjatë leximit. Një gërshetim historish të jetuara, në familjet që në pamje të parë dukeshin patriarkale por me një elikë flake të një motori jetese thellësisht femëror.

- Si ajo vello e nuses që nuk ndiqet aq me vëmendje nga njerëzit që janë përreth …sepse “ fustani” është më i rëndësishëm…kështu është mesazhi?
- “Kam dashur të tregoj klanin e grave që udhëhiqnin, në jetën e familjeve,  aty ku meshkujt bëheshin në rolin e tyre gjithnjë edhe më të padukshëm – thotë Anilda – jo jetën e vuajtur të grave të keqtrajtuara! “.

Mbërrin me thjeshtësi, me të njëjtën thjeshtësi me të cilën hapet dhe romani i saj.
Ka në prehër djalin  katër muajsh, bisedojmë në një qoshe të sallës që është përgatitur për debatin letrar, e ulur duke i dhënë gji fëmijës. Më flet për veten, për familjen e bukur dhe tre fëmijët e saj. Për adoleshencën e vajzës 15 vjeçare. Si mundohet ta kuptojë duke e “ përgjuar” pas shpatullave të rinisë që e lidh ekzistencën qoftë edhe me facebook. Për vështirësinë e komunikimit nënë-vajzë sot, për një hallkë që mungon apo është këputur nga koha që femra nuk ka më sot si dje, nga jeta shoqërore, që dikur në thjeshtësinë e  “monotonisë” ka qenë më e fortë.

- “Nuk dua të jem si ato persona që thonë ishim më mirë kur ishim më rëndë” – më thotë qetësisht.

Flet për veten Anilda. Për librin do të kishte të gjithë kohën pranë asaj tavoline me një buqetë të mrekullueshme mimozash dhe trëndafilash të kuq që e priste.
Pak më tutje, notat e Vivaldit provoheshin në violinë, sonata e dimrit. E ftuar tjetër, e rastit,  violinistja Ornela Koka. Në të njëjtën mënyrë edhe ajo, nënë dhe artiste, me vajzën e saj të vogël gjashtë vjeçare, që e shoqëronte pa u mërzitur me dashuri të brishtë.
Mendoja, ndërkohë që flisja me dy të ftuarat,  këto gra jetojnë në përmasën e njeriut  që njeh jetën nëpërmjet një bindjeje etike të të pasurit të një roli të rëndësishëm, që rrjedh jo shumë nga rregullat që bota dhe shoqëria vendos apo imponon mbi ne, se sa nga rregull që vetë ne gratë stabilizojmë mbi jetën tonë.
Kështu ky mars gruaje çeli pranverën pranë Biblotekës Internacionale të Parmës me takimin e shumëpritur nga lexuesit italianë parmensë, të hapur nga tingujt e partiturave të Vivaldit, nga një ekspozitè pikturash me piktoren Elona Marika dhe me dëshirën e të qenit të pranishme, si kujtesë femërore, nga “Rosso come una sposa”.
- “Për të shkuar drejt të ardhmes duhet të njohim të gjitha historitë tona – fillon Anilda duke folur me moderatoren e  mbrëmjes Elide La Vecchia – ekzistojnë fragmente historie në këtë libër, i kam vënë me qëllim, nuk ka qenë një kufizim kjo e veçantë. Fragmentet thërrasin të kaluarën tënde dhe të sjellin nostalgji. Për mua janë fraktura që nuk shërohen asnjëherë, që krijohen pas një kurbeti, nuk them emigracioni sepse fjala kurbet më tingëllon më ëmbël …. është më poetike. I kam gjithmonë me vete, në një sirtar, këto fragmente jete të copëtuara që mund edhe të më shërbejnë por nuk do të shërohen kurrë!”
- “Kam kaluar fëmijërinë midis grave…  Një gjë e kam ditur qysh në fillim: që nuk do të kisha pasur një jetë ndjenjash të lehtë, me gjitha këto femra në familje.
Gratë mund të të ndihmojnë në zbulimin e botës të të mëdhenjve, por mund edhe të të dëmtojnë. Kush ka jetuar në fis me numër të madh grash me siguri e kupton për çfarë po flas" tregon një nga personazhet e librit.
Kush nga ne nuk shëmbëllehet në këto rreshta?
- “Jam shumë vetironike si natyrë, një humor i zi që më pëlqen shumë. Ironia më shpëton gjithmonë edhe në çaste të vështira".

Ecuria e saj si autore nis  në vitin 1995 në mos gaboj, në një përmbledhje në gjuhën amtare me poezi. Nuk e kishte menduar asnjëherë të shkruante një libër. Shkruante poezi sepse ishte dembele!
- “Kam menduar përpara të krijoj një familje. Pastaj pas dhjetë vjetësh pushim desha të thelloja më mirë aftësinë time në gjuhën italiane për të provuar një ditë”.
Pikërish, i shkruar origjinal pa ndryshim ashtu si është, lindi kapitulli i parë i librit: “Erdhi në një mëngjes shtatori, në një stinë pjellore, kur shiu vononte të binte. Është e veshur në të kuqe. Si gjaku. Si një sakrificë humane e dhënë si dhuratë nga perënditë për të parashikuar shiun” Më duhej t’ia jepja për të lexuar ndokujt tek i cili kisha besim, ndokujt që më njihte mirë. E kujt se jo bashkëshortit tim?! Sqaroj,  ai nuk bënë pjesë në botën e letërsisë, është nëpunës shteti për këtë jam me fat – buzëqesh  me vetironi – sepse kështu ka kush mendon për bukën e përditshme të familjes dhe unë mund të kënaqem pak me shkrime”.
“E ke shkruar mirë, është një tregim i vërtetë, e ke shkruar me dashuri!” – pak fjalë që më hidhnin në një sfidë të panjohur por gjithmonë të dëshiruar për mua. Më mjaftonte ajo frazë “e ke shkruar me dashur” për të marrë në dorë kapitullin e parë që për katër muaj mori formën e një libri të vërtetë dhe për të cilin flasim tani. Nuk di, mendoj nganjëherë, ndoshta duhet t’i kisha dedikuar më shumë kohë, apo ndoshta ishte e drejtë të hidhja të gjithë grumbullin e ideve e të mendimeve letrare të përmbledhura në shënime jete, prej vitesh brenda meje”.

Historitë tona janë të treguara, bëjnë pjesë tek një kulturë gojore në gjuhën shqipe, si ndihesh ta hedhësh atë në letër nëpërmjet një gjuhe tjetër?
-“Jam ndier si çdo person me gjuhën e vet. Përjetohen shumë jetë kur mendon në gjuhë të ndryshme. Për momentin, mbas kaq vitesh, këtë jetë e ndiej timen.
Ia tregova tim shoqi kapitullin e parë edhe për këtë arsye, ai më tha se e kisha shkruar shumë mirë. Atij i besoj, sepse ka një kulturë të gjerë. Nuk e duroj retorikën. Gjuha shqipe e ka atë. Kur e ndjeva veten të bindur e dërgova dorëshkrimin në shtëpinë botuese “ Einaudi”. M’u përgjigjën brenda 20 ditëve për një kontratë në Torino. Synova në një shtëpi botimi të rëndësishme. Ndoshta do të kishte qenë më mirë të kërkoja një nga ato të kategorisë së dytë. Ndoshta mendjemadhe si ide!
“Të befasosh vetveten është gjëja më e vështirë në këtë botë, me të tjerët na ndodh gjithë kohës. Unë u befasova nga vetvetja, pasi më erdhi ajo përgjigje e shpejtë. Çdo njëri nga ne ka botën e tij!”

Libri i dytë “I stracci del tempo”,  “Rreckat e kohës” ishte në formë shënimesh, për këtë kam grumbulluar shumë histori, nuk kishte rëndësi kujt i dedikoheshin. Dhembja është e njëjtë për të gjithë.

- Titullin e librit si e keni gjetur?
“Është në modë e kuqja, shikoj nëpër vitrina ka shumë veshje të kuqe. Jam shumë direkt dhe për këtë komentoj kështu sot. Është e vetmia ngjyrë që i përket dashurisë së atyre grave të padashuruara nga burrat, e kuqe si gjaku, si toka, si tradita. Kam dëgjuar një këngë të Sting….se edhe rusët do të donin fëmijët e tyre…thoshte ai. E se shqiptarët do të donin fëmijët e tyre…titull provokues…Botuesia më dha një këshillë qè një roman nuk duhet të ketë një titull provokues. Ndaj “Rosso come una sposa” (E kuqe si një nuse) ishte i përkryer! Ka dalë këto kohët e fundit në gjermanisht dhe në gjuhë të tjera. Në shqip akoma jo.

- Shkrimtarë për të treguar?
Italo Calvino!
Për të mësuar gjuhën italiane do të më duhej një libër i thjeshtë ai r Susanna Tamaros, “ Shko, ku të dërgon zemra”. Mbasi e kam lexuar, kisha italishten në dorë. Italo Calvino, është ai që më drejton në perfeksionimin tim gjuhësor. Shkrimtarë shqiptarë, pavarësisht nga mënyra e tij personale e të menduarit, por thjeshtësisht për vlerën e madhe që ka si romancier, publicist figurë komplete artistike, preferoj Ismail Kadare.

Anila Kadija, Parma

Lexo edhe:

Anilda që rrëfen plagën tonë

Anilda Ibrahimi: “Italisht, por me temë shqiptare”