Anilda që rrëfen plagën tonë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë


Një tjetër shkrimtare shqiptare hyn me këmbë të rëndë në botimet italiane. Anilda Ibrahimi , poete, prej vitesh në Romë, vjen me shtëpinë e madhe botuese Einaudi me romanin e saj të parë. “Rosso come una sposa” është shkruar në italisht, por është një roman tërësisht shqiptar, që krijon epicitet me personazhet e veta në gati një shekull histori të një familjeje në një fshat të Labërisë, e me ta, të gjithë Shqipërisë. Nëpërmjet vorbullës pa fund të ngjarjeve që sillen rreth Sabës dhe botës së saj, nga rrëkejtë e vegjël e të pafund të jetës te kthesat epokale të historisë që hyjnë në përditshmërinë më intime të personazheve e bëhen ngjarje, romani i Ibrahimit ngjitet në tone epike e të merr me vete faqe për faqe

“Arriva in una mattina di settembre, in un'arsa stagione dove le piogge tardano a venire. E' vestita tutta di rosso. Come il sangue. Come un sacrificio umano dato in dono agli dči per propiziare la pioggia. Come una sposa".

Zë fill prej këtu historia e një fisi që nga njëra anë të kujton Njëqind vjetët e vetmisë së Marquez-it e nga ana tjetër modën e fundit në romanin europian: rindërtimin e një të shkuare historike, të një kohe a të një vendi ku dallga e teknologjisë nuk e kish fshirë ende (ose nuk e ka fshirë) gjurmën etnografike. Shpesh kjo përpjekje e fundit ngjan kallpe, e veshur siç është me përkujdesjen e shtëpive botuese për të shfrytëzuar "zbulimin e botës" prej europianit bashkëkohor si shtysë për sukses të sigurt editorial.

Për fat, Shqipëria që krijon Ibrahimi është e vërtetë (në kuptimin letrar merret vesh). Fshehur pas një gjuhe që s'është ajo e mëmës, merr formë pak nga pak historia e një fshati, por edhe e një vendi, ku matriarkati është burma e jetës. Gjyshe Saba, e motra Sulltana, e përpara tyre Melihaja, mbajnë në këmbë shtëpitë e rrisin fëmijët në kohë të vështira, me durimin e gruas që e njeh fatin e vet që fëmijë. Burrat reagojnë ndaj jetës o me dhunë o me raki, janë në rastin më të mirë të dobët e të manipuluar si ndoca kukulla lecke. Kësisoj gratë e romanit e presin pleqërinë me gëzim, meqë i pari i shtëpisë në një familje ku jetojnë tok tre breza është gruaja më e vjetër, vjehrra. Një strukturë e tillë, që ka nevojë për burrin thjesht për t'u riprodhuar, e përshkon kohën e rrëfimit me nota herë tragjike e herë groteske: gjakmarrja mes dy familjeve sajë mençurisë së Melihasë "lahet" me martesën mes bijve, nuset kompllotojnë në harmoni kundër vjehrrave …

Në këtë teatër kukullash, fijet s'i luajnë njerëzit e aq më pak sistemet. Në këtë pikë Anilda Ibrahimi na dhuron një këndvështrim pothuaj të panjohur në letërsinë shqipe. Ndoshta me përjashtim të Martin Camajt, një pjese të Kadaresë e një romani të Agron Tufës, letërsia shqiptare orientohet përgjithësisht nëpër kohëra sajë një nevoje historike a ideologjike: para 1944-rës qëllimi i letërsisë shqipe ishte mbijetesa e territorit dhe e gjuhës, deri në 1990-n ndërtimi i njeriut të ri dhe i Shqipërisë socialiste, pas nëntëdhjetës hakmarrja ndaj së shkuarës dhe justifikimi i "fajit socialist" përpara Perëndimit…

Rrëfimi i "Rosso come una sposa" është gati-gati i paqëllimtë, në mos po qëllimi është thjesht të na tregojë një histori të dashur për shkrimtaren. Kaltra, fshati-teatër ku luhet pjesa më e madhe e romanit, nuk është e rëndësishme për historinë me "H" të madhe. Kjo e fundit kalon aty si një dorë e hollë boje që edhe e freskët s'e mbulon dot ngjyrën poshtë. "Gjaku" i romanit të Anildës nuk është i kuq siç rëndom është "gjaku i të rënëve", i "flamurit", i "idealeve", apo i prostitutave të vrara nga sipërmarrësit: është i kuq si nusja, simbol i jetës që ndodh e përtërihet vetiu. Ekzistenca në fshatin Kaltra ka thelb të mistershëm, të fshehur thellë në një botë fshatare shekullore. Edhe ligji moral që e qeveris është krijuar kinse për të mbrojtur me çdo kusht riprodhimin e të njëjtit model. Lufta, sistemet… s'janë veç lojëra fëmijësh krahasuar me forcën irracionale që mban në këmbë strukturën, modelin. Fati mizor i Esmasë së bukur është pjesë e tabllosë, e veja që marton të bijën me dashnorin për t'i shpëtuar ndëshkimit po ashtu. Tragjedia personale e individit, sakrifikimi në altarin e bashkësisë, kryhet me një lloj lehtësie të pandërgjegjshme e gjatë romanit të krijohet përshtypja se groteskun që mbajnë në gji situatat tragjike e ndiejnë dhe e përjetojnë gjer edhe viktimat. Në njërën nga copëzat më shumëngjyrëshe të romanit - ngjitja e hundës së prerë me gjakun e lafshës së gjelit gruas tradhtare - Anilda e përdor folklorin me ndjeshmërinë e një piktori surrealist.

Pjesa e dytë e romanit i kushtohet shthurjes së kësaj bote që fillimisht na ngjante e përjetshme. Shkrimtares në romanin e saj të parë i duhet kësisoj të mbajë fijet e dhjetra personazheve, që lëvizin nga fshati në qytet e shpesh nga qyteti në kryeqytet e "jashtë shtetit". E mbyll romanin në të sotmen, pasi në vetë të parë ka rrëfyer në një gjuhë që, thotë, është ajo që flasin fëmijët e saj. Kujdeset të saktësojë edhe se personazhet dhe ngjarjet janë të sajuara, porse ndërtohen megjithatë mbi kujtimet dhe tregimet e tokës së saj. Na ka rrëfyer vërtet në një gjuhë që s'është kjo e jona, por e ka mbushur tekstin me fjalë shqip e shprehje në turqisht: shqipja është aty pas italishtes si pas një veli të tejdukshëm e prapë italishtja del pothuaj e pacënuar nga kjo përvojë. Ndoshta ngaqë Ibrahimi e ka prekur tekstin me duar të kujdesshme, ashtu siç ka prekur historinë që na rrëfen me duar të kujdesshme. Ka derdhur aty kujtimet duke e mbrojtur me një respekt të çuditshëm lexuesin nga ai mllefi ideologjik që përmendëm pak më sipër e që s'i shqitet sot e gjithë ditën letërsisë shqipe.

Po ta mendonim (të na e falë lexuesi retorikën!) trupin e një kombi si një bashkësi të ngjitur individësh që kur marrin rrugët nëpër botë e presin si me sharrë atë pjesën që i lidhte me tjerët e po të mendonim që secili prej nesh mban në trup një plagë të tillë që s'mbyllet kurrë, ja pra, romani i Anildës është në një farë mënyrë gjesti i kujt ka vendosur t'ua zbulojë të gjithëve plagën e vet. S'është as e para e as e fundit. Madje duket sikur është kjo prirja e letërsisë shqipe që shkruhet jashtë kufijve: Dones, Vorpsi, Kyçyku… (ndoshta me shpresën të krijojë një atdhe të dytë brenda një gjuhe tjetër). Po plagët janë të fshehta dhe dhimbja e tjetrit, që është edhe dhimbja jote, të fyen me atë mënyrën që e ka shpjeguar aq mirë Susan Sontag.

E pra, megjithë difektet e një romani të parë që do të ishin shmangur me fare pak kujdes nga ana e editorit, "Rosso come una sposa" është në njëfarë mënyrë historia e një plage të mbajtur me dashuri të veçantë, që zbulohet përpara nesh qetësisht e na fton t'ia shohim syrin e përgjakur që i rreh në mes. Pa na e fyer atë thelbin e përbashkët që e ka fillesën tek gjyshe Saba. Sepse, siç shkruan Anilda Ibrahimi: "Dopotutto una volta siamo stati tutti dalla stessa parte".

Ilirjana Stringa, Bota Shqiptare 195 - qershor 2008