Arta Ngucaj e Arben Beqiraj në Panorama4 - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Në ekspozitën kolektive ‘Panorama4. Arti i ri në Alto Adige’, të hapur në Fortezza të Bolzanos, mes 35 artistëve edhe Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj

Arta Ngucaj dhe Arben BeqirajRomë 19 qershor 2012 – Ka hapur dyert në Bolzano "Panorama 4. Arte Nuova in Alto Adige", edicioni i katërt i ekspozitës kolektive që çdo dhjetë vjet sjell të rejat më të fundit të artit bashkëkohor. 35 pjesëmarrësit të përzgjedhur nga kuratorët Denis Isaia, Tobia Moroder, Lisa Trockner dhe Christina Nägele janë ndër ata që konsiderohen më interesantët e dhjetë viteve të fundit. Përzgjedhja ka lidhje me aktivitetin e tyre në përgjithësi dhe jo vetëm me veprën që kanë paraqitur në ekspozitë.

Mes tyre për herë të parë edhe dy emigrantë rezidentë në Bolzano, dyshja shqiptare Scafisti Scafati, Arta Ngucaj dhe Arben Beqiraj.

Dy artistët, përveç se për aktivitetin e tyre në nivel të lartë në Itali dhe jashtë saj, janë bërë shumë të njohur edhe për publikun shqiptar. Janë ata nismëtarët dhe realizuesit e projektit për kthimin në Vlorë të një pjese të anijes fatkeqe Katër i Radës, e cila tashmë është kthyer në një monument në Otranto.

Ekspozita, që do të qëndrojë e hapur deri më 30 shtator, është konceptuar si një ecuri në ngjitje. Nga pjesa më e poshtme e Forte Asburgico në Fortezza të Bolzanos, veprat mund të admirohen duke u ngjitur gjithnjë e më lart. Katalogu është përgatitur në katër gjuhë dhe secilit artist i rezervohet një hapësirë prej katër faqesh ku pasqyrohet vizioni artistik i secilit.