Artan Shabani në portat ku rrugëtojnë delfinët - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Piktori Artan Shabani dhe fotografi Roland Tasho ekspozojnë krahas punëve të piktorëve italianë e monegaskë: rruga që ndjekin delfinët, nga Montekarlo në Gjenovë e në Durrës

Ekspozita "Sulla ruota dei Delfini" me vepra në pikturë fotografi të artistëve  Gauthier, Luzzati, Costantini, Shabani e Tasho është një iniciativë e Konsullit të  Nderit të Republikës së Shqipërisë në Principatën e Monakos Giuseppe Maria Durazzo, dhe e Sergio Noberini, Drejtor i Muzeut Luzzati, Porta Siberia, Gjenovë, e realizuar me ndihmën dhe kontributin e disa sponsorëve dhe institucioneve monegaske,  italiane dhe shqiptare. Kjo ekspozitë kishte si qëllim të saj evidentimin e elementeve të përbashkët të këtyre porteve Europiane "të largët" por edhe "të afërt" me njëri tjetrin, duke qenë tre qendra ekonomike të rëndësishme të Mesdheut. Artistët pjesëmarrës, secili me një biografi artistike te admirueshme, kishin sjellë për vizitoret peizazhe, imazhe, portrete autentike, të cilat shprehnin denjësisht identitetin e vendit që prezantonin.

Për rëndësinë e kësaj ngjarjeje kulturore, si mundësi prezantimi, ballafaqimi e bashkëbisedimi mes Shqipërisë, Italisë dhe Principatës së Monte Karlos dëshmonte pjesëmarrja në inaugurim të ekspozitës, më 22 qershor 2007 edhe i Shkëlqesisë së Tij Ambasadorit shqiptar në Itali, Llesh Kola si dhe replika që kjo ekspozitë do të ketë në 2008, ne Principatën e Monakos. Evidentonte më tepër këtë fakt edhe një seri aktivitetesh paralele gjatë kohëzgjatjes së ekspozitës si takimi me sociologun Rando Devole dhe Albin Gorinin mbi emigracionin shqiptar në Itali, takimi me biologen e marinës Sabina Airolu, me Mjeshtin Gauthier dhe si me balerinin Kledi Kadiu. Për "Shqiptari i Italisë" ne intervistuam njërin nga artistët pjesëmarrës, piktorin Artan Shabani,  për të njohur më mirë emocionet e këtij aktiviteti dhe diçka më shumë për aktualitetin e jetës artistike të këtij artisti shqiptar, që me sukses prej vitesh prezanton artin e tij, artin shqiptar, në skenën internacionale.

Intervista

Është hera e parë që ekspozoni në Gjenovë?
Artan Shabani: Në Gjenovë është hera e parë që ekspozoj, por në krahinën e Ligurias kam qenë i pranishëm në Portovenere, Portofinno, San Remo, Savona e La Spezia.
Kolektive me Gauthier, Costantini, Luzzati e Tasho -

Me  ç'emocion kjo përballje me artistët dhe me çfarë ndjenje përgjegjësie?
Kolektivja me artistët e lartpërmendur ishte një përgjegjësi cilësore dhe një angazhim i marrë prej kohësh, duke pasur parasysh që artistet janë në fushën e artit mbi 50 vjet dhe veprat e tyre ndodhen nëpër muze  e pinakoteka të vendeve të ndryshme.

Si u pritën punimet nga kritikët?
Kritikët dhe koleksionistët e sektorit shprehen entuziazëm dhe vëmendje. Sigurisht janë kritikët që seleksionuan veprat dhe kuruan aspektin kuratorial në bashkëpunim me artistët.

Cilat ishin punimet tuaja të paraqitura në këtë ekspozitë?
Një vëmendje e veçante iu dedikua ciklit "homo balkanicus". Punimet ishin të trajtuara kryesisht në vaj dhe me tematike nga rrugëtimi i delfinëve nëpër Mesdhe, po ashtu edhe aspekti historik e kultural i Durrësit, Gjenovës dhe Monte Karlos, tre vende ,tre porte dhe tre kultura, të cilat kanë shumë pika referimi si urë lidhëse.

Keni ekspozita të tjera për këtë vit?
Ekspozitat e 2007 janë të ndryshme dhe ne vende te ndryshme, p.sh, këto ditë inaugurojmë në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës një eveniment të madh artistik me artistë nga vende të ndryshme të Europës, gjithashtu në Vlorë kam dy kolektive në galerinë e qytetit dhe në Teatrin "Petro Marko" me koleget e mi. Do të thosha që kam një axhendë tepër të ngjeshur.

Cilat janë temat e punimeve të kohëve të fundit?
Temat e punimeve të kohëve të fundit janë një zhytje në autenticitetin e vlerave të shqiptarit dhe komportimet e paganizmit në Shqipëri. Mendoj që vendi ynë ofron materie të madhe në këtë fushë.

Sa ka ndikuar gjendja e re emocionale e krijuar nga martesa me Luçjanën në krijimtarinë tuaj?
Çdo gjë e bukur dhe e rëndësishme në jetë influencon pozitivisht dhe të transmeton një gjendje të mirë shpirtërore, sigurisht qe çdo gjë e re duhet trajtuar si e tille dhe duhet jetuar gjithmonë si një gjë e re.

Përveç krijimtarisë artistike, kohët e fundit keni hapur edhe galerine e artit bashkëkohore në Vlorë? Si lindi te ju kjo ide e çfarë do të ofrojë publikut artdashës shqiptar?
Galeria "Promenade" ndodhet në vijën bregdetare të qytetit dhe është një pikë e forte prezantimi dhe një kornize ideale për imazhin e qytetit, në këtë galeri kam si politike artistike të sjell në Vlorë artistë nga gjithë Europa dhe të gjejnë në Shqipëri mundësinë e të komunikuarit me publikun vendas. Vlora është një vend tepër potencial dhe me shumë vlera, duhet të jemi ne shqiptarët të dimë t'ia paraqesim dhe t'ia ofrojmë të huajve dhe vetes tonë. Ideja është pjekur në vite dhe si një eksperiencë relativisht e gjatë në perëndim. Publiku shqiptar është shumë i afruar me artin dhe me të bukurën, ne duhet të jemi krenar për artistët tanë që na prezantojnë, për historinë dhe traditat tona shekullore.

Albana Temali - Shqiptari i Italisë, shtator 2007