Avokati Engjëll Agaci, nga Roma në Tiranë, në postin e sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Engjëll Agaci, 44 vjeç, avokat në Romë, ka pranuar ftesën e kryeministrit Rama për të zëvendësuar Gjergj Lezhjen në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.

“Historia e Engjëll Agacit është një histori suksesi nga ato në rrugën e emigracionit, ku djem e vajza të dalë nga shtëpitë e varfra shqiptare të viteve ‘90 u nisën drejt ëndrrash në dukje të pamundura dhe i bënë ato të mundura. Me forcën e madhe të ambicies, me vullnetin e fortë të njeriut në një betejë për të ardhmen, me talentin e me përulësinë e kujt s’ka asgjë tjetër veç fuqive të veta në tokë të huaj, madje përballë paragjykimesh tejet penguese, shumë prej tyre ia dolën. Dhe një prej atyre që ia dolën të bëjnë rrugë e karrierë, është edhe Engjëll Agaci. I shkëlqyer në studime, i pandalur në punë, i papërtuar për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në Itali, i respektuar në mjedisin profesional të Romës, ai la studion e tij të avokatisë në kryeqytetin italian për t'iu përgjigjur pozitivisht ftesës sime që të jetë Sekretari i ri i Përgjithshëm i kryeministrisë”. Me këto fjalë kryeministri Rama prezanton në Facebook sekretarin e ri të përgjithshëm të kryeministrisë.

Engjëll Agaci, 44 vjeç, jeton në Romë prej fillimit të viteve ‘90. Ka studiuar drejtësi dhe, prej vitit 3003, është i regjistruar në Urdhrin e avokatëve të kryeqytetit italin, në një zonë aristokratike të të cilit, në Parioli, ka edhe studion e tij.

Emri i tij është lakuar nga shtypi sepse ka qenë mbrojtësi i ish kryeministrit Fatos Nanos në një gjyq (që e ka fituar) për shpifje kundër mediave italiane të Grupit L’Espresso dhe L’Unità. Ka qenë edhe mbrojtës legal i 27 prej familjeve  të viktimave në procesin e gjatë gjyqësor të tragjedisë si Katër i Radës. Në raste të ndryshme, avokati Agaci i ka ofruar konsulencë legale edhe Ambasadës së Shqipërisë në Romë.

Në prezantimin që i bën Engjëll Agacit, kryeministri Rama shpreh bindjen se falë tij, “puna me draftet e reformave e të ligjeve do të njohë një cilësi të re dhe fryma e skuadrës vetëm do të fuqizohet falë kulturës së tij të jashtëzakonshme profesionale e qytetare”.