Beniamin Bilali, mjeshtri shqiptar në artin e picës - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Nga Durrësi në Itali për t’u bërë mjeshtër në përgatitjen e picës, gatimi tipik italian i njohur në mbarë botën. Sot është shef konsulent i pavarur dhe profesor në Universitetin e Picës të “Molino Quaglia” në Padova. Në Sallonin Ndërkombëtar të Shijes në Torino mbajti seminarin "Shkencë dhe njohje"

Në datat 23-27 tetor 2014, në Panairin Ndërkombëtar të Shijes në Torino ishte i pranishëm me një seminar mbi përgatitjen e pices edhe Beniamin Bilali, një ndër picaiolët më në zë të Italisë.

I lindur në Durrës në vitin 1985 në një familje furrtarësh, Bilali jeton në Itali që nga mosha 13-vjeçare. Në fillim banon në Rimini, ku për të siguruar paratë për të studiuar nis të punojë në piceri, e duke marrë njohuritë e teknikat e para të artit të brumit, Bilali pasionohet aq shumë sa përqendron të gjitha energjitë e tij në punë. “Pak nga pak filloi të ndizej pasioni për t’u bërë mjeshtër në këtë profesion. Është paradoksale, e di, sepse picën dinë ta bëjnë të gjithë dhe është një nga pjatat më të preferuara të italianëve. – tregon ai në një intervistë dhënë Sabina Darovës për  Edicionin shqip të Komunës së Torinos– E megjithatë kjo nuk më kënaqte. Ajo "fryrja e barkut" mbas ngrënies më shqetësonte dhe kështu më lindi kureshtia që të hyja më në thellësi e të zbuloja si karakteristikat e saj, ashtu edhe sekretet që do të më shpinin në përmirësimin e cilësisë së picës. Lënda e parë dhe "ardhja" e picës, janë dy përbërësit kryesorë që ndikojnë në cilësinë e saj.

Dhe sot mund të thuhet se pasioni e këmbëngulja e tij kanë dhënë frytet e veta: nuk ka mbushur as 30 vjeç dhe është ndër mjeshtrat më në zë të picës në Itali. Në moshë fare të re, kur ishte vetëm 17 vjeç, arrin në gjysëfinale të konkursit të artit të picës në Genova e menjëherë më pas kualifikohet për në finalen e Romës ku marrin pjesë vetëm 60 picaiolët më të mirë të Italisë. në të njëjtin konkurs është finalist edhe në dy vitet pasardhës në Montecarlo. Më pas merr pjesë në kampionatin e parë dedikuar mjeshtrit picaiol Carmelo Calabrese, ku klasifikohet i treti. Në këtë eveniment njeh mjeshtrin Umberto Napolitano që e çon në kampionatin e picës që ai organizon në Gjermani. Klasifikohet i dyti për tre vjet rresht dhe për një vit bashkëpunon me Napolitanon si konsulent teknik në shkollën e picës të hapur në Gjermani nga mjeshtri.

Beniamin Bilali kthehet në Itali e merr drejtimin e picerisë së famshme Canasta të Ricciones. Më pas shkon të administrojë picerinë O’Malomm në San Patrignano. Nga ky çast fiton famë e vlerësime të njëpasnjëshme. Në Sigep (Salone Internazionale Gelateria, Pasticceria e Panificazione Artigianali) renditet i pari e më pas merr çmimin nga guida Touring Club italiano, dhe ren- ditet mes dhjetë picerive më të mira nga guida Golosaria.

Përsëri dëshira për eksperimentim e përdorim majash të reja, gjithnjë natyrale, për brumërat e çon në Berberè të Castel Maggiore të Bolonjës. Edhe me Berberè, fiton një seri çmimesh, duke filluar nga simpoziumi PizzaUp i organizuar nga “Molino Quaglia”, nga përzgjedhja për guidën e L’Espresso deri te Gambero Rosso.

Në vitin 2012 Bilali merr pjesë në një nga veprimtaritë më të rëndësishme të kuzhinës: Identità Golose të Milanos, ku mban një seminar dedikuar hidrolizës së niseshtesë. Në vitin 2012 përmbyll edhe përvojën në Berberè dhe bëhet konsulent i picerisë “O fiore mio” të Faenzas.

Sot është shef konsulent i pavarur dhe profesor në Universitetin e Picës të “Molino Quaglia” në Padova.

Në karrierë, prejardhja nuk e ka penguar kurrë. “Ndihem dhe kuptohem si një qytetar i botës. – thotë ai për  Edicionin shqip të Komunës së Torinos– Komunikimi im është mjaft profesional dhe jam ndier kudo i vlerësuar”.

Këtu gjeni intervistën e plotë të Beniamin  Bilalit dhënë Edicionit shqip të Komunës së Torinos.