Bernard Shehu, koreograf i ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike të Maceratës - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Në Marche, balerini 32-vjeçar thirret për të tretën herë për të organizuar ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike provinciale. Baba i dy binjakëve prej disa muajsh, për Bernardin eksperiencat profesionale janë të gjitha të rëndësishme e emocionuese, por "të pakrahasueshme me lumturinë që po provoj me ardhjen në jetë e fëmijëve”

Bernard Shehu, balerin, koreograf e mësues baleti do të koreografojë dhe të do të interpretojë ceremoninë e hapjes së lojërave olimpike të provincës së Maceratës që do të çelen më 27 qershor (ora 20.30), në stadiumin Helvia Recina.

Është e treta herë që Bernardi thirret për ceremoni të tilla: Macerata i beson këtë detyrë pas suksesit që pati me ceremoninë e hapjes së edicionit të vitit 2011 gjithnjë të Maceratës, dhe atij të 2012-tës me ceremoninë e hapjes së Olimpiadës së provincës së Salernos.

Bernardi, që veç koreografisë i është besuar edhe përzgjedhja e balerinëve, do të interpretojë bashkë me ta. Krah tij do të jetë Noemi Arcangeli, soliste e kompanisë Aterballetto të Reggio Emilias.

Bernard Shehu është sot 32 vjeç e jeton në Pesaro. Hapat e parë si balerin i ka hedhur në shkollën e baletit në Tiranë që kur ishte i vogël, e më pas në Azerbajxhan me profesor Pëllumb Agalliun, dy ambiente ku ka marrë bazat më të mira të traditës klasike që ofronte shkolla.

Me artin bashkëkohor është afruar në Itali ku ka ardhur kur ishte 18 vjeç, fillimisht në veri e më pas për vite me radhë në kompaninë prestigjioze të Baletit të Romës. “Italia ishte mundësia e parë që m’u dha dhe që e shfrytëzova. – thotë Bernardi për Shqiptariiitalise.com – Kam ardhur në vitin 2000, fillimisht kam jetuar në Parma”.

Pas eksperiencës në Parma, për vite ka ushtruar profesionin në Balletto di Roma, më pas ka punuar në teatrin komunal të Firences si asistent i Fabrizio Monteverdes dhe sot jep mësim të vallëzimit klasik dhe bashkëkohor në disa shkolla të Marche-ve, zhvillon stage në mbarë Italinë dhe herë pas here bashkëpunon me projekte interesante, mes të cilave edhe organizimi nga ana koerografike e Ceremonive të Olimpiadave. “Jam duke punuar për realizimin e një ëndrre të vogël. – tregon Bernardi - Të shkruaj një libër për metodën e Passo a due.

Eksperienca të bukura e të rëndësishme profesionale këto të Bernardit, por emocionet më të forta kohët e fundit 32-vjeçari i ka pasur në jetën familjare. Është martuar me Katia Tarinin e prej nëntë muajsh është bërë baba i dy binjakëve, Leonardo e Vittoria Shehu. “Lindja e fëmijëve është gjëja më e bukur që më ka ndodhur në jetë, çdo ditë me ta përjetoj emocione të jashtëzakonshme. Nuk mund të shpjegoj me fjalë lumturinë që më jep familja ime”.

K.B. / Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Lexo edhe: Fluturimi i Bernardit