Besa Nuhi Mone, nga Shqipëria në Corato me pasionin për matematikën - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Coratolive.it  boton një shkrim të Marzia Ferrantes për emigranten durrsake Besa Nuhi Mone që jeton prej 15 vjetëve në Corato të provincës së Barit. Me kënaqësi e botojmë në gjuhën shqipe

Jeton në Corato prej 15 vjetësh, por ka lindur në Durrës. Është diplomuar në matematikë dhe jep mësim këtë lëndë, është një ndërmjetësuese kulturore, por shkruan edhe libra, për pasion.

Besa Nuhi Mone ka botuar tregimin e saj të ri, “La matematica del migrante”, në të cilin (si edhe në tregimet e tij të tjera) pajton origjinën e saj shqiptare me jetën në Itali, si dhe rrëfimin artistik me gjuhën matematikore.

“La matematica del migrante”, është një roman i shkurtër, i botuar vetëm në formatin elektronik (të ashtuquajturin e-lbook), që është pjesë e projektit të botimeve shoqërore-digjitale, që ka për qëllim të lehtësojë shkëmbimin dhe qarkullimin e lirë të informacionit në botë.

Me një shkrim të thjeshtë dhe të këndshëm, të mbushur me formula matematikore dhe ekuacione, libri përshkruan një aspekt të vogël të realitetit italian të parë përmes syve të një të reje shqiptare, që ka emigruar  në Itali që 4 vjeçe bashkë me familjen e saj.

Përmes këndvështrimit të saj, prej fëmije në fillim dhe prej të rrituri më pas, shfaqen shpresat dhe zhgënjimet e atyre që e shohin Italinë si "vendi i çudirave" dhe më pas marrin rrugën e shpresës për t’u përballur me vështirësi reale të egra. Mbi të gjitha vështirësi gjuhe dhe integrimi në një realitet që vajza e vogël e sheh si të ndryshëm me të saj, por që ngadalë zbulon se ka pika të përbashkëta me të sajin, si veçanërisht numrat dhe të gjithë matematikën.

A përmban “La matematica del migrante” diçka nga eksperienca juaj?

Historitë e sjella në librin tim janë pjesërisht të përjetuara, por edhe të pasuruara me histori personash të tjerë. Nuk jam e vetmja që ka pasur nevojën të shkruaj mbi jetën e emigrantit, por tregimi im besoj se është disi më i veçantë. Arsyetimet, përshkrimet, interpretimet që në përgjithësi realizohen me anë të figurave letrare, në librin tim realizohen me “figurat e metaforat matematikore”.

Në librin tuaj protagonistja përballet me një sistem shkollor jo shumë të përgatitur për të mirëpritur të huajt, por integrimi në klasë bëhet më i lehtë falë pranisë së një ndërmjetësueseje  gjuhësore e kulturore. Ju jepni mësim dhe bashkëpunoni si eksperte në projektet shkollore të Corato, mendoni që në realitetin shkollor ka paragjykime ndaj të huajve? Si i gjykoni aktet për mikpritjen dhe integrimin shkollor të të huajve që bëhet në shkollat italiane?

Paragjykimet nuk ndeshen vetëm në mënyrën e të menduarit. Në rrethana të ndryshme ku prania e të huajit është konstante (spitali, INPS, ASL, gjykatë, polici, shkollë) aksesi bëhet i vështirë.

Kjo ndodh sepse i huaji nuk ka vetëm vështirësi gjuhësore, por edhe vështirësi në nivel institucional sepse ka përjetuar të tjera realitete. Të lehtësosh aksesin e tij duke punësuar persona që kanë përjetuar personalisht të qenit emigrantë, por të shkolluara dhe me aftësitë e kërkuara nga Krahina, do të thotë të mos u lësh shteg paragjykimeve dhe t'i hapësh rrugë integrimit. Një shërbim i tillë realizohet herë pas here në shkollë me projekte të ndryshme “mikpritjeje”, por në institute të tjera bëhet pak, për të mos thënë hiçgjë. Ky fakt tregon se ku është paragjykimi më i madh.

Protagonistja gjen shpëtim në gjuhën e matematikës pasi ajo është e njëjtë si në Itali dhe në Shqipëri. Ju, mendoni se matematika është një mjet i dobishëm për dialogun mes kulturave?

Po. Një fëmijë që hynë në klasë dhe nuk njeh gjuhën, nuk mbetet i mënjanuar nëse mësuesja e përfshin në ushtrimet e matematikës. Nuk besoni se është një fillim i bukur për integrimin?

Pjesa më e madhe e tregimeve tuaja përqendrohen mbi vështirësitë që një i huaj ndesh për t-u integruar në Itali. Si ka qenë përvoja juaj në Corato, e sot pas 15 vjetëve a mund të konsideroni veten plotësisht të integruar?

Përvojën time, rrugëtimin tim migrues personal dhe familjar i kam përshkruar në libër duke përdorur formulat matematikore më të përshtatshme për të përfaqësuar dukurinë. Nga paragjykimet kam vuajtur edhe unë. Kur arrita në Corato pata fatin të njihja dy-tre persona shumë të mirë e sot e kuptoj që ata kanë qenë edhe mendje-hapur. Më tej kam njohur të tjerë dhe kërkoja të gjeja edhe tek ta cilësitë e të parëve. Nëse jam integruar pas 15 vjetëve? Nëse me integrim kuptojmë kompletimin me kultura të tjera, me rregulla që favorizojnë kalimin nga bashkë-ekzistenca në bashkëjetesë, atëherë mund të them se po, jam integruar. Por fjala “plotësisht” nënkupton diçka absolute dhe meqë po flasim për gjuhën matematike, do të thosha që nuk e klasifikoj me këtë fjalë integrimin tim.

Shkruani në gjuhën italiane. Cilat janë vështirësitë që hasni?

E kam thënë edhe në hyrjen e librit, por i referohej kohës kur italishtja ime ishte ajo e rregullave të gramatikës të mësuar në librin Battaglia. Nëse do të krahasoja të shkruarën time në italisht dhe në shqip, e kuptoja edhe vetë që shqipja do të përfaqësonte një kuadër me shumë ngjyrime të pakapshme ku objektet nuk kanë përvijime, por shkrihen në njëri tjetrin. Ndërsa italishtja do të paraqiste gjithnjë një imazh me shumë ngjyra, por pa sfumatura. Në Shqipëri kam botuar disa artikuj me përmbajtje didaktikekur punoja si mësuese. Kam botuar edhe një manual matematike në italisht dhe shqip. Por këtu në Itali kam edhe pesë edicione të tregimeve të mia në antologjinë e konkursit Lingua Madre.

Ktheheni shpesh në Shqipëri? Ndjeni nostalgji të vendit tuaj?

Vitet e para kthehesha më shpesh. Kisha nevojë të përshëndesja njerëzit në gjuhën time. Nostalgjia është për ne të huajt si bashkësia e përcaktimit për funksionin. Në Corato jam ndier gjithmonë mirë. Kam njohur njerëz të respektuar dhe korrektë. Por u ndjeva vërtet e lidhur me qytetin vetëm kur mu dha mundësia të votoj.

Keni projekte për vitin 2012?

Nëse Libri do të pëlqehet, do të dëshiroja të vazhdoja me të tjera tregime që përmes përjetimit të kulturave e realiteteve të ndryshme, përcjellin idenë e relativitetit dhe të arsyetimit. Për më tepër, kam dy teorema matematikore që do të më pëlqente të botoja, por duhet të punoj ende me to.