Blerim Kokomani, mes Durrësit dhe Sienës, mes verës e pokerit - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Ka triumfuar në turneun e pokerit "GRT 3th Birthday PC" duke fituar plot 21.600 euro dhe një Fiat 500

Romë, 3 nëntor 2011 – Tashmë që lojërat e fatit on-line janë legalizuar në Italinë e krizës, ku duhet të hyjnë sa më shumë para në arkat e shtetit, në një kohë kur të huajt rezidentë janë rreth 5 milionë, të qëllon të shohësh edhe lajme që tregojnë se, ashtu si në çdo fushë tjetër, edhe në bixhoz ka imigrantë mes fituesve. I tillë është lajmi i triumfit të Blerim Kokomanit në turneun "GRT 3th Birthday PC" të Poker Club, një poker room e Lottomatica-s ndër më aktivet në të gjitha orët e ditës.

35 vjeç durrsak, Blerim Kokomani jeton mes Sienës dhe Durrësit. Në qytetin toskan ku jeton prej 20 vjetësh, punon në një kantinë vere që tani e menaxhon bashkë me të vëllanë, ndërsa në Durrës ka ndërmarrjen e tij për prodhimin e verërave, “Kokomani shpk“. Ndërsa poker luan vetëm për sport, në kohën e lirë. “Të shtunë apo të diel kur nuk kam punë, më pëlqen të luaj nga pak” tregon Blerimi për shqiptariiitalise.com. Por me sa duket, në poker është mjeshtër, dhe loja ka qenë fitimprurëse: më 30 tetor, Kokomani ka triumfuar në turneun "GRT 3th Birthday PC" duke fituar plot 21.600 euro dhe një Fiat 500.

“Këto dy vitet e fundit, që kur kam hapur kantinën time në Durrës, jam gjithnjë në lëvizje. Ishte rastësi që qëllova këtu për turneun. Jam duke blerë në Toskanë fuçitë e verës për kantinën e Durrësit” thotë Blerimi.

“Turneu që fitova është i ligjshëm, si çdo lotari e disiplinuar nga shteti italian. Për të marrë pjesë pagova 100 euro ashtu si një mijë persona të tjerë, luajta për dy të shtuna e fitova. 21 mijë e 600 euro dhe një Fiat 500. Kanë fituar edhe të tjerë të renditur pas meje” shpjegon ai pjesëmarrjen në turneun e pokerit.

Blerimi është i matur e me këmbët në tokë: “Natyrisht nuk do t'ia këshilloja askujt të hidhte paratë në lojëra fati, apo më mirë, të gjithë duhet të jemi të kujdesshëm e të luajmë sipas xhepit”. Paratë dhe Fiat 500, çelësat e të cilit do të marrë së shpejti, i pëlqejnë, por mbaron këtu. Për të, pokeri mbetet vetëm loja e kohës së lirë.

Tregon me entuziazëm për kantinën e tij që rritet nga viti në vit. "Kantina në Durrës po më ecën mirë. Kemi vreshtat tanë dhe kemi arritur të prodhojmë 40 mijë shishe verë vitin e shkuar, këtë vit edhe më shumë". Tregon që muajin e shkuar mori pjesë edhe në Panairin e Agrobiznesit të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë dhe që ishte shumë i frytshëm. “Punojmë jo vetëm me restorantet në Durrës e Tiranë, por tani kemi edhe kërkesa nga vende të tjera të botës, si Norvegji apo Amerikë”.

“Jam i kënaqur me punën që bëj. Kjo është puna ime, sot, e në të ardhmen”.

Keti Biçoku