Bogdani sfidon Milanin e Ibrës dhe fiton - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Romë, 14 Shtator – Mediat italiane vazhdojnë t’i bëjnë jehonë fitores 2-0 së Cesena-s së Erjon Bogdanit (gol dhe asist) kundër Milanit të Ronaldinjos, Patos, Ibrahimoviçit dhe Robinjos.
Pas batutave të presidentit të Milanit, Silvio Berluskonit se shpesh skuadrës së tij i bie rasti të gjykohet nga arbitra me “bindje të majta”, një shkrim interesant i të përditshmes “Il Sole 24 ore” (me titull ll «pesce di settembre» del campionato di calcio, dove Bogdani e Giaccherini rubano la scena a Ibra) thotë se Ibra dhe Robinjo u sfiduan nga Xhakerini dhe Bogdani.

Giaccherini dhe Bogdani“Erjon Bogdani nuk erdhi nga Tirana nga brigjet puljeze në bordin e një gomoneje, por me avion në Rexhio Kalabria dhjetë vjet më parë. dhe është djalë me mend në kokë, pasi ka studiuar e është diplomuar në Ekonomi dhe Biznes. Diplomë që nuk do t’i shërbejë për të numëruar golat e tij, ai kundër Milanit ishte i gjashtëdhjeti (gjashtë gola në sezon mesatarja, për atë që nuk e ka diplomën në Ekonomi...), por në stadiumin e Cesena-s duket se ai është pasuesi i Van Bastenit, dhe jo ai tjetri kuqezi me profilin e një shqiponje (Ibrahimoviç)”, shkruhet mes të tjerash në artikull.

Bogdani, pas paraqitjes mjaft të mirë ndaj Milanit, ku shënoi një gol me kokë dhe dha pasimin për golin e  Xhakerinit, duket se ka rilindur tek Cesena, pas sezonit të dështuar tek Chievo një vit më parë.
Lajm i mirë ky edhe për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, i cili mund të mbështetet tek shtatlarti Bogdani për dy sfidat e rëndësishme të muajit tetor ndaj Bosnjës dhe Bjellorusisë, të vlefshme për eliminatoret e kampionatit Evropian, Euro 2012.