Lorik Cana rrezikon nga 6 deri në 18 muaj skualifikim - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Pasojat e ndeshjes Serbi-Shqipëri mund të ndihen jo vetëm në dy vendet i interesuara por edhe në Itali, e më saktësisht në gjirin e skuadrës së Lazios.

Kapiteni i kuqezinjve e qendërfushori i Lazio-s, shkruan sot Messaggero, rrezikon seriozisht të skualifikohet për grushtet e dhëna ndaj disa tifozëve serbë që kishin sulmuar shokët e tij të skuadrës. Duhet parë për sa kohë: në të tilla raste parashikohet nga 6 muaj deri në një vit e gjysmë skualifikim. E sipas rregullave të reja të UEFA-s pezullimi i Canës do të ishte i vlefshëm jo vetëm për ndeshjet e kombëtares por edhe për ato të klubit në të cilin ai luan, gjë që shqetëon edhe Lazion. Është e mundur edhe që Cana të thirret më 23 tetor për të dhënë versionin e tij përpara Komisionit Disiplinor të UEFA-s.

Gjithnjë sipas Messaggero-s, është mëse e mundur që UEFA të vendosë që ndeshja e pezulluar të luhet nga minuta kur u ndërpre, në një fushë asnjanëse e pa tifozë. Serbia rrezikon të luajë disa ndeshje me dyer të mbyllura, sepse sjellje të tilla të tifozëve të saj përsëriten prej kohësh, mjaft të kujtohet ajo që ndodhi në Genova gjatë një ndeshjeje Itali-Serbi. Ndërsa Shqipëria rrezikon një gjobë shumë të kripur për mospranim të vazhdimit të lojës.

Serbët e shqiptarët së bashku në klubin e Lazios

Së pari duhet thënë se Lazio “kontribuonte” në ndeshjen e Serbi-Shqipëri me katër lojtarë të saj: serbët Xhorxheviç e Basta (ky i dyti nuk ishte në fushë për dëmtim) dhe shqiptarët Cana e Berisha. Me t’iu kthyer stërvitjes në Formello, të katër djemtë janë thirrur nga drejtori sportiv i klubit, Igli Tare, për të sqaruar gjithçka mes tyre e për të siguruar qoftë klubin e qoftë tifozët e tij se mes tyre nuk do të ketë asnjë fërkim për atë çka ndodhi në Beograd. Që të katër kanë shpjeguar e siguruar se mes tyre nuk ekziston asnjë problem, madje edhe gjatë ndeshjes së kombëtareve të tyre, me gjithë atmosferën e tensionuar, qoftë Loriku qoftë Filipi (Xhorxheviç) janë përpjekur me të gjitha mënyrat të ulin tonet.

Edhe Lolito, presidenti i Lazios, ka vënë në dukje marrëdhëniet e mira mes serbëve e shqiptarëve të skuadrës së tij: “Cana, Berisha, Basta dhe Xhorxheviç mishërojnë sot ato ndjenja vëllazërore, ku dallimet historike dhe politike përbëjnë model bashkimi mes popujve e Vendeve. Ata janë dëshmi e asaj çka futbolli mund t’i mësojë shpesh politikës”.

Me hashtag-un #Insieme, klubi i Lazios boton edhe një fotografi të të gjithëve bashkë, serbë e shqiptarë të skuadrës: Basta, Berisha, Xhorxheviç, Cana e Strakosha.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)