Çelësat e kujtesës së Alfred Mirashit - Milot - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Alfredi është shumë i drejtpërdrejtë, i qartë në sintezën formale të mendimit të vet. Veprat e tij të fundit janë në të vërtetë një hap themelor në hulumtimin e Milotit. Hulumtim që bën të përkojë projektin artistik me nevojën për ta bërë universal udhëtimin e vet personal në histori, gjë që e ka bërë ky që është: perëndimor, mesdhetar, shqiptar

Nga Massimo Sgroi, kritik arti

Në erën e falsifikimit absolut, të transformimit të pandaluar të sistemit të njohjes dhe imagjinatës, ekziston ende hapësira e bashkëndarjes së ndjesive me hapësirën e thellë njerëzore ku ndodhet ajo që në quajnë kujtesë? A është e tamam e vërtetë që njerëzimi vrapon drejt vdekjes së historisë ose më mirë forma të re e një androidi njerëzor a është i fiksuar më shumë se kurrë në kërkim të kujtimeve të tij?

Alfred Mirashi, Milot, siç quhet vendi nga ai vjen dhe siç njihet në botën e artit, kujton një prej personazheve të Blade Runner. Jo engjëllin flokëverdhë e djallëzor Roy Batty dhe as Pris, kukullën që ngatërrohet me cyber-lodrat.

Më shumë kujton Leonin, njeriun android që, edhe pse i ndërgjegjshëm për pavërtetësinë e  kujtimeve që i kanë futur artificialisht në tru, rrezikon jetën për të marrë fotografitë e një familjeje që, në të vërtetë, nuk ka qenë kurrë e tija. Çelësa pra për të hapur dhomat e një kujtise aq të rëndësishme sa vlen më shumë se dhe vetë jeta e tij e shkurtër.

Nga ana tjetër Alfredi ka pasur gjithmonë një marrëdhënie vërtetësie me gjërat e tokës së tij; nga ngjyrat e pëlhurave të ndritshme tipike të Ballkanit tek format e statujave klasike të vendosura në peizazhet nomade të historisë së vet. Shqiptar që, i detyruar nga rrethanat, ka braktisur tokën e tij, një tokë që e mbart me vete në emër, në zemër dhe, rrjedhimisht, në artin e tij.

Ka një lloj të caktuar arti që ndjek më mënyrë gati maniakale eliminimin e  përkatësisë në kërkim të një globaliteti që i shërben më shumë tregut se sa kërkimit të vërtetë artistik. E vërteta gjendet, pavarësisht rregullave të ngurta të sistemit të artit, në botën e të panjohurve dhe në mundësinë që ka artisti për të zbuluar herë pas here fytyrën e perëndeshës greke të kujtesës. Dhe, si Uliksi, Miloti  përpihet nga udhëtimi; një braktisje  e vetëdijshme e vizioneve në një zonë, Mesdheu, që për botën perëndimore është në vetvete sinonim i kujtesës.

Sinteza formale, përtej një shkëlqimi kromatik absolutisht në përputhje me projektin e Alfredit, është arkaik dhe jo-bashkëkohore njëherësh. Ai lexon vendet e kujtesës duke përdorur pamjet dhe ngjyrat që sedimentojnë, shekuj pas shekujsh, deri sa bëhen ekrane të  shndritshëm të kohës digjitale.(...)

Për vetë natyrën e tij, për historinë e tij personale dhe përkatësinë në një popull që ka si karakteristikë të qenit konkret, Alfredi është shumë i drejtpërdrejtë, i qartë në sintezën formale të mendimit të vet. Veprat e tij të fundit janë në të vërtetë një hap themelor në hulumtimin e Milotit. Hulumtim që bën të përkojë projektin artistik me nevojën për ta bërë universal udhëtimin e vet personal në histori, gjë që e ka bërë ky që është: perëndimor, mesdhetar, shqiptar. Çelësat hapin dyert; kalimet që lidhin kujtimin dhe historinë me kohën tonë, fryt i një sedimentimi mijëravjeçar i cili, përtej teknologjive të ndryshme, mbetet i njëllojtë në  kuptimet filozofike me atë të dy mijë vjetëve më parë. Sokrati, Fidia, Platoni, Atena, Venusi, por edhe mitologjia dhe transferimi i saj në skulpturë. Maradona dhe Nënë Tereza e Kalkutës, Caravaggio, Aleksandri i Madh, Dante Alighieri, Giordano Bruno, e për të përfunduar me heroin kombëtar të vendit të tij Skënderbeun, janë të përfaqësuar në sipërfaqe kanavace, mbi tekstile që shoqërojnë traditën e Ballkanit për t'u kthyer secili në një aksiomë e servirë në tabakanë e ekzistencës dhe që një çelës i harruar mund të hapë.

Është shembulli absolut i idesë së Alfred Mirashit, më shumë se vezët-skulptura të mëdha të paraqitura në Maschio Angioino. Është mbledhja e mundësive të pafund për të hapur dyer sekrete të kujtesës; hapje që me kalimin e kohës, po bëhen gjithnjë e më të paarritshme për gjeneratat e reja. Miloti "tradhton", për një herë, hulumtimin e tij personal artistik që e çon në mbivendosjen e pikturës abstrakte me ikonologjinë figurative. Është kjo vepër, sinteza ekstreme e projektit të tij, kjo dëshmi identiteti, i një udhëtari të kohës dhe hapësirës që shpaloset nëpërmjet kërkimit gati kompulsiv të mundësisë për të ndarë një kujtim me të tjerët. Alfredi, pikërisht ai, i ardhur nga një popull dhe një vend që kanë pasur një histori nga më të dhunshmet në Evropë, jep një mesazh paqeje. Çelësat që nuk përdoren më përfaqësojnë mundësinë e hapjes së gjërave, të realitetit, të hapësirave të ballafaqimit dhe mundësitë e marrëdhënieve që çdo ditë e më shumë ngushtohen e harrohen. Objektet, të mbledhura në të gjithë botën, gjatë udhëtimeve të Milotit (në Spanjë, Shqipëri, Itali, Kurdistan, Shtetet e Bashkuara, Turqi e shumë vende të tjera) nuk kanë një specifikë gjeografike, ato janë më tepër një konstante universale. Në thjeshtësinë e tyre në dukje, janë simbolikisht dhe menjëherë një britmë alarmi e artistit shqiptar. Një mijë pjata të shtruara në një qilim të kuq, një mijë çelësa të  harruar, të kujtojnë se, siç thoshte Egon Schiele, përpara se të jemi  artistë, ose çdo gjë tjetër, jemi njerëz. "Mbetemi Njerëzorë", atëherë; t'i përdorim çelësat e vënë në tabakanë e ekzistencës sonë për të hapur dyert e asaj çka kemi harruar. "Revolucioni" nuk mund të shtyhet për nesër, sipas Alfred Mirashit, Revolucioni nuk pret më gjatë. Është për sot!

Lexo edhe:

Çelësi i artë
i suksesit të MILOTIT