Danezi me origjinë shqiptare është kuzhinieri më i mirë në botë - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Restoranti më i mirë në botë për vitin 2010 quhet “Noma” dhe ndodhet në Kopenhagen, Danimarkë. Shefi i kuzhinës së këtij restoranti është 32-vjeçari me origjinë shqiptare Rene Redzepi (Rexhepi): babai i tij, është shqiptar nga Maqedona i emigruar prej vitesh në Danimarkë, ndërsa nëna daneze.

Rexhepi, tashmë ambasador i kuzhinës daneze, deri 7-8 vjet më parë as që e kishte një restorant të vetin. Bir i një emigranti shqiptar nga Maqedonia dhe me nënë daneze, shefi i ri i kuzhinës më të mirë në botë është vetëm 32 vjeç. Ai e ka bazuar suksesin të përdorimi për pjatat e tij te përbërësit e stinës dhe të zonës ku ndodhet.

Prodhimet e detit janë specialitet i tij. Në pjatat më të mira, shërbehet salmoni i egër, algat e detit, gaforret dhe midhjet. E veçanta e këtij restoranti dhe shefit që e drejton atë, qëndron në shkrirjen e kuzhinës tradicionale me atë moderne. Vetë Rene deklaron se në restorantin “Noma” gatuhet duke pjekur ushqimet në disa pllaka guri që quhen “basalt”, që sipas tij i bëjnë ushqimet më speciale. Rene deklaron gjithashtu se sekreti i kuzhinës së tij qëndron tek “përdorimi i gjerë i qumështit dhe i kremit të tij në përgatitjen e pjatave speciale”.

Ky restorant gjendet pranë portit të Kopenhagenit dhe është i ndërtuar në një magazinë të vjetër ku përpunohej mishi i balenave.
Si restoranti më i mirë në botë, “Noma” është kurorëzuar nga revista e specializuar britanike “Restaurant Magazine”, që çdo vit – nga viti 2002 – përpilon “S. Pellegrino World's 50 Best Restaurants”, listën e 50 restoranteve më të mirë në botë, bazuar në vlerësimin e 800 ekspertëve të gastronomisë. Këtë vit, restoranti danez ia ka marrë çmimin restorantit spanjoll El Bulli të katallanit Ferran Adrià, që e ka mbajtur vendin e parë për katër vitet e fundit.

Ndër dhjetë restorantet më të mira për herë të parë këtë vit hyn edhe një italian: “Osteria Francescana” e Massimo Bottura në Modena. Sot ky restorant është renditur i gjashti nga vendi i trembëdhjetë që zinte në vitin 2009. Risia italiane e ka emrin “Il Canto” i Paolo Lopriore në Siena, që renditet në vendin 40°, pak vende nën “Combal.zero” të Davide Scabin (vendi 35°) në Rivoli (Torino) dhe “Pescatore” (vendi 36°), të familjes Santini në Canneto (Mantova).