Dasma apokaliptike e fanfarës Tirana - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
Muzika e tyre është me shumë përmasa të njëkohshme, zor se mund të gjendet një epitet i vetëm që të përkufizojë saktësisht gjithçka që tingujt e tyre përhapin në atmosferë. Ka dhimbje Ballkani, ndjesi të tjera të zakonshme për veshët shqiptarë, dhe pastaj shpërthime prej humori nazeli ballkanas, ndërthurur të gjitha këto me ritmet e një fanfare që të pushton e të detyron t'u bindesh tingujve të saj tundues.

Nuk mund të ndodhte ndryshe kur bashkohet Hysni Zela, pjesa më e mirë e folklorit shqiptar dhe ballkanas dhe entuziazmi përforcues i një fanfare. Por bëhet fjalë për një eksperiment, një kombinim të suksesshëm që tashmë ka radhitur copëza të artit të vet në një CD që po udhëton botës, e së shpejti do të mbërrijë edhe në Shqipëri. Ata janë tashmë ndër ballkanasit më të njohur në botë, që dhe me prestigj në llojin e muzikës etnike që përfaqësojnë denjësisht. Por edhe pse nuk ka qenë pikërisht qëllimi i tyre fillestar, brass band Fanfara Tirana, nëpërmjet tingujve të tunxhtë e të përpunuar, ka arritur të përçojë nëpër sheshet evropiane muzikën më të mirë shqiptare e madje të elektrizojë turmat që e perceptojnë atë si një risi, jo vetëm në sferën e përgjithshme muzikore por edhe në vetë llojin e muzikës etnike ku megjithë pasurinë e jashtëzakonshme, Shqipëria është duke trokitur vetëm së fundi.

Disku Albanian Wedding, në fakt vjen si një risi e shumëkuptimtë, që ka tërhequr dhe korrur sukses të jashtëzakonshëm, por përbën një fenomen që ngrihet mbi terrenin e shtruar të muzikës ballkanike që zë vend në top-listat e muzikës etnike mbarëbotërore, duke u bërë edhe më premtues. Kështu në një të ardhme jo të largët në botë kur të përmendet Shqipëria shumëkush do të kujtojë edhe Fanfarën Tirana që përcjell ndoshta pjesën më të bukur të tokës prej nga vijnë.

HYSNI ZELA:
Fanfara jonë, urë e muzikës ballkanike

Shqiptari i Italisë: Si lind ideja e Fanfarës Tirana?

Hysni Zela: Një ditë prej ditësh pamë që grupet e Ballkanit nga Serbia, nga Maqedonia dhe nga Rumania, vinin me koncerte shumë të bukura dhe shumë të suksesshme dhe na lindi ideja të bënim edhe ne diçka si ajo që bëjnë ata. Dhe kur filluam të përpunonim muzikën na u duk e mrekullueshme, muzika jonë tingëllonte akoma më bukur. Pastaj filluam edhe me muzikën ballkanike. Sepse jo të gjitha pjesët e muzikës shqiptare mund të shkruhen për fanfarë. Për shembull vallet nuk është e mundur të shkruhen. Dhe kështu fanfare është shndërruar në një urë bashkimi për gjithë Ballkanin. Fanfara, ose e thënë ndryshe banda frymore e ushtrisë është vetëm një pjesë e kompleksit. Punon prej 5-6 vjetësh, janë të gjithë djem të talentuar që kanë mbaruar Institutin e lartë të arteve. Dhe kanë 5 vjet që japim shfaqje në Itali, në Belgjikë, në Spanjë, në Shqipëri. Punojmë prej 5 vjetësh së HYSNI ZELA: Fanfara jonë, urë e muzikës ballkanike Shpërthimi i instrumenteve frymorë. Me një fjalë përmblidhet përmbajtja e diskut të Fanfarës Tirana, “Dasëm shqiptare”, hedhur para pak kohësh në tregjet botërore, e shndërruar në një sukses të menjëhershëm. Frut i talentit të instrumentistëve dhe këngëtarëve. por edhe i menaxhimit të MusicBallkan, shoqëria e Olsio Sulejmanit në Perugia që tashmë organizon koncertet e grupeve më të rëndësishëm të muzikës etnike në botë bashku si grup.

Pse pikërisht fanfarë?

Fanfara është banda frymore e ushtrisë. Në Itali quhet kështu. Prandaj ne e quajtëm Fanfara Tirana. Bën një lloj muzike që është tepër e pëlqyer, punon me pjesë shumë të bukura shqiptare si edhe me pjesë të huaja. Qëllimi është të fusim madje edhe pjesë të ndryshme nga Ballkani e madje për ne të funksionojmë si një urë bashkimi qofshin këto, sllave, bullgare, rumune, turke. Ka një sukses të jashtëzakonshëm.

Pse pikërisht një orientim drejt muzika ballkanike?

Pjesa më e madhe është muzikë shqiptare, pjesa tjetër është me muzikë nga pjesa tjetër e Ballkanit sepse atje ku shkojmë ka publik nga të gjitha vendet e Ballkanit dhe kjo e bën grupin që të pëlqehet akoma më tepër. Kemi një publik ballkanas, kjo është veçantia e grupit dhe ndoshta kjo është edhe një nga arsyet kryesore të suksesit. Nuk ka pasur të tjerë para nesh që të jenë marrë me muzikë ballkanike në Shqipëri. Është një risi edhe për vetë fanfarën që nuk ka pasur mundësi të dalë jashtë vendit dhe shumë pak ka pasur aktivitet edhe brenda vendit. Nuk ishte gjë e zakonshme që fanfara të dilte jashtë shtetit. Mirëpo u nxor në dritë diçka shumë interesante, me ritmet, me pjesët muzikore shumë të veçanta, me folklorin tonë të admirueshëm, dhe pastaj ekziston edhe muzika e mrekullueshme e Ballkanit. Ideja ishte që të fusnim edhe fanfarën në artin tonë. Mendoj se kemi bërë vend në skenat evropiane gjatë këtyre viteve. Në nëntor kemi qenë në Sevilje të Spanjës ku bëhej një festival botëror ku fanfara Tirana u pëlqye jashtëzakonisht shumë. Kemi qenë në Firence ku na kanë duartrokitur jashtëzakonisht shumë. Kemi pasur emocione të papërshkrueshme kur publiku është ngritur në këmbë për të na duartrokitur.

Ku ndiqet më shumë grupi juaj?

Ne kemi punuar më tepër në Itali, dhe në Belgjikë. Kur shkuam në Spanjë shkuam tek një publik që me temperament është si publiku jonë, dhe na pritëm si të na njihnin prej kohësh. Në Spanjë ishim në ankth sepse ishte festival botëror, kishte grupe nga e gjithë bota, ishim shumë të emocionuar, por kur dhamë shfaqje publiku nuk na linte më të dilnim nga salla, pati duartrokitje të jashtëzakonshme. Kjo na shërbeu si një pasaportë edhe për shfaqjet e tjera. Kemi oferta për koncerte në shumë vende të tjera evropiane, në Gjermani, në Francë etj. Dhe gjithmonë pavarësisht nga vendi ku kemi shkuar suksesi ka qenë i jashtëzakonshëm. Si pritet kjo lloj muzike në Shqipëri duke pasur parasysh që në Shqipëri tregu është i bombarduar nga një muzikë jo cilësore? Ne kemi dhënë gjithsej dy koncerte në Shqipëri dhe kemi paraqitur ndonjë këngë. Gjithmonë kemi pasur mendimin se nuk është dhënë ndonjë herë një gjë e tillë. Por e vërteta është se na kanë pritur shumë mirë megjithatë. Kemi qenë në Pogradec, në Fier, në Vlorë, në Tiranë, kemi shoqëruar Elsa Lilën në versioni e përpunuar të Margjelës në festivalin e fundit të dhjetorit. Kemi pasur shumë sukses. Këndojmë këngë popullore të modernizuara dhe jemi pritur me entuziazëm. Edhe në Shqipëri pëlqehet. Ndoshta në të ardhmen do të japim edhe më tepër koncerte. Tani për tani ne shkojmë vetëm në Itali, por ndoshta në të ardhmen mund të shtrihemi edhe në gjithë Ballkanin. Ky album nuk ka dalë në Shqipëri akoma. Ky është një disk që është bërë për në perëndim tani për tani. Shumë shpejt edhe mund të dalë. Por mendoj se pëlqehet se është një lloj muzike e paprovuar, është një gjë e re edhe për publikun, është shumë interesante. Është e kërcyeshme, e kapshme. Futet në zemrat e publikut pa marrë leje. Dëgjohet në gjithë qytetin. Në Itali natën e Vitit të Ri, sapo kishim mbërritur në Alghero, në shesh, na thanë se publiku ka dëgjuar për ne dhe janë thënë fjalët më të mira. Na thanë se do të kishim 40 mijë spektatorë. Ne nuk u besuam, si të jetë e mundur, na u duk si ekzagjerim. Por vërtetë kaq ishin kur ne u ngjitëm në skenë. Dhe atje kaluam Natën e Vitit të Ri mes emocionesh të jashtëzakonshme. Pra Vitin e Ri e kemi nisur në skenë mes duartrokitjesh, ç'të pretendosh më tepër.

Si është bërë përzgjedhja e pjesëve në disk?

Ne punojmë kur nuk jemi në turné, përzgjedhim këngët dhe i përpunojmë. Janë këngë të përshtatura për fanfarën. Për këto këngë nevojitej një fizarmonikë, një dajre dhe një çifteli kurse këtu janë 13 vetë në fanfarë dhe nuk është kaq thjeshtë. Risia e këtij grupi ka qenë përpunimi me fanfarë. Kjo pëlqehet shumë. Gjithmonë mijëra vetë kërcejnë gjatë gjithë kohës. Në Sevilje një profesor na tha pse nuk bëni albumin e dytë. Dhe kështu do të përgatitemi për albumin e dytë në prill të këtij viti.

Si po shkon disku? Disku është shumë i bukur, është i përpunuar me mjeshtëri nga kompozitori Roland Shaqja. Ai është tepër i talentuar. Duke e përpunuar në atë mënyrë ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Përderisa ne shkojmë vit për vit në Itali do të thotë se është pëlqyer shumë. Ne kemi bërë nja 70 koncerte në vit. E megjithatë në Shqipëri në gazetat tona nuk shkruhet asgjë. Nuk di pse. Ndoshta jo për arsye se nuk duan të shkruajnë për ne. Shkuam në një festival të rëndësishëm si ai në Sevilje dhe është e çuditshme që në gazetat tona nuk u shkrua as edhe një rresht. Dikush na tha: nuk i keni lajmëruar gazetarët. Ndoshta kjo vjen sepse ne nuk varemi nga ministria e kulturës dhe duhet pa tjetër tu themi ne që kemi qenë diku që ata ta marrin vesh. Por është për të ardhur keq që pas gjithë këtyre sukseseve në Shqipëri për ne të flitet kaq pak. Në Shqipëri ka edhe një problem tjetër, se nëse thua fanfara nuk të kupton njeri. Duhet të thuash, një orkestër frymore etj. Ne i kemi thënë banda e ushtrisë, dhe po tu thuash se ka koncert banda e ushtrisë askush nuk dëshiron të vijë. Sepse mendojnë se mos do të bëjë ndonjë marsh, ose diçka të ngjashme. Por kur të dalë albumi i parë në treg do të kuptohet dhe mjerë ne për koncertet që do të na duhet të bëjmë.

Menaxheri OLSI SULEJMANI:
“Fanfara qëndron përtej fenomenit muzikor shqiptar”

Nuk shfaqet në skenë, nuk duket në disqe. Elementi i padukshëm i suksesit të Fanfarës Tirana e ka emrin Olsi Sulejmani. Është menaxher i shoqërisë muzikore MusicBallkan, me qendër në Pezaro. Menaxhon me dhjetëra artistë të mirënjohur të muzikës etnike, prodhon e organizon koncerte në gjithë Europën.                    

Shqiptari i Italisë: Nga koncertet,tashmë edhe një disk prej bande të mirënjohur. Si e shihni rrugën e Fanfarës Tirana tani pas daljes së diskut?

Olsi Sulejmani: Pas daljes së diskut nga Piranha, një shtëpitë diskografike më të rëndësishme të World Music, koncertet e Fanfarës Tirana po prenotohen nga gjithë Europa. Është një sukses i prekshëm: Disku është hedhur në treg në 21 shtator 2007. Dhe në dy muajt e parë ka qenë në Top of Music Chart Europe, lista e CD-ve të cilat janë luajtur më shumë nga radiot e Evropës, në sferën e muzikës etnike, World music. Gjë që do të thotë se për dy muaj rresht DJ-et e gjithë Evropës kanë vënë vazhdimisht materialet e fanfarës së Tiranës. Përveç kësaj është zgjedhur ndër 10 disqet më të mira për World Music, ose muzikën etnike nga revista Stronglines, ka pasur recensione të shkëlqyera nga shumë revista të tjera, e gazeta në mbarë Evropën, si World music magazine, Folk Rock etj. Përveç kësaj sipas revistës Strong Lines është edhe ndër 50 disqet më të mira të të gjitha kohërave të 50 viteve të fundit. Cilësohet vazhdimisht si një ndër disqet më të mira që kanë dalë nga Ballkani këto kohët e fundit. Është i vetmi grup shqiptar që është zgjedhur për të dhënë shfaqje në World Music Expo, festivali ndoshta më i madh në botë për sa i përket kësaj muzike ku çdo grup merr pjesë duke dhënë shfaqje vetëm përpara njerëzish që merren me këtë muzikë. Fillojmë në janar me Hollandën Belgjikën, në verë do të niset nga Kroacia e Hungaria për të vazhduar me Zvicrën, e madje edhe në Amerikë e Japoni.

Agjencia juaj merret kryesisht me muzikën etnike,të rajonit të Ballkanit në veçanti. Ju keni meritën që e zgjodhët dhe e futët në rrugën e koncerteve në Itali

Fanfara ishte diçka e re, më pëlqeu se në krahasim me muzikën tonë popullore kishte një marsh më shumë, ritmikën, forcën që mund të ketë një fanfarë kështu që e bënte më tërheqëse për tregun e jashtëm. Në Shqipëri ka shumë pak grupe që merren me muzikën popullore në mënyrë profesionale. Tani moda në Shqipëri është me DJ me kompjuter, kështu që formacione muzikore që të luajnë me instrumente të gjalla nuk ka. Edhe dasmat tona, ku orkestra ishte apologjia e gjithë dasmës, tani pothuaj të gjitha po bëhen me DJ, kështu po vdes tradita e formacionit muzikor, gjithçka po bëhet në studio. Nuk ka më as të rinj që të investojnë për vegla muzikore sepse nuk kanë ku të luajnë. Ndoshta vetëm klarineta është e vetmja vegël muzikore nuk do të vdesë kurrë në Shqipëri sado të bëhen dasmat me DJ. Por vegla të tjera si lahuta e jugut, apo violina, pak nga pak po vdesin si traditë. Fanfara Tirana del jashtë fenomenit muzikor shqiptar në një farë mënyre sepse ata nuk kanë as pretendimin që të ruajnë traditën muzikore shqiptare, pasi ata luajnë pjesë të muzikës popullore shqiptare por të përshtatura për brass band. Fanfara nuk bën pjesë në traditën tonë muzikore siç mund të bëjë pjesë në grupet e romëve në gjithë Ballkanin. Fanfarat më të rëndësishme ballkanase janë të romëve, Koçani është e romëve të Maqedonisë, Boban Markoviq është e romëve të Serbisë, Çoçarlija është e romëve të Rumanisë. Kështu nuk u përket as traditës së këtyre vendeve. U përket romëve të tyre. Por duhet bërë e qartë se Fanfara Tirana as nuk po i kopjon ata as po mundohet të ruajë traditën shqiptare. Thjesht po bën një eksperiment duke luajtur muzikën shqiptare me instrumente me të cilat nuk është luajtur më parë. Përveç kësaj bën edhe muzikë të vendeve fqinje. Pra nuk mund të thuhet se ka pretendimin të ruajë traditën shqiptare, është thjesht duke marrë muzikë tradicionale për ta përpunuar me instrumente live, natyrisht ky nuk quhet as kopjim. Ata në një farë mënyre po luajnë, po bëjnë një shakà me veglat e tyre muzikore dhe kjo pëlqehet edhe jashtë shtetit. Por me këtë nuk duam të merren si shembull për muzikën popullore shqiptare. Ka shumë brass band në botë që nuk luajnë muzikën e tyre. Mua më tërhoqi sepse është diçka që pëlqehet shumë jashtë, dhe është fakt i prekshëm se nuk ka shesh apo sallë ku Fanfara Tirana të shkojë e publiku të mos kërcejë me ta.

Ku janë mbajtur koncertet e Fanfarës Tirana?

Kemi bërë më shumë koncerte në Itali, pak jashtë saj sepse nuk kemi pasur një disk, tani që disku u bë do të kemi një vit shumë të ngarkuar në Evropë dhe më pak në Itali, në vitet e tjera ka qenë 99% në Itali dhe më pak jashtë saj. Disku është duke u shpërndarë në gjithë botën dhe së shpejti do të vijë edhe Shqipëri. Kjo varet nga shtëpia diskografike, e cila në Shqipëri nuk ka akoma një shpërndarës por edhe nga fakti se Shqipëria nuk ka hyrë akoma në rrjetin e shpërndarjes së disqeve që ekziston në gjithë botën. Industria diskografike në Shqipëri është akoma në fillimet e saj. Madje shumë shpesh disqet janë të masterizuara nëpër shtëpi. Por mendoj se është e afërt dita kur edhe parametrat botërorë do të vijnë. Në Shqipëri nuk kanë bërë koncerte të mirëfillta deri tani, vetëm disa përfqësime të vogla, si për shembull bashkëpunimi me Elsa Lilën në festivalin e dhjetorit. Suksesin më të madh në shitjen e disqeve e kemi pasur në Gjermani dhe Hollandë. Ndërsa për sa i përket publikut në Itali kemi pasur suksesin më të prekshëm sepse normalisht na njohin.

Marjola Rukaj, botuar në Shqiptari i Italisë, shkurt 2008