Diana Kapo: “Në Këshillin komunal për të përfaqësuar të gjithë bashkëqytetarët e mi” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë
E dyta për numër votash ndër kandidatët e të gjitha listave, 28-vjeçarja Diana Kapo hyn në Këshillin komunal të Sesto Fiorentinos

Në zgjedhjet e 25 majit, në listat grupimeve të ndryshme politike nuk munguan kandidatë me origjinë të huaj. Mes tyre edhe italo-shqiptarë si Tiziano Zejnati, Kozeta Alidervishaj, Mirushe Koçi në Prato, Dhimitër Kotorri në Firence, Diana Kapo në Sesto Fiorentino, Regi Kaçaku, Angelo Bashaj, Rezearta Dizdari në Cecina, Lediana Koçi në Correggio, Sonila Kulla në Nichelino.

Ndër të gjithë kandidatët shqiptarë vetëm Diana Kapo ia ka dalë mbanë, e me rezultat të shkëlqyer. E zgjedhur nga 367 vetë, është ajo që ka marrë më shumë vota ndër kandidatët e të gjitha listave të paraqitura për këshillin komunal, me përjashtim të Giulio Marianit (472 vota) që kryeson listën e PD-së ku bën pjesë edhe Diana.

Kështu, 28-vjeçarja që jeton në Toskanë prej 23 vjetësh, prej kohësh e angazhuar në radhët e PD-së, për pesë vjetët e ardhshëm do të mund japë kontributin e saj në këshillin e komunës ku jeton.

Angazhimin politik Diana e nis që në vitin 2008 në Universitet kur me të vëllanë e një grup miqsh krijon "Studentët Demokratikë" ku bëjnë pjesë studentë të huaj apo nga ata që studiojnë larg qytetit të tyre, ose thjesht ata që duan të bënin politikë në universitet. “Sot grupi është pjesë e një grupi më të madh të quajtur CSX (Qendra e Majtë për Universitetin)” tregon me kënaqësi Diana.

Me themelimin e Partito Democratico, Diana regjistrohet menjëherë sepse aty gjen veten, sepse sheh PD si “një krah politik i qendrës së majtë, reformist dhe i  vëmendshëm ndaj politikave sociale”. Në nëntor të vitit 2008 merr pjesë në zgjedhjet paraprake të "Të rinjve Demokratikë" (Giovani Democratici) e zgjidhet në asamble në nivel rajonal dhe kombëtar.

Në vitin 2009 futet në Sekretariatin e PD në Sesto Fiorentino ku punon në sektorin e  Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në fund të  vitit 2009, emërohet përgjegjëse për emigracionin në Sekretariatin Provincial të të Rinjve Demokratë të Firences. Në vitin 2011 zgjidhet unanimisht sekretare e Të rinjve demokratë të provincës së Firences. Prej një viti i lë stafetën dikujt tjetër për të drejtuar sekretarinë e të rinjve demokratë të provincës “sepse u duhet dhënë mundësia të gjithëve të shkojnë përpara” e bëhet Përgjegjëse për Punën në sekretarinë e PD-së së Sesto Fiorentinos. Është gjithashtu edhe koordinatore e Forumit PD për imigracionin për provincën e Firences. E krahas angazhimit në politikë, Diana ka studiuar e ka punuar e sot është e diplomuar në universitetin e Firences në Shkenca Politike. E në këtë kurrikulum të gjatë pune në radhët e PD-së, ka bazën fitorja e fundit e Dianës në zgjedhjet komunale.

“Rezultati i përgjithshëm i PD-së në zgjedhjet e 25 majit është vërtet mbresëlënës, i jashtëzakonshëm. Ishim të bindur që do të fitonim por nuk e imagjinonim me këtë rezultat të lartë. praktikisht PD është forca politike që ka marrë vota më shumë se çdo forcë tjetër në Evropë" thotë Diana që për fitoren e saj në komunë shton: "Rezultati në komunën tonë ishte i parashikueshëm, Sesto Fiorentino ka pasur gjithnjë kryetar e këshill komunal të qendrës së majtë. Për rezultatin tim jam e lumtur dhe mirënjohëse bashkëqytetarëve të mi që aq të shumtë shkruan emrin tim krahas shenjës së vënë mbi PD. Por nga ana tjetër, edhe fushata që bëmë ishte e bukur, gjatë saj takuam mijëra persona, dëgjuam problemet e tyre e u treguam idetë e rrugën tonë, të PD-së, për zgjidhjen e tyre. E duke parë që pas Giulio Marianit, emri më i votuar është i imi, me kënaqësi mund të them se bashkëqytetarët e mi më kanë dhënë besimin".

Në Sesto Fiorentino Dianën e njohin mirë. Jeton aty me familjen prej mëse 20 vjetësh, e ka qenë gjithnjë aktive në shoqëri e politikë, ndaj thotë që e kanë votuar të rinjtë që tek ajo gjejnë veten e tyre, e votuan të moshuarit sepse u kanë pëlqyer idetë e saj e duan të promovojnë të rinjtë, e votuan gratë sepse sepse tek ajo panë njërën prej tyre, atë të zonjën që di të çajë përpara. "Më votuan edhe qytetarët e rinj, të huajt që kanë marrë shtetësinë italiane e bijtë e tyre, - shton Diana - sepse kanë besim se do të mbroj më së miri kauzën e tyre. Uroj të meritoj besimin e tyre e të mos zhgënjej asnjë prej bashkëqytetarëve të mi".

"Administrata lokale ka qenë gjithnjë e qendrës së majtë e unë jam e lumtur që nuk më duhet ta nis nga zeroja por të vazhdoj punën në vazhdën e mirë të këshilltarëve që na kanë paraprirë. Temat që dua të çoj përpara në këshillin e sapozgjedhur komunal, ato që ndiej më pranë eksperiencës sime personale, që janë në vazhdimësi me punën time të deritanishme kanë të bëjnë me të rinjtë, punën, integrimin e përfshirjen e shtresave më të dobëta. Kam një ndjeshmëri të veçantë ndaj temave të imigracionit, brezit të dytë, qytetarëve të rinj, jo vetëm pse i kam ndjekur për vite çështjet e problemet e tyre, por sepse i kam kaluar të gjitha mbi kurrizin tim. Kauza e tyre është gjithnjë në qendër të punës sime. Dua që këshilli ynë të punojë më shumë për të lidhur më ngushtë qytetin me polin shkencor të Universitetit të Firences që ndodhet në Sesto Fiorentino; të bëjë të çka mundet për punësimin e të rinjve, sot plagë kombëtare e Italisë; të promovojë zyrën shembullore të marrëdhënieve me publikun që komuna jonë ka prej kohësh, sepse të gjithë duhet të njohin çfarë u ofron administrata lokale".

Si ju duket puna e deritanishme e qeverisë Renzi?
"Sekretarit e kryeministrit Renzi i vlerësoj shkathtësinë e shpejtësinë në marrjen e vendimeve, vënien e problemeve në rend të ditës, dhe kërkimin e menjëhershëm të rrugëdaljeve, pa pritur kohët e gjata të politikës. E nga këto zgjedhje u pa që edhe qytetarët e vlerësojnë dhe i japin besim të plotë Matteo Renzit e qeverisë së tij. Madje do të shtoja që rezultati i jashtëzakonshëm, si asnjëherë më parë, duhet të jetë shtysë për të vazhduar në rrugën e reformave".

Mendoni se do të shohë dritën edhe reforma e shtetësisë për brezat e dytë?
"E uroj vërtet. Kanë kaluar tashmë 20 vjet që kur erdhëm ne, emigrantët e parë në masë, kemi hequr në kurriz ligje të prapambetura, e më në fund çështjet tona janë në rend të ditës. Duhet të jemi largpamës e të mendojmë sot për Italinë e të ardhmes. Edhe pse situata ekonomike është e vështirë e duket sikur nuk meritojnë vëmendje kauzat e tjera që nuk lidhen drejtpërdrejt me krizën, dëshiroj që të gjithë ta kuptojmë që në të vërtetë edhe reforma e shtetësisë është shumë e rëndësishme. Sepse zgjidhja e problemeve shoqërore e ekonomike duhet të shkojnë krah njëra tjetrës. Italia nuk mund t'i lejojë vetes që pas 20 vjetëve të tjerë të ketë një brez të madh personash që tek ajo shohin "njerkën" sepse si e tillë i ka trajtuar, të ketë një brez personash që nuk dëshirojnë të investojnë në sistemin Itali, sepse kjo i ka rritur si të huaj. Reforma e shtetësisë është e domosdoshme e uroj që qeveria Renzi ta bëjë vërtet". 

Keti Biçoku

Lexo edhe:
DIANA KAPO
“Partia ime demokratike”