DIANA KAPO{br}“Partia ime demokratike” - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

25-vjeçarja shqiptare e  zgjedhur sekretare e të rinjve italianë demokratë të Firences tregon përvojën e saj në fushën sociale dhe  angazhimin e saj politik.

Në kongresin e tretë provincial të të rinjve militantë të Partisë  Demokratike italiane, Diana Kapo është zgjedhur sekretare e Të rinjve demokratë të  Firences. Prej dhjetë vjetësh në Sesto Fiorentino, italiane prej një viti, Diana Kapo, nga Tirana, është studente në shkenca politike. "Kemi akoma shumë punë për të bërë - thotë ajo në kongres - dhe mundësitë i kemi: do të rinisim menjëherë angazhimin antifashist, betejat për shkollën dhe universitetin. Do të vazhdojmë punën dhe koordinimin me përfaqësuesit tanë të shumtë në këshillat komunalë, impenjimin mbi çështjet e punësimit që prekin veçanërisht brezin tonë. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi gjithnjë këtu. Duke dhënë kontributin tonë për të rritur partinë Demokratike fiorentine dhe kombëtare".

Diana ka ardhur në Itali me prindërit dhe të vëllanë në dhjetor të vitit 1992, kur ishte vetëm 6 vjeçe, "në kohë të vështira për Shqipërinë" siç thotë ajo vetë. Ka jetuar për tre vjet në Firence e më pas ka shkuar në Sesto Fiorentino ku jeton edhe sot e kësaj dite. Shkollën fillore e ka nisur në Itali dhe të gjitha studimet e i ka vazhduar këtu. Ka mbaruar shkollën e mesme, drejtim shkencor, dhe në tetor të vitit 2006 është regjistruar në fakultetin e shkencave politike Në tetor, të 2009-ës u diplomua me një tezë në Shkenca Politike me titulli "Tranzicioni demokratik i sistemit politik shqiptar që nga rënia e regjimit në ditët e sotme". Ka studiuar e ka punuar gjithnjë, në moshë të rritur e sot është e punësuar në një shoqatë kulturore ku punojnë dhe  profesorë dhe studiues të universitetit që kryejnë hulumtime në nivel ndërkombëtar mbi situatat e luftës dhe konflikteve.

Ajo kujton mikpritje të ngrohtë, veçanërisht në Sesto, por nuk mund të mos përmendë problemet e tipit burokratik: "Problemi më i madh nuk ka qenë kulturor por burokratik: kur mbusha 18 vjeç dhe nuk mu njoh më motivi familjar për përtëritjen e dokumentit të qëndrimit, rrezikoja që duhej të lija Italinë, që tashmë ishte vendi im. Që atëherë deri një vit më parë kur mora shtetësinë (pas tre vjetëve nga data kur paraqita kërkesën), kam qenë e detyruar të përtërij çdo vit lejen e qëndrimit për motive studimi. Me një fjalë, burokracia nuk të lejon të ndihesh i barabartë me të tjerët, të heq të drejtat që të japin mundësinë e vendosjes si qytetar aktiv".

Sot Diana Kapo është sekretare e Të rinjve demokratë të  Firences. E zgjedhur në unanimitet. Dhe e ka zgjedhur me bindje këtë kah politik sepse "është reformist dhe i vëmendshëm ndaj politikave sociale", dhe si i tillë, i shkon shumë për shtat.

Bota Shqiptare: Si u afrove me politikën? E pse zgjodhe Partinë Demokratike?

Diana Kapo: Që e vogël kam qenë gjithmonë shumë aktive dhe e angazhuar, në shkollë kam marrë vazhdimisht pjesë në aktivitete që ofroheshin. Për shumë vjet kam punuar vullnetarisht me  Shoqërinë për Bibliotekën Lëvizëse të Sesto Fiorentino. Nga viti 2006 jam këshilltare e administratës. E krahas këtyre aktiviteteve, për vite me radhë jam marrë me karatč.

Kam filluar të merrem me politikë kur isha në universitet. Në vitin 2008 me tim vëlla dhe me një grup shoqesh e shokësh krijuam "Studentët Demokratikë" (Studenti Democratici). Në grup bënin pjesë studentë të huaj apo nga ata që studionin larg qytetit të tyre, ose thjesht ata që ata që donin seriozisht të bënin politikë në universitet. Ne u përpoqëm të vlerësojmë aspektin e qytetarisë studentore, ku nuk ka rëndësi se prej nga vjen, i vetmi kusht që vlen është statusi e studentit. Tani grupi është pjesë e një grupi më të madh të quajtur CSX (Qendra e Majtë për Universitetin).

Kam ndjekur me interes krijimin e PD-së, e cila përfaqësonte "zonën time të politikës", një krah politik i qendrës së majtë, reformist dhe i  vëmendshëm ndaj politikave sociale. Në nëntor të vitit 2008 kam marrë pjesë në zgjedhjet paraprake të "Të rinjve Demokratikë" (Giovani Democratici) dhe u zgjodha në asamble në nivel rajonal dhe kombëtar. Ecja ime në politikë e ka fillimin këtu.

Në vitin 2009 u futa në Sekretariatin e PD në Sesto Fiorentino ku punoja në sektorin e  Marrëdhënieve Ndërkombëtare. Në fund të  vitit 2009, u emërova përgjegjëse për emigracionin

Në Sekretariatin Provincial të të Rinjve Demokratë të Firences. Në vitin 2010, pas Kongresit jam emëruar sërish në zyrën komunale e PD-së Sesto Fiorentino, në sektorin e kulturës dhe ç'ka të bëjë me shoqatat.

Sot je sekretare e të rinjve PD të Firences. Cilat do të jenë përparësitë e sekretariatit tënd?

Të shtunën e parafundit të majit, më datë 21 , u zgjodha unanimisht Sekretare Provinciale e të Rinjve Demokratë të Firences; për mua ky qe një vlerësim i mrekullueshëm, shumë të rinj dhe miq të cilët patën besim në aftësitë e mia dhe forcën time. Kjo nuk është një detyrë e lehtë, duhet njohur mirë realiteti i territorit, të jesh e vetëdijshëm për problemet, të ndihmosh  grupe të rinjsh që jetojnë në secilin territor për të zbatuar politikat, me një fjalë të jesh gjithnjë. Ka shumë për të bërë, ne duhet absolutisht të kthehemi sërish brenda shkollave dhe të mbushim atë boshllëk që kemi lënë në vitet e fundit, në qoftë se ne nuk e bëjmë,  këtë do ta bëjnë forcat e djathta duke predikuar urrejtje dhe intolerancë. Ne duhet të jemi të pranishëm nëpër universitete, atje ku ligji i ministres  Gelmini ka bërë dëme shumë të mëdha; në vendet e punës, ku kushtet e ne të rinjve, dhe jo vetëm e të rinjve, janë të karakterizuara nga pasiguria, paqëndrueshmëria dhe mungesa e dinjitetit, nuk ka më respekt për punën dhe punonjësit. Në këtë pikë ne kemi bërë shumë deri tani. Me kërkesën tonë Presidenti i Rajonit Toscana ka dhënë një fond stazhet dhe praktikantatet e paguara për të rinjtë; mjaft me shfrytëzimin! Ne duam të vazhdojmë të flasim për emigracionin dhe të drejtat, për respekt dhe sinqeritet për tjetrin.

Ç'mendon për ligjin mbi shtetësinë? Cila ka qenë përvoja jote?

Unë jam një nga ata që kanë ardhur në Itali në moshë shumë të vogël, kam qenë 6 vjeç, kam filluar shkollën në Itali dhe kam jetuar gati gjithnjë këtu. Megjithatë unë kam marrë  shtetësinë italiane në tetorin e kaluar, pas 18 vjetësh të jetuar në Itali! Ligji italian është një ligj absurd, burokraci e tepërt dhe e kotë, nuk dekurajohen imigrantët e paligjshëm dhe ngarkohen me probleme ata që jetojnë këtu me shumë sakrifica dhe probleme. Faktikisht, sipas meje, kjo situatë është e komode, e lë të huajin në të pasigurt, pa të drejta, pa aftësi për të shprehur qëndrimin e tij dhe për të mbrojtur të drejtat e veta.

Si të duket "hapja" e Finit në këtë drejtim?

Finit nuk i besoj asnjë fjalë, është një politikan jo koherent, e ka dëshmuar gjatë  gjithë karrierës së tij politike: në fillim ishte ekstremist i djathtë, më pas, për interesat e veta, i "shiti" një parti të tërë Berluskonit, dhe më pas akoma themeloi një parti tjetër (qesharake) kur pa se Berluskoni nuk dorëzonte fronin. Ai përpiqet të dallojë veten dhe "thotë gjëra të majta". Ai që është hartuesi i ligjit Bossi-Fini, ligj që realisht i ka shkatërruar jetën shumë emigrantëve, duke përfshirë dhe mua vetë, në përpjekje të vazhdueshme  për të marrë dokumentet e rregullta e për të jetuar të qetë. Fini është një politikan unë nuk e vlerësoj absolutisht.

(...)

Ç'përshtypje ke për politikat për imigracionin të qeverisë Berluskoni? E për parullat e Legës por edhe për masat e Maronit?

Politika e Berluskonit për emigracionin është një politikë boshe, e bazuar mbi urrejtjen dhe intolerancën, mjafton të shohësh që ministër të Punëve të Brendshme, në rolin më të rëndësishëm pra pas kryeministrit, ka vënë Maronin, një eksponent të Lidhjes së Veriut. Është po ai që pështyn mbi flamurin italian e që nuk pranon të këndojnë himnin kombëtar e të respektojnë Kushtetutën. Me një zgjedhje të tillë kuptohet lehtë se cilat janë qëllimet ndaj emigrantëve. Italia ka nevojë për ta, dhe ata janë të vetëdijshëm, por nuk duan t'i japin emigrantëve të drejta dhe dinjitet. Është e turpshme dhe e papranueshme; edhe Bashkimi Evropian ka ndërhyrë disa herë në këto çështje.

Për mendimin tim politikat mbi emigracionin duhet të jenë të rigoroze dhe transparente. Shtetësi italiane pas pesë vitesh në Itali, një afat 10 vjeçar është absurd dhe i pafund; këtyre u shtohen edhe vitet që kërkesa mbetet e bllokuar në administratë.

Lidhur me çështjet e imigracionit ç'duhet të bëjë qendra e majtë kur të vijë në fuqi? Cilat duhet të jenë përparësitë e saj në këtë aspekt?

Një gjë që duhet bërë menjëherë është vota për emigrantët në zgjedhjet vendore pas pesë vjetësh jetese në Itali, të huajt paguajnë taksa dhe kontribuojnë në Prodhimin Brendshëm Bruto, por nuk kanë të drejtën as të përfaqësimit, kështu nuk shkon.

Shtetësi italiane automatikisht për fëmijët e lindur në Itali, është absurde që këta fëmijë të mund të marrin nënshtetësinë pas 18 vitesh!

Duhen politika integrimi dhe bashkëjetese, të bazuara mbi njohjen e ndërsjellë kulturore e fetare. Duhet bërë sa më parë të jetë e mundur, nuk mund të pritet më, sa më shumë të pritet aq më shumë ushqehet konflikti social dhe pabarazitë.

Intervista e plotë në Botën Shqiptare 260, 1-15 qershor 2011

Keti Biçoku