Driant Zeneli, fitues i Trieste Contemporanea - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Një shqiptar fitues i konkursit fotografik Trieste Contemporanea

driant-zeneli.gifE ka fituar një shqiptar këtë vit konkursin Trieste Contemporanea, një event dhe një mundësi e ndërtuar në qytetin e Adritikut verior pikërisht për të gjetur e stimuluar artistët e rinj që kanë bërë të tyrin si mjet shprehës artin bashkëkohor dhe shumëllojshmërinë e stilistikës konceptuale e figurative që ai lejon. Dhe këtë vit artisti i ri që juria ka vendosur të përkrahë e të promovojë në skenën e të talentuarve të arteve të reja figurative, ka qenë Driant Zeneli.

Eshtë një artist i ri por, me një eksperiencë të gjatë e me një kurrikulum të dendur me ekspozit. I lindur në Shkodër dhe me banim në Itali, ai është i pranishëm edhe në Shqipëri në shumë nga aktivitetet më të bujshme e më cilësore të artit bashkëkohr shqiptar, si për shembull Onufri i para pak viteve. Edhe pse shumë i ri në moshë spikat tek ai një vetëdije tejet kritike që arrin të transmetojë shumë për marrësin e veprave të tij. Në qendër të asaj që ka ngacmuar njeshmërinë e tij intelektuale përgjithësisht duket të jetë Shqipëria në pikëpamjen e saj kritike të zhvillimti të tanishëm dhe të së kaluarës. Kështu komentojnë kritikët e konkursit të Triestes që kanë vlerësuar artistin shqiptar për aftësinë e të shprehurit me mjetet multimediale të koncepteve të plota që burojnë nga disa përmasa të vendit prej nga vjen. Kufiri i hollë mes realitetit dhe utopisë është ajo që i intereson 25-vjeçarit shqiptar veçanërisht dhe që ai shpreh nëpërmjet videos dhe fotografisë, ndërsa përmbajtja është e larmishme, që nga gjetja për të shprehur koncepte nëpërmjet një interviste marrë të atit, deri tek kombinimi i lehtësisë së dritave të neonit për të dhënë njësinë e brishtësisë së të tashmes dhe të perceptimit të pakapshëm të momentit.

Për më shumë informacion mund të vizitoni edhe sitin http://driantzeneli.blogspot.com

Shqiptari i Italisë i muajit nëntor 2009