Dritan Çela, in memoriam - Shqiptari i Italisë

Shqiptarë të Italisë

Pesë vjet më parë një sëmundje e rëndë ndau nga jeta përkthyesin e ri Dritan Çela, i njohur si një ndër përkthyesit më të mirë të italishtes në shqip. Shtëpia botuese Ombra GVG e përkujton me një libër  që prezantohet sot në Tiranë.

Quhet “Përgjigje për Dashurinë” dhe përmban dhjetëra shkrime që autorë të ndryshëm shqiptarë i kanë kushtuar përkthyesit, me dedikimin “Duke përkthyer për ne dhe nga ne, me një talent të lindur dhe përkushtim të pazakontë për moshën, Dritan Çela kreu një akt të hershëm dashurie. Tani jemi ne, 60 autorë, që i përgjigjemi dashurisë së Tanit”.

Mes artikujve të përfshirë në vëllim edhe ky që vijon këtu, botuar fillimisht në Bota Shqiptare 147 të marsit 2006. E ribotojmë në kujtim të mikut tonë të mirë Dritan Çela.

 

Në gjëmë të një përkthyesi

Ndahet parakohshëm nga jeta Dritan Çela, një ndër përkthyesit më të mirë nga italishtja në shqip. Jetonte prej vitesh në Parma. Lë pas një sërë kryeveprash të letërsisë italiane të përkthyera mjeshtërisht.

Dhimbja që ndien kur të japin gjëmën e vdekjes së parakohshme të një miku, bashkë me trishtimin dhe meditimin për absurditetin e jetës, të çoka në atë "truall vuajtjeje" siç e quan Shën Agostini në vajtimin e vet të një miku, "ku nuk mund të rrish, nga ku nuk mund të ikësh".

Trualli i vuajtjes është i pakontrollueshëm. E çoroditshëm të ve edhe të ndjekësh metafora me të cilat përpiqesh të gjesh një shenjë lidhjeje mes jetës dhe vdekjes së njeriut që s'është më, asaj që zgjodhi të bënte në jetë dhe asaj që la pas.

Aq më shumë kur njeriu i dashur është tridhjetegjashtë vjeç, e megjithë plotësinë e vet, nuk iu dha mundësia të ndjekë atë cikël të plotë fëmijëri-rini-pleqëri që sekush beson se e meriton me ardhjen në jetë. Njësoj si në jetët metaforike të personazheve të librave që pat përkthyer me mjeshtëri.

Më katër mars vdiq në Parma të Italisë Dritan Çela. Mik i mirë, përkthyes i shkëlqyer. Ndoshta përkthyesi më i mirë aktiv shqiptar nga italishtja në shqipe. E di, kur dikush vdes, lëvdatat nuk kursehen, por ky epitaf për Çelën nuk është vajtim, është kërkimi i asaj që la pas, përtej kujtimeve. Në ditën e vdekjes së tij, gjej çuditërisht sensin e jetës dhe rrugëtimin e ëmbël drejt vdekjes. Në librat që ai  pat zgjedhur të përkthente.

Edhe pse e kisha përzënë e nuk doja ta pranoja,  mendimi i vdekjes erdhi me një metaforë kokëfortë, një javë para 4 marsit, në spitalin e Parmas ku shkova të takoja. Ishte shtruar në katin e shtatë. Kati i shtatë, "Il settimo piano". Një tregim i tmerrshëm i Dino Buzzatit mbi sensin e jetës, ka pikërisht këtë titull. Tregon për vithisjen e një njeriu nga kati i shtatë i një spitali ku i duket se e kanë shtruar gabimisht,  drejt kateve të mëposhtëm, një e nga një. Çdo kat, një hap drejt vdekjes.  Një "peshë e rëndë", pashmangshmëria, e shtyn përposh dhe e shtyp derisa, kur mbërrin në katin e parë, grilat e dritares fillojnë e mbyllen, errësira fillon të mveshë dhomën dhe sytë, gjithçka zë e i përkulet një "komande të mistershme". Fatit.

Dino Buzzati ishte autori që Dritan Çela e pat bërë të vetin.  E pat përzgjedhur që në të ri, kur ende student i gjuhës italiane në fakultetin  Histori-Filologji, doli për herë të parë në publik si përkthyes me botimin e disa tregimeve të tij në Revistën Nëntori. Në jetën e vet do të përkthente shumë, tepër, për një të ri që iu desh të emigronte në Itali e të kryente një punë që nuk i afrohej përkthimit. "Një, asnjë dhe njëqindmijë" të Luigi Pirandellos, "Komikat Kozmike" të  Italo Calvinos, "Shtegtimi i unazës" të Carmine Abates, "Thuaji zemrës po" të Susanna Tamaros e shumë tregime, noveltha, ese, të shqipëruara për pasion, eglendisje, apo nevojë. Para pak muajsh doli në shtyp në Itali përkthimi i tij i parë nga shqipja në italisht. "Përrallat shqiptare" të Virgjil Muçit. Gjithmonë përkthime mjeshtërore. Por pasioni do të mbetej Buzzati.

"Shkretëtira e tartarëve" është vepra më e mirë që Dritan Çela i ka lënë letërsisë së përkthyer shqipe nga italishtja. Edhe këtu, në rendjen pas metaforave që letërsia dhuron për të lehtësuar jetën dhe vdekjen, rrugëtimi të çon po tek kërkimi i kuptimit të jetës që përbën  thelbin e kryeveprës së Buzzatit. Ka aty një sens të moshave të lumtura të njeriut, ku projekti-njeri është ende i mundshëm dhe i hapur. Vdekja është gjithnjë e pranishme, por jo e tmerrshme, jo e zymtë. Është një epilog dinjitoz, është fundi i vuajtjeve. Jo kur vjen e parakohshme, e nuk ka ngushëllim për Elonën, Zijain, Aliqin, Rivën e gjithë të afërmit e tjerë që e qanë në muajt e kalvarit të sëmundjes së llahtarshme, por një sens të kësaj vdekjeje të ëmbël Dritan Çela padyshim e ka përjetuar. Një javë më parë, në Parma, në katin e shtatë, i vetmi që qeshte e bënte shaka edhe me stërmundim ishte ai.

"Dhe ai u përpoq t'i japë forcë vetes, të shtrëngonte dhëmbët, të tallej me mendimin e tmerrshëm. Iu vu me gjithë shpirt, me një hov të dëshpëruar. E menjëherë tmerret e lashta iu vithisën, makthet iu shkërmoqën, vdekja e humbi fytyrën prej llahtari, e u shndërrua në gjë të thjeshtë e të natyrshme."
Është epilogu i "Shkretëtirës së Tartarëve". Letërsia të ndihmon edhe të vdesësh mirë. Mjaft ta gjesh. E t'ua japësh edhe të tjerëve. Dritan Çela na e dha aq mirë.

Roland Sejko, mars 2006